E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi për në BE, brenda qershorit

Ministri i Jashtëm Luzim Basha, gjatë ceremonisë së kremtimit të 18-vjetorit të themelimit të degës së PD-së në Peshkopi ka konfirmuar se Qeveria shqiptare do të aplikojë brenda këtij mandati për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, e se brenda këtij afati, mund të ketë edhe një përshpejtim të procesit të heqjes së regjimit të vizave me vendet e zonës “Shengen”

TIRANE - Qeveria shqiptare dorëzon kërkesën e aplikimit në BE, për statusin kandidat, brenda këtij mandati qeverisës, që përkon edhe me premtimin e Kryeministrit Sali Berisha, për ta përmbyllur këtë proces gjatë presidencës çeke. Pas polemikave dhe diskutimeve të shumta në rang mediatik lidhur me kandidimin e Shqipërisë, për anëtarësim të plotë në BE, shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha, jep garancinë se Shqipëria do të aplikojë brenda mandatit të qeverisjes së djathtë për statusin e vendit kandidat në BE.
Gjatë ceremonisë festive në Dibër, me rastin e 18-vjetorit të themelimit të degës së PD-së, anëtarë i kryesisë së Partisë Demokratike dhe ministri i Punëve të Jashtme Luzlim Basha tha se falë arritje të gjithanshme të qeverisë Shqipëria është sot një vend ndryshe, një vend i cili është bërë i besueshëm dhe që për pak javë zë me dinjitet vendin e tij në NATO si anëtare me të drejta të plota.
“Falë këtij besimi dhe përkundër spekulimeve të politikës së blofit, qeveria shqiptare do të aplikojë brenda këtij mandati për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dhe falë këtij besimi qeveria shqiptare po ecën e sigurt në procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë dhe do ta kurorëzojë atë me sukses”, u shpreh Basha.
Gjatë fjalës së tij, ministri Basha u ndal në premtimet e mbajtura të qeverisë “Berisha” gjatë mandatit të saj të parë.
Ai tha se falë vullnetit politik dhe punës me përkushtim gjatë këtij mandati u bënë realitet një numër i madh premtimesh, si investimet në infrastrukturë, rritja e rrogave dhe pensioneve, etj. 
Sipas tij, ndryshimi ynë është realitet i prekshëm dhe jo gënjeshtra boshe si ato që emeton dhe marketon kryetari aktual i PS-së, duke shtuar se  Rama “nuk përfaqëson të ardhmen, por të shkuarën e dhimbshme nga e cila shqiptarët u shkëputën përfundimisht më pak se 4 vite më parë. Shqiptarët, në 28 qershor do të zgjedhin për të ecur përpara dhe jo për t’u kthyer pas”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›