“Apeli nën urdhrat e Ramës dhe Xhafajt”, Bardhi: Të zbardhin vendimin për Salianjin

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike përsëriti të hënën thirrjen për Gjykatën e Apelit që të zbardhë vendimin për dënimin e ish-nënkryetarit të burgosur të PD-së, Ervin Salianji.
Me një deklaratë për shtyp, kryetari i demokratëve në Parlament, Gazment Bardhi, denoncoi “neglizhencën” e Apelit për të sqaruar rrethanat e gjykimit kundër Salianjit.
“Sot një deputet i opozitës ndodhet në burg, pa një vendim gjyqësor të arsyetuar dhe pa shpjeguar arsyet e kësaj burgosje. Moszbardhja e vendimit të gjykatës përbën një mohim të së drejtës së deputetit Salianji për të paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë dhe për të kërkuar drejtësi në shkallët e tjera të gjyqësorit, brenda një afati të arsyeshëm.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë shkeljen e vazhdueshme të ligjit nga gjyqtarët Elona Toro, Iliba Bezati dhe Gent Shala, të cilët pasi urdhëruan pa ligj burgosjen politike të një deputeti të opozitës, vijojnë në dhunim brutal të ligjit të mos zbardhin arsyet e këtij vendimi skandaloz,” theksoi z. Bardhi.
Politikani demokrat ia kontribuoi vonesën “urdhrave politikë” të kryeministrit Edi Rama.
“Ne arrijmë të kuptojmë që gjyqtarët janë në vështirësi të gjetjes së argumenteve ligjore për urdhrin politik të një përfaqësuesi të lartë të opozitës, dhe gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt, si autorët real të atij urdhri, që të përfundojnë zbardhjen e vendimit dhe t’ia dërgojë për nënshkrim gjyqtarëve pa asnjë vonesë,” deklaroi z. Bardhi.
Gjykata e Apelit në fund të shtatorit la në fuqi dënimin me 1 vit burgim për deputetin Salianji, i akuzuar më herët për “Kallëzim të rremë” në çështjen e tij ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për të cilin demokrati pretendonte se kishte një telefonatë të përgjuar ku ai bëhej pjesë e një rasti të trafikut të drogës.
/rtsh.al/