E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, rregullat e reja për provimet

18/02/2010 Rregullorja e 2010-ës, nesër nis shpërndarja e formularit A1 në komisionet e shkollave

Për kandidatët që ruajnë rezultatet në përllogaritjen e pikëve merren koeficientet e këtij viti

Shpallet rregullorja e provimeve të Maturës Shtetërore për garën e pranimeve në universitete për vitin akademik 2010-2011. Ndryshe nga vitet e shkuara, zhvillimi i provimeve këtë vit do të shoqërohet me një sërë ndryshimesh jo vetëm në përcaktimin e ambienteve të grupuara ku do të zhvillohen, por edhe në njohjen e rezultateve.

Provimet e detyruara të maturës do ti japë çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin përkatës. Çdo maturant mbetës në provimet e detyruara ( D1 dhe D2) ka të drejtën e riprovimit në sesionin e

dytë (të vjeshtës), por nuk ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë publik gjatë këtij viti. Rezultatet e arritura prej tij do të jenë të vlefshme të përdoren gjatë viteve të ardhshme. Njëkohësisht në provimet e këtij viti shtohet fondi i pyetjeve për hartimin e tezave të provimit. Ky fond është sa 20-fishi kërkesave që do të përmbajë testi final.

Plotësimi i formularit A1

Sipas rregullores së hartuar, Ministria e Arsimit tashmë duhet të ketë miratuar përmbajtjen e formularit A1, ku nxënësit do të përcaktojnë dy lëndët me zgjedhje ku duan të ndjekin shkollën e lartë. Ndërkohë që brenda datës 19 shkurt, MASH-i do të shpërndajë në të gjitha shkollat formularin A1, A1Z, (të dhënat e kandidatëve përpara vitit 2010 dhe të shtetasve shqiptarë që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit, si dhe kërkesën e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje), së bashku me tabelën e indeksit të profilit/degëve të shkollave të mesme dhe koeficientëve të lëndëve me zgjedhje të propozuara nga institucionet e arsimit të lartë. Çdo maturant, pavarësisht nëse jep apo jo provimet e lëndëve me zgjedhje, duhet të plotësojë formularin A1 dhe A1Z në komisionet e maturës shkollore ku ai caktohet, brenda datës 10 mars.

Regjistrimet në provime

Rezultatet negative të secilit provim të maturës nuk do të kushtëzojnë hyrjen e maturantëve në provimet e tjera. Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në programet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik në universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, mund të konkurrojnë në këto institucione pa qenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje, por këta kandidatë duhet të plotësojnë formularët përkatës sipas rastit. Ndërsa të gjithë maturantët që në vitet shkollore 2005-2009 kanë dhënë vetëm provimet e detyruara, për të ndjekur shkollën e lartë duhet të japin edhe provimet me zgjedhje në shkollat e mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë komisioneve përkatëse të maturës. Po ashtu, të gjithë kandidatët, që në vitet shkollore 2005-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga universitetet për këtë vit, nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që ka këtë vit. Gjithashtu, personat që kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet kur ka nisur të aplikohet Matura Shtetërore dhe që kanë dhënë provimet me zgjedhje, por nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimeve të larta, rezultatet e arritura nga personi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe në vitet në vazhdim, edhe në rastin kur kandidati ka marrë vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur personi kërkon ta rijapë lëndën). Në rast se personi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon ti njihet rezultati i saj, do ti njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën.

Udhëzimi i MASH

Sindikata, kundër rritjes së ngarkesës mësimore

Arsimtarët pozicionohen kundër udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për ndryshimin e ngarkesës mësimore për arsimin parauniversitar. Kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Xhaferr Dobrusha, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se në rast të zbatimit të urdhrit për rritjen e ngarkesës mësimore të mësuesve (krahasuar me vitin e shkuar), nuk do të pranohet firmosja e kontratës së re kolektive të punës. Pak ditë më parë, ndërmjet këtyre dy institucioneve është firmosur marrëveshja për hapjen e negocimit për risitë që do të mbajë kontrata e re kolektive e punës për këtë kategori punonjësish, ku është kërkuar që të ruhen standardet e orëve mësimore që janë aplikuar në kontratën kolektive, që është aktualisht në fuqi. Sipas Dobrushës, kjo dispozitë është e vlefshme dhe për normat mësimore dhe ngarkesën javore apo vjetore të çdo mësuesi. “Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit i garantojnë anëtarët e tyre se për këtë pikë nuk mund të ketë kthim prapa. Ne jemi duke negociuar me MASH-in për këtë çështje të ndjeshme dhe do të pranojmë të nënshkruajmë vetëm një kontratë që aplikon ngarkesën mësimore që përkon me kontratën kolektive që është në fuqi, duke përjashtuar vetëm rastet abuzive që janë vërejtur në praktikën e deritanishme”, ka pohuar kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit. Sipas udhëzimit të hartuar nga MASH-i, mësuesit e arsimit të mesëm do të duhet të plotësojnë detyrimisht 22 orë mësimore në javë, ndërsa ata të arsimit bazë deri në 26-28 orë mësimore. Shtimi i ngarkesës mësimore për mësuesit ka ardhur edhe si rezultat i ndryshimeve të bëra në punësimin e mësuesve. Gjatë ditëve të fundit ka hyrë në fuqi një tjetër urdhër, i cili largon nga puna rreth 1300 mësues të arsimit parauniversitar, që ishin të punësuar me kontrata të përkohshme. Ndërkohë që orët mësimore që mbeten të paplotësuara pas largimit të këtyre arsimtarëve do të plotësohen nga mësuesit e vjetër. Kështu dhe ngarkesa e tyre pëson rritje, krahasuar me normat e përcaktuara në udhëzimin e vitit të shkuar.

