Apostujt e demokracisë
Pak ditë më parë u largua për të mos u kthyer më ndër ne të gjallët, një njeri i thjeshtë në madhështinë e tij, i urtë në mençurinë e tij, i qeshur në vuajtjen e tij, për të cilin munguan kronikat, munguan ceremonitë pompoze e dekoratat pafund, Aqif Selimi.
Pranë tij ishin të afërmit e zemrës, të afërmit e burgjeve dhe internimeve, njerëzit e PD, qytetarët e thjeshtë.
Jeta e tij ishte një udhëtim dantesk në rrathët e ferrit komunist, të simbolizuar nga moria e burgjeve: kala e Gjirokastrës, Spaç, Bulqizë, Qafë-Bar, Ballsh, Laç, Sarandë e kudo ku kishte të tilla. Koha e jetës i nuk i matej me datëlindje, por me vite dënimi që variuan nga 12, 20, e deri në pushkatim. E proceduan hetuesit e prokurorët më gjakatarë dhe e dënuan gjykatësit, n.q.s atëherë do të mund të quheshin të tillë, më të pamëshirshëm. Për 32 vite burgim kërkuan ta gjunjëzonin, ta përkulnin pa e kuptuar asnjëherë se tek ai dhe njerëzit e tjerë si ai kishte diçka më të fortë që tejkalonte jetën dhe vdekjen, që mbyste dhimbjen e vuajtjen, që ishte dëshira për liri.
Jeta e tij është jeta e të gjithë atyre që u përballën me terrorin, dhunën e një sistemi, i cili gjënë më të pavlerë konsideroi njeriun dhe dimensionet e ekzistencës së tij. Njerëz si ai ishin të pajisur me misionin fisnik për të mbajtur të gjallë frymën e lirisë dhe si apostuj të saj, pranuan mbi vete privime dhe pasoja, të cilat nuk i përkasin individëve të zakonshëm. Kontributi i tyre duhet të shpaloset i qartë dhe vetë shoqëria duhet të demonstrojë që ajo vetë vërtet ka ndjerë në thelb mea culpa-n e saj.
Është shumë e rëndomtë për ne që për të dhe të gjithë të tjerët si ai, të shprehemi, sigurisht jashtë gjuhës teknike-politike, se ata janë thjesht ish-të persekutuar apo ish-të dënuar, para se të themi se megjithëse të burgosur, ata u bënë ruajtësit e lirisë dhe sjellësit e demokracisë. Dhe është pikërisht kjo pikë vështrimi nga duhet të nisë çdo opinion apo mënyrë sjelljeje ndaj tyre, gjë që PD e ka konsideruar në vazhdimësi detyrim absolut.
Dhe e gjithë kjo elipsë do të ishte e paplotë n.q.s. nuk do të sillnim atë që shpesh diskutohet korridoreve të politikës, pikërisht për të përcaktuar qëndrimin e plotë që sot mbahet ndaj kësaj shtrese martire, me emocionet e së cilës politika ende vazhdon të tjerrë fjalë pa fund dhe të eksperimentojë për të rrëmbyer flamurin e mbrojtjes së të drejtave të tyre. Dhe, tek e fundit, niveli i demokratizimit të një shoqërie që del prej një sistemi diktatorial dhe niveli i civilizimit të politikës së kësaj shoqërie varet dhe përcaktohet në një masë të madhe, pikërisht nga komportimi ndaj kësaj shtrese dhe shkalla integruese e saj brenda hierarkisë së pushtetit.
Sigurisht që Aqif Selimi dhe të gjithë ata që ngjitën Golgotën, në emër të vlerave të patjetërsueshme, nuk pretenduan as lavde dhe as karriera dhe gjithçka të tyren e falën për demokracinë. Kjo bëri që gjenetikisht dhe thelbësisht, angazhimi i tyre të ishte dhe të mbetej pranë asaj force politike që u bë zëdhënësja dhe realizuesja e interesave të saj imediate dhe perspektive, e cila mbetet përfaqësuesja më dinjitoze e shpirtit dhe ëndrrës së tyre për liri dhe demokraci.
Të flasësh sot për qëndrimin ndaj tyre, është një detyrim qytetar parësor dhe akt njerëzor, por të shtiresh sikur po del mbrojtës i thekur i tyre për ca vota më shumë, siç bën lidershipi i PS, kur ende si pjesë integrale e atyre që shkaktuan tragjeditë, nuk ke kërkuar falje publike dhe aq më keq të pretendosh të dalësh si përfaqësues i të drejtave të tyre, siç bëjnë përfaqësuesit e rinj dhe të vjetër të partive pa bosht dhe identitet, për të realizuar thjesht mbiekzistencën politike, është njësoj sikur ti ridënosh dhe njëherë ata dhe tani jo në formën klasike, siç bënte diktatura me A. Selimin dhe simbole të tjera të qëndresës për ti mposhtur, por në formën moderne të hipokrizisë poshtëruese.
Në këtë aspekt, askush nuk mund tua heqë të drejtën këtyre forcave që të bëhen shprehëse të sinqerta të interesave të kësaj shtrese, por vetëm atëherë kur ky interesim i tyre të jetë real, i vërtetë, me qëllime fisnike dhe që të jetë pjesë reale e angazhimeve politike.
Përkundrejt kësaj, e majta me radikalizmin e saj bolshevik, asnjëherë nuk e ka parë këtë shtresë me syrin e vlerës, përpos si kundërshtaren më të fortë të saj, ndërkohë që të tjera simotra të saj kanë nxituar që tu nxjerrin fundin dekoratave për tua varur në qafë me shpejtësi për gabime protokollare xhelatëve, dhe jo atyre që mbajtën të gjallë idealet fisnike.
Dikush tjetër akoma më i vogël në realizim e performancë, kërkon ti bëjë për vete në një lojë të pandershme me ndjenjën e lartë të atdhedashurisë. N.q.s. hulumton me durim jetët e njerëzve si Aqif Selimi, pa vështirësi do gjesh të shkruar qartë patriotizmin e tyre, që ka mbetur me shumë krenari edhe sot busulla e orientimit të tyre politik. Tek ata çdo gjë kishte kuptim me kombin dhe për kombin. Këtë djallëzisht diktatura e dinte mirë dhe këtë emocion maksimal të tyre e përdori sa herë që kërkoi ti keqpërdorte dhe ti ridënonte. Të njëjtën gjë po përdorin dhe makiavelët anonimë të sotëm, tek ofrojnë për ta dhe për të gjithë ne patriotizëm fals dhe atdhedashuri të gënjeshtërt.
Normal që askush nga këta nuk pati përfaqësues për të nderuar rrugëtimin e fundit mbi tokë të njeriut tonë të mirë. Nuk kishte as majtistë, as aleancistë, as topistë. Dhe nuk mund të ishin, sepse madhështia e thjeshtë e idealistit i rri ngushtë hipokrizisë.
Por ikja e tij e heshtur ishte njëkohësisht dhe një apel për të gjithë ne. Ai ishte një monument i gjallë i historisë sonë dhe të tillë fatmirësisht kemi shumë. Këto ne duhet ti ruajmë me përkujdes, politika ti lartësojë dhe shoqëria ti lavdojë. Apostujt kanë vendin e tyre.
