E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i ambasadorëve: Po vini në lojë integrimin

18/02/2010 Ndërkombëtarët Montobio dhe Lohan u “tërheqin veshin” Berishës dhe Ramës

“Marrëveshja për zgjidhjen e krizës duhët të vijë nga lidershipi para 6 marsit”

Pas dy raundesh takimesh të dështuara mes palëve të thirrura nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndërkombëtarët u kujtojnë dy liderëve politikë se po vënë në rrezik proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ambasadorët e vendeve të BE-së vlerësojnë se deklaratat e lidershipit për vullnet politik nuk zgjidhin krizën politike në vend, e cila sipas tyre, duhet të zgjidhet patjetër para datës 6 mars. Kjo datë shënon edhe skadimin e mandatit të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët pas zgjedhjeve të 28 qershorit nuk kanë marrë pjesë në Kuvend asnjë ditë. Ata kanë bojkotuar punimet e Kuvendit me pretendimin se zgjedhjet kanë qenë jolegjitime dhe se qeveria duhet ta bëjë procesin transparent duke hapur kutitë e votimit.

Mbledhja e ambasadorëve

Ambasadorët ndërkombëtarë në vendin tonë, gjatë mbledhjes së djeshme mes tyre, e kanë vënë theksin pikërisht te situata e pandryshueshme e marrëdhënieve mes mazhorancës dhe opozitës shqiptare gjatë kësaj jave që Presidenti i Republikës ka thirrur tryezën për zgjidhje. Menjëherë pas takimit, ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio dhe kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmut Lohan dhanë mesazhet e tyre të forta për kreun e Qeverisë, Sali Berishën dhe atë të PS-së, Edi Ramën. “Mesazhi ynë është shumë i qartë. Perspektiva evropiane për Shqipërinë është në lojë në këtë moment historik, në rast se nuk do të merren aksione. Hapat e mëtejshme ndoshta do të preken nga kjo dhe ky ngërç politik duhet të tejkalohet nga lidershipi politik shqiptar. Ne vlerësojmë se ky proces dialogu është një hap i mirë dhe duhet të prodhojë rezultate në kohën e duhur, kështu që kjo marrëveshje duhet të jetë mjaftueshmërisht e shëndoshë para 6 marsit, çka do ti lejojë opozitës të shkojë në Parlament duke marrë mandatin nga komisioni i Mandateve në Parlament”, tha ambasadori spanjoll, Montobio. Sipas tij, lënia e bojkotit nga opozita do të gëzonte palët, bazuar në parimet e transparencës dhe të kushtetutshmërisë, bazuar edhe në propozimet e Presidentit të Republikës, i cili po udhëheq këtë proces. Kreu i shtetit shqiptar është referenca e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike nga lidershipi politik shqiptar. Edhe ambasadori i KE-së, pasi mbështeti homologun e tij, sqaroi gjithashtu se KE-ja nuk do të vendosë mbi tryezë ndonjë propozim konkret. Sipas tij, kjo çështje u përket tërësisht liderëve politikë. “BE-ja nuk do të vendosë mbi tryezë ndonjë propozim konkret. Ajo që thotë ambasadori Montobio qëndron. BE-ja është i qëndrimit që u takon liderëve të gjejnë një rrugëdalje nga situata aktuale. Risqet janë të larta, ndaj dhe kam shumë besim që lidershipi politik i Shqipërisë do të gjejë një rrugë për të dalë nga kjo situatë”, u shpreh Lohan.

Kufiri kohor

Data 6 mars është afati i fundit kohor për të zgjedhurit e PS-së që të mbajnë ligjërisht mandatin e deputetit. Pikërisht në këtë datë mandati i deputetit u bëhet i pavlefshëm, gjë që detyron Kuvendin që ti kërkojë KQZ-së ti zëvendësojë me kandidatët e tjerë të listës. Neni 71 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton rastet kur mandati i deputetit është i pavlefshëm. “Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: kur ai nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati; kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; kur mbaron mandati i Kuvendit; kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”, - thuhet në të.

Sqarimi i zëdhënëses së Presidentit, Koçiu

“Në takim asnjë pasur propozimi konkret dhe as kontestime”

Para dy ditëve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi takimin e dytë, por këtë herë kokë më kokë me dy drejtuesit e partive kryesore në vend. Pikërisht për këtë takim, zyrtarisht zëdhënësja e Presidentit, Mimoza Koçia, ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë lloj propozimi konkret në takime, e për këtë arsye nuk ka pasur as kontestime. “Qartësojmë se konsultimet po zhvillohen në një linjë mjaft korrekte. Kryetari i shtetit ka dëgjuar palët për konvergimin e qëndrimeve të tyre, sikurse është vendosur në tryezën e ditës së shtunë. Nuk ka pasur asnjë lloj propozimi konkret në takime, e për këtë arsye nuk ka pasur as kontestime. Palët janë shprehur dukshëm të vendosur të ndjekin rrugën e dialogut të iniciuar nga Presidenti i Republikës, i cili nga ana e tij është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës”, thuhet në këtë njoftim për shtyp. Negociatat mes palëve janë ndërprerë përkohësisht, pasi kreu i shtetit shqiptar u nis dje për në Kroaci, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviç. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin kroat, në Zagreb, Presidenti i Republikës parashikohet të zhvillojë takime e bisedime me Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviç, me homologë të tij nga rajoni, me komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle, si dhe me nënsekretarin e Shtetit amerikan, Xhejkob Lju.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›