Apolonia më e vjetër sa dihej, arkeologu francez: Cilësi më e lartë se në Romë
Zbulimet më të reja në parkun arkeologjik të Apolonisë duket se kanë bërë që studiuesit të mbërrijnë në konkluzione mbi datimet e ndërtimit të qytet shtetit më të njohur ilir në Perandorinë Romake.
Profesori francez Zhanluk Lambole , drejtues i misionit francez në projektin e Apollonisë në bashkpunim me Institutin e Arkeologjisë gjatë punimeve në pjesën perëndimore të
Kryeqendrës arkeologjike vlerëson se punimi i bustit të gruas dhe burrit si dhe këmbës së statujës
dëshmojnë për një nivel më të lartë artistik të skulpturës. Siç njihet nga historia shkolla apolloniate e arteve te bukura ku studioi oratori dhe perandori Oktavian i Romës ishte me famë në të gjithë botën antike.
Arkeologu Altin Skënderaj vlerëson se në sektorin G, të gërmimeve dinamika e gjetjeve ka evoluar brenda një kohe të shkurtër dhe një rol të veçantë kanë dhe stafet e punonjësve të gërmimit që shpëtuan pa dëmtime dy bustet dhe kembën e shtatores në kërkim.
Deri sot qytet shteti ilir i Apollonisë dihet se u themelua nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti rreth vitit 588 para Krishtit, por gjetjet e reja të frizeve në portalin perëndimor dëshmojnë të paktën një shekull më përpara të krijimit të qytetit antik dhe pritet që të mbërrihet në shtresëzime më të hershme të periudhës ilire si vendbanim. Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apollonia e Ilirisë me rreth 60 000 banorë ishte më e rëndësishmja si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.