E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak i Tiranës të mblidhet për t’i dhënë fund shantazhit korruptiv të Edvinit

Këshilltarët e PD-së akuzojnë Edi Ramën për pengimin e Planit Rregullues të Tiranës, në mënyrë që ai të zgjasë sa më shumë situatën shantazhuese për biznesin, në mënyrë që të marrë 15 përqindëshin e bakshishit, për të cilin ai është bërë famëkeq në sytë e kryeqytetasve

TIRANE - Zvarritja dhe pengimi i Planit të Përgjithshëm Rregullues të Tiranës, nga Edi Rama dhe klani i tij i lejeve të ndërtimit, ka shqetësuar së tepërmi kohët e fundit grupin e Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin e Bashkisë së Tiranës. “Edhe pas thirrjeve të përsëritura të Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, për të dërguar Planin për miratim në KRRTSH, në mënyrë të paimagjinueshme por jashtëzakonisht të dëmshme për qytetaret dhe ndërtuesit e Tiranës, në mënyrë të jashtëligjshme Rama nuk ka lëvizur aspak, përveç grupeve të vullnetarëve të tij, për të dërguar për miratim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Planin e Përgjithshëm rregullues urbanistik të qytetit”, u shpreh dje kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së në këshillin bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni.
Kryetari Poni vlerësoi më tej se, “mister Rama apo mister 350 ditshi siç e thërrasin rëndom qytetarët për zvarritjen pa fund të lejeve të ndërtimit që ka kuptim me mister 15 % për sa i përket gjobës së qytetareve tek ai dhe sekserët e tij, tani që qeveria vendosi që për një leje ndërtimi të mos zgjasë procedura më shumë se 50 ditë, që do të lironte e çlironte qytetin nga tentakulat e kësaj vdekjeje të paralajmëruar të zhvillimit dhe biznesit, ka vetëm një instrument të dështuar, të shëmtuar; të zvarrisë, pengojë e sabotojë miratimin e Planit, për të vazhduar të copëzojë e betonizojë Tiranën për të vazhduar okazionalitetin abuziv të dëshirave të tij halucinante”.
Ndërkohë, Poni bëri gjithashtu me dije se, për të mos lejuar zvarritjen e të miratimit të planit në përputhje me Ligjin Nr. 8652 datë 31. 07. 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike do të kërkojë e thërrasë një mbledhje urgjente të këshillit të Bashkisë Tiranë, për t’i dhënë fund kësaj situate sa korruptive e të jashtëligjshme, kësaj situate kundër qytetareve biznesit e zhvillimit, kësaj situate të krijuar nga grupe klienteliste, që mbajnë peng qytetin e Tiranës e zhvillimin e tij, kësaj situate të krijuar nga kryetari me korrespondencë i Tiranës, nga ish-kryetari i vënë në shërbim të interesave mafioze të ndërtimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›