E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edukimi seksual dhe nxënësit e 9-vjeçareve

 Ndue Kolndreu*

Fatkeqësisht ndodhemi përballë problematikës së përfshirjes së nxënësve në marrëdhënie seksuale që në moshën 13-vjeçar. Unë jam drejtor shkolle dhe madje jam vetë në dijeni të dy apo tre vajzave në klasën e 7-të, të cilat janë të përfshira në marrëdhënie seksuale dhe fatkeqësisht ato nuk i kanë raste sporadike por i kanë në mënyrë periodike. Për mua si drejtor dhe prind mund të thyem se alarmi më i madh qëndron në faktin se këto raste por padyshim edhe raste të vajzave të tjera lidhjet i kanë me meshkuj që janë jashtë shkollës dhe padyshim që janë më të mëdhenj në moshë se ato.

Sigurisht që shkolla ka një rol shumë të rëndësishëm në edukimin dhe formimin e nxënësve por ajo çka unë dua të theksoj është se shkolla nuk mund të jetë i vetmi institucion që mund të marrë përsipër sfidën e edukimit seksual të adoleshentëve. Mendoj se ky edukim duhet të fillojë që në familje, madje familja është trungu kryesor që mund të përcjellë dije dhe kulturë rreth marrëdhënieve seksuale. Mendoj se prindërit duhet të jenë sa më të hapur ndaj bisedave të tilla dhe ta trajtojnë fëmijën si shok apo shoqe në mënyrë që këto biseda të mos jenë më tabu në familje.

Biseda të tilla në familjen nuk duhet të jenë sporadike por duhet të jenë periodike në mënyrë që fëmijët të fitojnë një edukim të vazhdueshëm në lidhje më marrëdhëniet seksuale. Adoleshentët sidomos vajzat mund të bien pre e djemve të cilët rrinë rrugëve apo edhe kontigjente të tjerë meshkujsh. Kjo moshë kërkon shumë kujdes pasi fillojnë dhe mashtrohen shumë lehët nga më të rriturit.

Sa i takon studimit të Institutit të Shëndetit Publik që 30% e 13-vjeçarëve kryejnë marrëdhënie seksuale mendoj se kjo ka lidhje pikërisht me realitetin. Edhe në shkollën tonë janë kryer pyetësorë të tillë rreth këtij fenomeni. Ndërkohë ajo çka dua të ritheksoj është se edukimi seksual nuk duhet të jetë temë që duhet të flitet vetëm në shkollë por në familje, shoqëri dhe kudo sepse shkolla nuk është i vetmi institucion që adoleshentët edukohen.

*Drejtor i shkollës 9-të vjeçare Ahmet Gashi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›