E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ema Andrea: Shqiptarët nuk e meritojnë këtë lloj teatri.

Aktorja dhe regjisorja e quan hileqare idenë për ngritjen e një teatri, pikërisht për Humorin dhe Satirën. Andrea ndalet në probleme të teatrit: hapësirat e pakta për kompanitë private, ligji që nuk aplikohet, menaxhimi me humbje i Teatrit Kombëtar dhe e ardhmja dëshpëruese e të rinjve


"Shqiptarët nuk e meritojnë këtë lloj teatri". Është fjala e fundit që aktorja Ema Andrea thotë për gjendjen e sotme të teatrit, që ndoshta duhej thënë e para. Andrea është ndër ato modele që nuk ka ndenjur këmbëkryq në pritje të regjisorëve, projekteve, buxheteve.


Është themeluesja e tri shoqatave teatrore: "Laborator X", "Pegasus" dhe së fundmi "Oda", një përvojë që ajo e sjell në këtë intervistë për "Shekullin", bashkë me disa opinione për teatrin sot, njerëzit "që marrin role me lopatë", shfaqjet që vihen vetëm nga 10, apo 15 herë dhe askush nuk jep llogari.


Ema, ç'mendim ke për teatrin e ri që do t'i shtohet Tiranës, ai i Humorit dhe Satirës?


Ajo hapësirë e re është. Nuk e di përse e kanë ngushtuar në drejtimin e humorit dhe satirës sepse ne nuk kemi këtu njëqind mijë hapësira teatrore. Mund të vihen shfaqje satirike në Teatër Kombëtar. Nuk kuptoj çfarë nënkuptojnë me këtë specifikë.


A kemi nevojë të ngutshme për këtë teatër?


Nevojë e ngutshme është hapësira e re. Handikapi i këtij koncepti është përse duhet specifikuar si Teatër i Humorit dhe Satirës. Duket si hile kjo. Kanë gjetur emrin dhe po mendojnë ta përshtatin me një hapësirë të re. Mund të ndërtojnë Teatrin e të Rinjve dhe të gjithë studentët që mbarojnë shkollën të kenë një hapësirë tyren për ta shfrytëzuar, ku të bëjnë humor, satirë, dramë, tragjedi, kontemporane apo absurde.


Kjo ngushtësia e titullit të teatrit në vitin 2010 më duket absurde, kur mund të eksperimentohet pa fund brenda një hapësire artistike teatrore. Kjo nuk është nisma e një privati që i shkrepet të plotësojë një dëshirë, por është qeveria, shteti, ndërkohë që shteti duhet të bëjë një politikë për të gjithë.


Nga përvoja jote, si janë mbështetur kompanitë private teatrore?


Përvoja ime personale lidhet me dëshirën si artiste, jo si menaxhere për të organizuar shfaqjet. Artiste që do të bëjë teatër ndryshe, të krijojë një hapësirë të vetën artistike, dhe jo hapësirë fitimprurëse.


Handikapi i parë me shoqatat lindi se nuk kishte asnjë hapësirë tolerance ose lehtësimi. Paguanin TVSH-në për çdo mall që merrnin, paguanin taksa shtetit. Personalisht, për çdo shfaqje që kam bërë kam paguar qiranë në çdo institucion kulturor që kam përdorur.


Shteti duhet të krijojë një lehtësim për shfaqjet teatrore, për kompanitë, ose për iniciativat e reja. Kompania private nuk mundet, të paktën pa këto lehtësira, të ekzistojë dhe të menaxhojë vetveten. Që nga vitet '90-në e këtej, gara midis iniciativave private dhe atyre shtetërore është e pabarabartë.


Kush e ka përgjegjësinë për këtë?


Aplikimi i ligjit. Nuk ka një zyrë, një qendër, ku ti të shkosh dhe të mësosh si duhet të operosh. Shoqatat e teatrit sot kanë të njëjtat të drejta me të gjitha shoqatat e tjera: rinore, e gruas, ndërkohë që specifika jonë është krejt tjetër.


Teatri duhet të ketë vazhdimësi, të krijojë një repertor, të mundet të mbajë vetveten. Nëse ne do të mundeshim të krijonim kompani, ose hapësira, që njerëzit të mbajnë vetveten, atëherë edhe problemet që ka Teatri Kombëtar, do të jenë më të vogla. Kërkesa për të rritur cilësinë artistike do të jetë më e madhe.


