Apollon Baçe: Rama ka bërë masakër në Tiranë, absurde gërmimet në shesh dhe tek kalaja
Kjo që po ndodh në Tiranë është një masakër , kështu u shpreh akademiku, prof. dr Apollon Baçe. Një nga njerëzit, i cili më shumë se kushdo ka punuar për trashëgiminë kulturore në vendin tonë tregon se janë një sërë arsyesh, që po e shkatërrojnë trashëgiminë kulturore. Ajo që po ndodh sot me Kalanë e Tiranës dhe me sheshin Skëndërbe për akademikun është
e papranueshme. Sipas tij, po kryhen punime të cilat bien në kundërshtim me ligjin, dhe që sjellin pasoja të mëdha në këto vlera të trashëgimisë kulturore. Unë për vete këtë do ta shikoja një lloj projekti tmerrësisht infantil, në atë mënyrë se si ai është konceptuar. Unë jam me këtë, që juria në shumicën e saj nuk duhet të ishte me të huaj, por duhet të ishin vendas dhe njerëz të cilët jetojnë dhe banojnë në këtë qytet, pohon akademiku Baçe. Më tej ai shton se janë tërë ato para, që po të ishin investuar në një vend tjetër ne do të kishim dhe punë dhe prodhim, shumë e cila ka vajtur me ndërtimet, dhe sipas tij në vend që të japi rezultat dhe të krijojë një qytet të bukur, e ka bërë një qytet të shëmtuar, ku në bazë është korrupsioni. Sipas tij në Ministrinë e Kulturës janë disa organizma, të cilët duhet të merreshin më tepër me këtë gjë, por kjo nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Është Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA), e cila duhet mbulojë të gjithë territorin dhe mu para saj bëhet e gjithë kjo dhe ajo nuk ndihet. Me sa di unë aty janë 14 vetë, që merren me këtë gjë dhe mu në qendër të Tiranës të bësh diçka të tillë, për mua kjo është më se e dënueshme. Nuk ka të drejtë ASHA për dënojë të tjerët, për atë që u bë, por ajo duhet të dënojë vetveten në radhë të parë, vijon akademiku. Më tej në vijim të kësaj interviste ai tregon se në Shqipëri ka monumente që rrezikojnë seriozisht, qendra të rëndësishme historike dhe arkeologjike. Kjo gjë tashmë është pohuar nga specialistë të ndryshëm, të cilët i kanë bërë disa herë të ditura këto rreziqe dhe pasojat që sjellin, për sa i përket trashëgimisë sonë kulturore.
-Gërmimet në zonën arkeologjike në Kalanë e Tiranës tashmë kanë ngjallur shumë debate. Ju si e konsideroni këtë?
Mua më duket, se që në fillim tek ne çdo gjë do kapet nga bishti, më pas do të fillohet të arrihet deri tek koka. Aty ne kemi të bëjmë me një projekt të çmendur për mendimin tim. Unë akoma nuk e kam të qartë, se duke pasur kaq specialistë të mirë në vendin tonë, të cilët kanë nivele jo vetëm ballkanike, por dhe evropiane ndërkombëtare, shkohet dhe merret një projekt i habitshëm, i cili gërmon nën themelet. Jo vetëm themelet, që dalin por gërmohet akoma një metër dhe hapet një si punë lugine aty brenda, me qëllim që të vizitohen themelet. E para dua të them që është rreptësisht e ndaluar, që themelet të gërmohen dhe mund të rrëshqasë i tërë sistemi, dhe ana tjetër çfarë kuptimi ka që të ekspozosh një themel, që për mua është një gjë qesharake. Unë nuk arrij dot ta konceptoj, por në rast se grekët janë të çmendur, çmenduritë le ti bëjnë në vendin e tyre dhe nuk ka nevojë që ata ti bëjnë në vendin tonë dhe harxhohen 1.2 milion euro, të cilat shumë mirë mund të ishin përdorur për ndonjë objekt tjetër. E dyta, mua ato gërmime arkeologjike që u bënë nga një firmë private ndërtimi më duken shumë të dyshimta.
-Ju ku i bazoni këto?
