E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi on-line, Basha: Për militantët. Rama: Këpusim konkurset farse

RAMA-ME-FB-LULIIIIIBurrel- Lulzim Basha ka prezantuar sot platformën e tij para demokratëve të Peshkopisë, Burrelit dhe Bulqizës.

Në fjalën e tij zoti Basha është shprehur i vendosur në aksionin politik të PD-së, për tu përballur me pushimet kolektive nga puna që paralajmëron Edi Rama, me hapjen e konkurseve për të punësuar militantët e mazhorancës së re.

Ne jemi Shqipëria e ëndrrave evropiane dhe në çdo hap tonin, e faktuam këtë. Ata janë Shqipëria e pazareve, trillimeve, e mashtrimeve, vetëgjykojnë në masë administratën, kërcënojnë me pushime masive dhe hapin konkurse on-line, për të punësuar militantët e tyre. Ky është mentalitet neo-bllokmeni dhe ne do ti gjendemi përballë që në orën e parë,-tha Basha.

Sakaq zoti Basha i ka konsideruar tërësisht të papranueshme kërcënimet ndaj përfaqësuesit të PD në KQZ, Njazi Kosovrasti dhe u ka bërë thirrje të heqin dorë nga kërcënimet ose do të përballen me fuqinë e reagimit të çdo mendjeje dhe zemre demokrate.

Këta njerëz që njohin vetëm gjuhën e krimit dhe praktikat e krimit duhet të dinë sot se nuk na kanë trembur në kohën tonë më të vështirë, nuk na trembin as sot. Ndaj u bëj thirrje ti thërrasin mendjes dhe të heqin dorë nga kërcënimet ndaj përfaqësuesve tanë ose do të përballen me fuqinë e reagimit të çdo mendjeje dhe zemre demokrate,-tha Basha.

Në themel të lidhjes së tij me PD, zoti Basha ka vlerësuar kurorëzimin me sukses të çdo përgjegjësie që i është ngarkuar ndër vite.

Sakaq që ka reaguar nëpërmjet një shkrimi sqarues kryeministri i ardhshëm Edi Rama duke theksuar se  mbledhja e CV-ve nuk është për të ndarë vende pune po për ta bërë reale e transparente, marrëdhënien mes çdo individi të gatshëm për të kontribuar në sektorin publik dhe institucioneve në kërkim të njerëzve të duhur,- sqaron Rama.

Ja edhe letra e plotë:

Shënim për kritikët e aplikimeve onlinë

Disa po thonë publikisht se apeli im për të aplikuar online cilido që dëshiron të provohet për skuadrën e re për Shqipërinë, qenka prodhim i kulturës antishtet. Marrja në punë prej shtetit paska procedura që lidhen me vende bosh e me konkurse e me afate dhe jo me partinë. Por se kanë lexuar ose se kanë kuptuar, atë që kanë lexuar në apelin tim publik si kryeministër i zgjedhur. Jo si kryetar partie.

Ne nuk po mbledhim CV për të ndarë vende pune po për ta bërë reale e transparente, marrëdhënien mes çdo individi të gatshëm për të kontribuar në sektorin publik dhe institucioneve në kërkim të njerëzve të duhur. Sapo kemi hedhur me këtë nismë edhe farën e krijimit të një baze të dhënash për burimet njerëzore të këtij vendi. Të cilën dalëngadalë, do ta kthejmë në një institucion të mirëfilltë ku shteti ynë do të ketë të regjistruar kapitalin e kualifikuar njerëzor të Shqipërisë, brenda ose jashtë. Po kjo është një temë më vete.

Ndërsa për momentin, fakti është se të gjithë ata që po aplikojnë do të njoftohen individualisht për çdo konkurs të hapur në sferën që lidhet me profesionin dhe eksperiencën e tyre. Në këtë mënyrë do të këpusim lidhjet e shkurtra të konkurseve farsë që janë zhvilluar tërë këto vite, përmes lajmërimesh në formën e trakteve të ngjitura kuturu dhe rezultatesh të parafabrikuara në dëm të lirisë së konkurencës e të meritës. Dhe nga ana tjetër, do të kemi një instrument të ri monitorimi për trajtimin e burimeve njerëzore në procesin e organizimit e të zhvillimit të konkurseve. Besoj e kam sqaruar po ashtu në letër se kjo bazë të dhënash do ti shërbejë pak më vonë edhe sektorit privat, për të kërkuar njerëzit e duhur për vende të reja pune dhe do tu japë po ashtu mundësi aplikantëve të kenë dijeni për çdo mundësi të re për punë.

Kaq e thjeshtë është, mos u shqetësoni kritikë të dashur ky nuk është as fillimi akoma i Shqipërisë së re që kemi marrë mandatin për të ndërtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›