Apeli i Tanja Fajon: Hetoni zgjedhjet

TIRANË - Një ditë para miratimit të amendamenteve në ligjin për komisionet hetimore, faktori ndërkombëtar ka folur hapur, duke bërë thirrje klasës politike në përgjithësi dhe mazhorancës qeverisëse në veçanti që të tregojë pjekurinë e duhur për të lejuar hetimin e plotë të zgjedhjeve të shkuara parlamentare.
Thuajse në një zë, përfaqësues më të lartë të Bashkimit Europian që merren direkt me Shqipërinë, kanë theksuar me forcë dje nevojën për një dialog mes palëve politike në Shqipëri, si një nevojë jo vetëm për stabilitetin e vendit, por edhe për fatin e procesit të liberalizimit të vizave. E ashpër në deklaratën e vet ka qenë edhe Tanja Fajon, anëtare e Parlamentit Europian dhe raportuese për liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor, e cila, duke komentuar zhvillimet politike në Shqipëri, ka bërë thirrje për maturi.
"Përpara votimit nesër në parlamentin shqiptar për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimi, i cili duhet të bëjë një hetim të plotë të mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2009-të, do të doja të theksoja rëndësinë e një dialogu bashkëpunues transparent dhe të përgjegjshëm mes palëve.
Tani që Shqipëria është në fazën finale të liberalizimit të vizave bëhet edhe më e rëndësishme të tregohet gatishmëri për të punuar së bashku për më të mirën për popullin dhe për vendin", - tha Tanja Fajon.
Ajo ka theksuar se seanca e sotme plenare e Kuvendit të Shqipërisë, ku dhe është parashikuar të diskutohen nismat për ndryshimin e ligjit për hetimet parlamentare, përbën një shans për gjithë politikën shqiptare që të tregojë pjekuri.
"Në mënyrë që të vazhdohet në rrugën drejt integrimit europian, Shqipëria duhet të jetë efikase dhe konkrete kur vjen puna tek integriteti, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore. Unë shpresoj sinqerisht se Parlamenti Shqiptar do ta ketë parasysh se kjo është po ashtu koha për të provuar pjekurinë politike dhe se në mënyrë të bashkuar do të arrijë një zgjidhje pozitive dhe konstruktive", - u shpreh Tanja Fajon, anëtare e PE-së dhe raportuese për liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor.
Më tej, Fajon ka bërë të ditur se tashmë është radha e shumicës qeverisëse të hedhë hapin e saj për të plotësuar kërkesat e opozitës për sa i përket hetimit parlamentar.
"Unë shpresoj që partitë e qeverisë shqiptare pas kthimit të opozitës në parlament do të japin një përgjigje pozitive ndaj kërkesave të opozitës për të ngritur një komision hetimor dhe për të siguruar transparencën e zgjedhjeve për të gjitha forcat politike në parlament çdo herë, pas zgjedhjeve lokale apo parlamentare.
Hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë, si themeli i përmirësimeve të rëndësishme në mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen për të përmbushur standardet ndërkombëtare.
Vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset themeli i një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. Shqipëria ka nevojë të tregojë pjekurinë e saj politike më shumë se kurrë në këtë moment vendimtar për liberalizimin e vizave dhe duke pasur parasysh fuqizimin e procesit të integrimit europian të vendit", - deklaroi Fajon.
Zëvendëskryetari i delegacionit të PE, Victor Bostinaru, kërkon nga Berisha zgjidhje të krizës
Bostinaru: Zgjidhje, ndryshe përgatituni për kostot
TIRANË - Një tjetër zë i drejtpërdrejtë ka qenë edhe ai i zëvendëskryetarit të delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Victor Bostinaru, i cili nëpërmjet një interviste ka bërë të qartë se pritshmëria e Bashkimit Europian ndaj qeverisë dhe kryeministrit Berisha lidhur me zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë Shqipërinë është shumë e madhe.
Bostinaru ka theksuar se mazhoranca qeverisëse duhet të gjejë zgjidhjen në të mirë të vendit, në të kundërt ajo do të duhet të marrë kostot e kësaj krize, duke lënë të kuptohet qartë se me këtë qëndrim po rrezikon aspiratat integruese të vendit përfshi edhe liberalizimin e vizave.
"Mesazhi im si zëvendëskryetar i delegacionit për Europën Juglindore është i qartë si kristali: Qeveria duhet të gjejë zgjidhje. Qeveria dhe Kryeministri duhet të jenë në Kuvend për të realizuar më në fund, për të negociuar për zgjidhje politike për të zgjidhur krizën ekzistuese politike. Unë besoj se zoti Berisha dhe partia e tij do të ndërmarrin vendime të zgjuara për mirëfunksionimin e parlamentit, por gjithashtu për të mirën e vendit. Nëse jo, zoti Berisha duhet të jetë përgatitur për kostot", - tha dje zëvendëskryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Victor Bostinaru.
Duke dashur të mos paragjykojë vendimmarrjen që do të ndërmarrë sot mazhoranca në Kuvend, Bostinaru ka theksuar se në rast se do të rrëzoheshin propozimet e socialistëve atëherë kjo nuk do të ishte gjë tjetër veçse një dështim i Shqipërisë në rrugën e saj integruese.
"Berisha dhe partia e tij vazhdimisht në mënyrë të përsëritur i kanë premtuar Europës se ata do të gjejnë zgjidhje se do të punojnë së bashku me Partinë Socialiste për një zgjidhje politike dhe tani është koha e duhur për ta bërë këtë. Nëse nesër mazhoranca do të vendosë të refuzojë propozimet e Partisë Socialiste, kjo do t'i kushtojë.
Dua të jem i qartë: do të jetë me kosto, pasi Shqipëria ka nevojë për stabilitet politik. Shqipëria ka nevojë për mbështetjen Parlamentit Europian dhe nëse nuk do ketë zgjidhje si një anëtar i delegacionit për Europën Juglindore nuk do të isha thjesht dhe vetëm i shqetësuar po do ta konsiderojë këtë si një dështim të angazhimeve europiane të Shqipërisë dhe konsekuencat do jenë në përputhje me këtë. Por, shpresoj ende se vendime të zgjuara do të ndërmerren nesër nga mazhoranca dhe në fund do të kemi një zgjidhje politike", - tha Victor Bostinaru.