Teposhta amerikane
Nga Thomas Friedman
(Nju Jork Tajms)
A ka nevojë Amerika për një Pranverë Arabe? Kjo ishte pyetja që më shkoi ndërmend kur kujtova Francis Fukuyaman, profesorin e Stanfordit dhe autor i “Fundit të historisë dhe njeriut të fundit”. Fukuyama ishte duke punuar në një opus prej dy vëllimesh të quajtur “Origjina e rendit politik”, dhe nga shkrimet e tij të fundit krijova përshtypjen se hulumtimi i tij po shkonte drejt pyetjes radikale për rendin politik të Amerikës së sotme, me theks të veçantë: a po shkon Amerika prej një demokracie drejt një “vetokracie” – prej një sistemi të dizajnuar për të frenuar çdo kë në qeveri nga të marrë shumë pushtet drejt një sistemi ku askush nuk ka pushtet të mjaftueshëm për të marrë vendime të rëndësishme? “Ka krizë autoriteti, dhe ne nuk jemi të përgatitur të mendojmë për të në këto kushte”, ka thënë Fukuyama. “Kur amerikanët mendojnë për problemin e Qeverisë, gjithnjë ka të bëjë me frenimin e Qeverisë dhe të kufizimit të fushëveprimit të saj”. Kjo na kthen prapa në kulturën tonë themeluese politike. Sundimi i ligjit, rotacionet e rregullta demokratike në pushtet dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, ishin krijuar me qëllim që të krijoheshin pengesa për mbipushtet, me theks të veçantë karshi Qeverisë qendrore. “Por ne harrojmë”, ka shtuar Fukuyama, “se Qeveria gjithashtu ishte krijuar për të vepruar dhe marrë vendime”.
Kjo është humbur në nivelin federal. Një sistem i drejtuar me aq shumë llogaridhënie dhe baraspesha politike si i yni sugjeron - në fakt kërkon një nivel të caktuar minimal të bashkëpunimit në çështje të mëdha ndërmjet dy partive, që ishte një forcë e madhe pushteti, në raportin për kompromis ndërmjet dy partive, dhe shumë faktorë po kombinohen për ta paralizuar në tërësi sistemin tonë. Për fillestarët kemi shtuar edhe më shumë llogaridhënie dhe baraspesha politike për ta bërë më të zorshëm vendimmarrjen - si në rastin e tanishëm, kur senatorët kanë të drejtën e bllokimit të çdo emërimi nga degët kryesore ekzekutive, duke kërkuar kështu një mbështetje prej një shumice me gjashtëdhjetë vota, sesa një shumicë të thjeshtë prej 51 votash. Gjithashtu sistemi ynë politik është bërë me helm më shumë se kurrë më parë. Më së miri e shpjegon këtë Russ Feingold, ish-senator demokrat, i cili njëherë më pati thënë: “Në shkallën që polarizimi po merr hov, partizanët shumë shpejt do të kërkojnë që produktet e konsumit t’i reflektojnë politikat e tyre: Do të kemi pasta dhëmbësh demokrate dhe republikane”. Shtuar këtu, interneti, blogosfera dhe anketimet e shpeshta të punës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit e kanë bërë çdo ligjvënës më transparent se kurrë më parë – duke i bërë më pak të mundshme marrëveshjet në dhomën e pasme. Dhe në fund, zgjerimi i madh i Qeverisë qendrore, dhe rritja e rëndësisë së parasë në politikë, kanë rritur me të madhe numrin e lobeve të interesave të veçanta dhe aftësinë e tyre për të ndikuar në pjesëmarrjen në vendime.
Në të vërtetë, Amerika sot me të madhe duket si një shoqëri për të cilën shkencëtari politik, Mancur Olson, shkruante në vitin 1982 në “Rritja dhe rënia e shteteve”. Ai theksonte se kur një shtet lejonte shumë lobe të fokusuara në interesa të veçanta, ato mund ta asfiksojnë jetën e sistemit politik, derisa shumica njëmend nuk mobilizohet kundër tyre. Thënë ndryshe, thekson Fukuyama, koleksioni i Amerikës i grupeve minoritare të interesave të veçanta është më i madh, më i mobilizuar dhe më i pasur se më herët, në kohën kur të gjithë mekanizmat për të forcuar vullnetin e shumicës janë më të dobëta se kurrë më parë. Efekti i kësaj paralize legjislative ndërron qasjen e shumë çështjeve publike. Në raste të tilla nuk ka një kundërpërgjigje të duhur. Kjo është “vetokracia”. Kolumnisti i “Financial Times”, Ed Luce, autori i një libri të ri, “Time to Start Thinking: America in the Age of Descent”, thekson se në rast se besoni fantazinë se suksesi ekonomik i Amerikë buron ngase kishte një qeveri që nuk përzihej, atëherë jeni marrosur nga “vetokracia”. Por e kuptoni mirë historinë e Amerikës - pra e dini se Qeveria kishte luajtur një rol kryesor në gjenerimin e rritjes ekonomike duke mbajtur prioritet sundimin e ligjit, duke promovuar rregulla që nxitnin nisma të rrezikshme, por të suksesshme, duke edukuar forcën punëtore, duke ndërtuar infrastrukturë dhe duke themeluar fonde për kërkime shkencore - atëherë “vetokracia” bëhet një gjë fort e rrezikshme. Kjo nënvlerëson sekretin e suksesit tonë: një partneritet të baraspeshuar publiko-privat. “Nëse e kemi përnjëmend të dalim nga paraliza jonë e tanishme, jo vetëm që na duhet një lidership i fortë, ama edhe ndryshime në rregullat institucionale”, argumenton Fukuyama. Kjo do të përfshinte eliminimin e disa kompetencave të senatorëve për gjëra që nuk janë të rëndësishme për ligje të zakonshme, ku prin një grup i vogël senatorësh në një superkomitet – si ata që menaxhojnë mbylljet financiare të bazave ushtarake. Ato duhet të jenë thjesht nën menaxhim të Zyrës së Kongresit për buxhetin, ku nuk do të kishte presion të madh nga grupe të interesit dhe të kthehet e drejta e zakonshme e votimit të çështjeve.
E di çfarë po mendoni: “Kjo s’do të ndodhë kurrë”. Dhe a e dini ç’po mendoj unë? “Atëherë ne kurrë më nuk do të jemi një shtet madhështor, pavarësisht se kush do të zgjidhet”. Nuk mund të jemi madhështorë derisa të jemi më parë një “vetokraci” sesa një demokraci. Sistemi ynë i deformuar politik - me një Kongres që është bërë një forum për ryshfet të legalizuar - njëmend po na lë prapa.