Procedura e regjistrimit për maturantët e vjetër

Të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë Dëftesë Pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, do të duhet të japin dy provimet me zgjedhje. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollën e mesme ose pranë komisioneve të Maturës Shtetërore të drejtorive arsimore të çdo rrethi. Për tu regjistruar, këta kandidatë duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme: Vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, i shoqëruar me notat e katër ose pesë viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza); kopje të noterizuar të dëftesës, një kopje të noterizuar të dokumentit të identifikimit, pasaportë ose kartë identiteti; si dhe kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje. Çdo maturant që ka mbaruar shkollën e mesme para vitit shkollor 2005-2006, por nuk ka marrë Dëftesën e Pjekurisë, jep provime të detyruara dhe me zgjedhje. Ata plotësojnë dhe dorëzojnë formularin A1Z në shkollën që cakton komisioni i maturës pranë drejtorisë përkatëse arsimore. Për të finalizuar këtë proces, duhet të dorëzojnë pranë këtij komisioni dokumentet përkatëse ku vërtetojnë mbarimin e shkollës së mesme, por jo marrjen e dëftesës.

Njohja e gjuhës

Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në vendin tonë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm për të vijuar studimet universitare. Zotërimi i gjuhës shqipe duhet të vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Kështu, sipas rregullores së provimeve të maturës për këtë vit, aplikantët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore, për tu pranuar në universitete duhet të japin Matematikën dhe Gjuhën shqipe e Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të menysë së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë (provimet me detyrim D1 dhe D2). Për këtë kategori, për provimet me zgjedhje (Z1 dhe Z2) do të respektohet zgjedhja individuale, përveç gjuhës së huaj, kur këtë e kanë dhënë si provim të detyruar. Zotërimi i njohurive për gjuhën përcaktohet nga komisioni që ngrihet në MASH, pas rishikimit të dokumenteve që dorëzohen, e që janë: kërkesë me shkrim për të vazhduar një program studimi të lartë, dëftesën origjinale së bashku me listën e notave të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara, pasaportë ose kartë identiteti. Paraqitja e dokumenteve bëhet nga data 1 deri më 15 prill 2010.

Formulari A2

Plotësimi i formularit A2, në të cilin ende këtë vit maturantët do të listojnë 10 preferencat se ku duan të vijojnë studimet e larta, do të nisë pas datës 20 korrik. Një ditë më pas ky formular do të shpërndahet në të gjitha shkollat e mesme, ku do të plotësohet nga maturantët, pas udhëzimeve shpjeguese që vetë mësuesit do të japin.

Në rregullore theksohet se maturantët do të kenë gjashtë ditë kohë në dispozicion për të plotësuar formularin e preferencave, duke filluar nga data 22 korrik deri më 28 korrik. Zgjedhja e degëve do të bëhet pas marrjes së një jave kohë për të plotësuar formularin e preferencave. Maturantët/kandidatët marrin formularin A2 më 22 korrik dhe e dorëzojnë atë në më 28 korrik. Ndryshe nga viti i shkuar, zgjedhja e preferencave këtë vit nga maturantët do të bëhet pasi ata të marrin të katër notat e provimeve të Maturës Shtetërore.

Caktimi i lëndëve me zgjedhje

Pas pak ditësh pritet që të shpërndahet në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit formulari A1, në të cilin maturantët do të caktojnë lëndët me zgjedhje që do të duan të japin për garën e pranimeve në universitete. Po ashtu edhe këtë vit, formulari nuk do të shoqërohet me shtim të lëndëve me zgjedhje. Në të do të listohen 12 lëndët, nga të cilat maturantët do të duhet të përcaktojnë vetëm dy prej tyre për të vazhduar konkurrimin për të fituar një nga degët e universiteteve publike. Dhënia e provimeve për lëndët me zgjedhje do të bëhet në një ditë të vetme. Paraprakisht është përcaktuar që këto dy lëndë të jepen në ditën e fundit të muajit qershor. Ndërsa dy provimet e detyruara do të jepen në dy javët e para të muajit qershor. Ndryshe nga viti i kaluar, maturantët do të mblidhen në mjedise më të mëdha për të dhënë provimet e 2010-ës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›