E para punës ata nuk kanë përcaktuar se kujt kohe i takon kjo kala, që për mua duhet të jetë tepër e vonë dhe jo e shekullit të 4-5 për të cilin flitet, meqenëse ajo që e përcakton është qeramike, dhe në vend që të bëjnë një sondazh nga ana e brendshme, gjë e cila është qeramika, gërmon nga ana e jashtme. Gërmohen disa kulla, disa elementë të tjerë dhe e gjitha mbetet në hava. Kjo është një rrugë komplet e shkatërruar, që për një kohë të gjatë mbetet në atë gjendje të mjeruar, por ajo që më esenciale se çdo gjë është që këtu kemi të bëjmë me një kundërvajtje të plotë me rregullat e restaurimit dhe të mbajtjes së monumenteve, dhe njëkohësisht me sa di unë nuk është kaluar në instancat përkatëse, që duhet të bëjnë kontrollin. Pra unë shikoj, që kryetari i Bashkisë së Tiranës në këtë mes e trajton këtë qytet sikur ta kishte pronën e tij private. Ai bën çti dojë qejfi, i lyen tullat me bojë që për mua është një nga skandalet më të mëdha që të lyesh tullat me bojë vaji, që të bëjë imitimin e tullës, ose të lyejë ndërtesat në mënyrë të habitshme. Unë nuk jam në gjendje që ta kuptoj këtë. Kur unë kam qenë në Kanada mbaj mend që Ambasada Amerikane do të bëhej pak harkuar, gjë që dilte nga nocioni i ndërtesave që janë të gjitha lineare, shumë pak e harkuar ndoshta mezi mund ta dallonte dhe syri, por për këtë gjë atje u bë dhe një referendum. Pra dhe ky qytet nuk i përket vetëm kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por na përket ne të tërëve. Në rast se është një gjë e tillë, të paktën ky njeri duhet të respektojë instancat e tjera, por ndërkohë që ky njeri bën çfarë ti dojë qejfi. Unë kur kam qenë drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, në bulevard pashë një gjë të tillë, që ai donte ta bënte këtë me tramvaj. E gjithë bota i zhduk tramvajet, ndërsa ai donte ta bënte me tramvaj dhe më interesante është që bulevardi është monument kulture i firmosur nga vetë ky njeri, që sot është kryetar bashkie kur ka qenë ministër kulture, por ai donte ta bënte me tulla të kuqe dhe e tërë puna vajti deri në instancat më të larta, ku u blloku kjo gjë. Është kalldrëmi, ku unë kam shkelur tërë jetën time, ka shkelur im atë dhe gjyshi im dhe ai është gjuha ime. Këto janë elementët, që përbëjnë tamam atë nocionin e kombit. Këtu në mënyrë të habitshme këto shkelmohen pa pyetur fare nga ky person, përveç kësaj në lidhje me bulevardin përderisa ai është monument kulture nuk po arrij që të kuptoj, se si bëhet kjo gjë pa kaluar më parë në instancat përkatëse, që janë Instituti i Monumenteve të Kulturës, ministria dhe unë me sa di nuk i ka kaluar atyre kjo gjë, ose i ka kaluar një instance, pa kaluar një tjetre.
-E ndërkohë sa i takon projektit belg për sheshin Skënderbe, sipas jush ku qëndrojnë shkeljet?
Në rast se francezi kaloi dikur në instancat përkatëse, që ishte Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, i cili kaloi nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ky projekt belg nuk kalon në asnjë instancë. I teket këtij njeriu dhe vendos për çdo gjë. Unë shikoj dhe juritë, që e kanë vendosur këtë projekt. Janë 11 vetë nga të cilët vetëm tre vetë janë shqiptarë përjashtuar vetë kryetarin Bashkisë së Tiranës, të tjerët janë të huaj. Këtë qytet e ndiejnë arkitektët shqiptarë, e ndiejnë njerëzit shqiptarë. Unë nuk arrij që ta kuptoj, se përse duhet të thërriten të huajt, që të na tregojnë neve se si duhet që ta bëjmë këtë vend, kush është më e mira dhe kush është më e keqja. Unë për vete këtë do ta shikoja një lloj projekti tmerrësisht infantil, në atë mënyrë se si ai është konceptuar. Unë jam me këtë, që juria në shumicën e saj nuk duhet të ishte me të huaj, por duhet të ishin vendas dhe njerëz të cilët jetojnë dhe banojnë në këtë qytet, dhe jo vetëm me ndonjë arkitekt ose ndonjë tjetër. Duhet të ishin në juri ata që e ndjejnë këtë qytet, ata që kanë jetuar këtu, që kanë lindur në këtë qytet. Ana tjetër është që sërish dhe kjo nuk ka kaluar në instancat përkatëse, atëherë si ndodh që bëhet se çfarë i teket këtij njeriu, i cili fillon dhe lëviz dhe krijon ide të tilla. Mua dhe vetë projekti më duket me ide infantile, një lloj piramide në të cilën na hipke në majë të piramidës, por ne nuk jemi as në kohën e Keopsit dhe as në kohën e diktatorit Enver Hoxha, që të hipim në majë të piramidës. Ne e kemi një piramidë dhe ajo i ka dhënë një vulë bulevardit, një gjë që dallon komplet nga fryma e ndërtesave të tjera.
-Sipas jush juria me çfarë emrash duhej që të përfaqësohej?
Ajo që do të përcaktonte projektin për mua duhet të ishte dhe me italianë, pasi italiani i ka idetë. Është një ide shumë interesante, është një arkitekturë racionaliste dhe ndjek linja të pastra. Ka një ide italiane, që u bë dhe sheshi, minis