Eksperienca botërore është e pafund, ose të aplikohet ai ligj, ose të rishikohet ligji, ose atë qendrën e famshme teatrore ta ndërtojnë. Për mua problemet fillojnë dhe mbarojnë tek mungesa e dëshirës së disa personave sepse gjërat janë shumë të qarta. Në Shqipëri ka humbur besimi për çdo lloj gjëje, ashtu edhe për teatrin.


Të gjithë ata që kanë bërë shfaqje, e kanë bërë prej pasionit. Janë më të predispozuara kompani private si Digitalb-i për të ofruar bashkëpunim reklame, përkundrejt shfaqjes, sesa shteti që duhet të ketë një politikë të tijën për t'i ndihmuar. Dhe ndihma nuk është vetëm para. Ndihma është të mos kenë taksa, t'i marrin hapësirat pa qira për njëfarë kohe. Kjo do të ishte ndihma.


Përndryshe të japin para. Në të gjithë botën, teatri i nxjerr fitimet pas dy vitesh sepse ka shpenzime të mëdha, dhe duhet të rrijë shumë kohë në qarkullim dhe repertori. Teatri Kombëtar ia lejon vetes të dalë me humbje, sepse është institucion shtetëror. Kompania private nuk mund t'ja lejojë vetes të dalë me humbje.


Si ishte dikur situata dhe si e shikon gjendjen aktuale në Teatrin Kombëtar?


Për mua atmosfera ishte dhe është shumë krijuese, sepse në këto aktivitete marrin pjesë njerëz që duan të punojnë, të krijojnë diçka ndryshe dhe jo njerëz pragmatistë, radhët e të cilëve po shtohen, që të bëjmë ndonjë rol, që të kapim ndonjë të ardhur.


Kjo është e vërtetë. Bëhen role me lopatë për të kapur ndonjë të ardhur. Bëhen shfaqje që jepen nga 10 nga 15 herë dhe kaq, kur janë kushtet për t'u dhënë nga 100 dhe nga 200 herë. Ndërkohë nuk iu kërkon njeri llogari. Mirë e bëjnë. Me taksat tona mbahen të gjitha institucionet dhe kurrkush nuk çohet për të kërkuar llogari.


Më tepër nga shfaqjet e mia është shfaqur "Medea", që ishte iniciativë private. Megjithatë të japësh "Medean", vetëm 20 herë është gjynah, për të gjithë krijuesit, financuesit. Ta rivësh këtu, duhen superfinancime dhe teatri tek e fundit, as biznesit nuk i sjell përfitim mbrapsht, sepse as Ligji i Sponsorizimeve nuk funksionon.

Çfarë rruge duhet të përshkojë një i ri që do të merret me teatër?


Të rinjtë kanë mungesë dëshire sepse kanë parë sesi i kanë gjetur vendet e punës paraardhësit e tyre dhe cilat janë mënyrat për t'u punësuar. Të rinjtë e dinë që do të përballen me këtë realitet dëshpërues.


Nuk them se në këtë rast, shteti duhet ta marrë të riun dhe ta fusë në punë. Por atij duhet t'i krijohet besimi që mund ta krijojë vetë hapësirën e tij artistike. Kjo do ta shtynte që të punonte, të kishte individualitet, dhe jo të bëhej aktori i të gjithave dhe jo i asgjëje, jo të bëhej "diplomaxhi", njerëz marrim letra pa fund për të zënë një vend pune. Mundësia për të krijuar hapësirën tënde, për të krijuar një stil, një figurë tënden, është e vështirë.


Unë jam në të njëjtin gjendje që janë studentët. Për sa i përket krijimtarisë, jam në të njëjtën varkë, duhet të vazhdoj të punoj për hapësirën time, për krijimtarinë time, për mënyrën sesi e shoh unë teatrin, për lidhjen me festivalet, për lidhjet me teatrot e huaja.


Po Teatrin e të rinjve si e sheh?


Festivali i të rinjve sivjet ishte zhgënjim. Që nga pjesët e zgjedhura. Studentët nuk duan t'ja dinë se në çfarë vendi jetojnë, se me çfarë problematikash përballen. Ose faji është ai i komisionit që i përzgjodhi. Unë kam parë të rinj të vjetër dhe fajin e kanë pedagogët, ata që i pranuan dhe ata që i dhanë çmimet. Duhet të jesh koherent me problemet, me mendësinë, me ritmin e vendit ku jeton.

Mendimi im për gjithë këtë "histori me teatër" është që shqiptarët nuk e meritojnë këtë lloj teatri.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›