Grabiten 3 milionë lekë në postë

Katër persona vodhën dje në mbrëmje me armë degën e postës në rrugën e Dibrës pranë Medresesë
TIRANE- katër persona të armatosur dhe të maskuar grabitën me armë dje në mbrëmje filialin e Albapostës në rrugën e Dibrës, pranë Medresesë në kryeqytet, duke marrë që andej një shumë prej 3 milionë lekësh të vjetra.
Lajmi u bë i ditur nga burime të policisë së kryeqyetit të cilët pohuan se ngjarja ndodhi dje pasdite kur persona të armatosur hynë në ambientet e postës dhe morën që andej nën kërcënimin e armëve një shumë prej 3 milionë lekësh.
Në ambientet e zyrave të postës në momentin e ngjarjes ndodheshin katër punonjës tre prej të cilëve gra.
Sipas burimeve të policisë, autorët e krimit janë afruar me dy motorë nga të cilët kanë zbritur dy vetë dhe më pas kanë hyrë në ambientet e postës duke kërcënuar punonjësit. Pas ngjarjes autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Ndërkaq gjatë krimit, për fat të mirë asnjë prej punonjësve të filialit të Postës Shqiptare nuk u dëmtua. Policia e kryeqytetit mbërriti në vendin e ngjarjes, menjëherë pas njoftimit të marrë duke nisur hetimin për grabitjen e radhës të ndodhur në territorin e mbuluar prej saj.
Nga deklarimi i marrë punonjësve të zyrës postare, mësohet se autorët kishin marrë që aty një shumë prej rreth tre milionë lekësh të vjetra. Sipas dëshmive të punonjësve, dy persona hynë në zyrat e postës dhe një prej tyre mbante armë në dorë.
Tjetri ka kërkuar menjëherë paratë nga punonjësit e arkës së postës. Të gjendur në kërcënimin kësaj situate, punonjësit e postës nuk kanë bërë asnjë rezistencë, por kanë dorëzuar paratë tek grabitësit. Pasi kanë mbushur një qese me paratë, autorët dolën nga filiali i postës me shpejtësi.
Dëshmitarë të tjerë i treguan policisë se jashtë zyrave të postës qëndronin dy motorë në të cilët hipën autorët duke u larguar në drejtim të unazës. Ndërkaq burime të policisë pohuan se autorët ishin të maskuar dhe nuk kishte mundësi njohjeje, gjithsesi hetuesit mundën të merrnin një përshkrim të veshjes së autorëve.