Arabia Saudite i bën presion SHBA-së të heqe bllokadën në Ngushticën e Hormuzit

Arabia Saudite po i bën presion SHBA-së që të ndërpresë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit dhe të kthehet në bisedime me Iranin, raportoi sot “Wall Street Journal”, duke cituar zyrtarë rajonalë.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi bllokadë detare të Ngushticës së Hormuzit, e cila hyri në fuqi të hënën.
Bllokada erdhi pasi Washingtoni dhe Teherani nuk arritën marrëveshje në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, në fundjavë gjatë bisedimeve që ishin pjesë e përpjekjeve më të gjera për t’i dhënë fund ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit që ka vrarë më shumë se 1.400 njerëz që nga 28 shkurti. Bisedimet pasuan një armëpushim dyjavor.
Arabia Saudite ka frikë se bllokada e Trumpit mund ta çojë Iranin në përshkallëzim dhe të prishë rrugë të tjera të rëndësishme të transportit detar. Irani mund të hakmerret duke mbyllur Bab al-Mandebin, një pikë bllokimi në Detin e Kuq, thelbësore për eksportet e mbetura të naftës së Mbretërisë, theksohet më tej.
“Shtetet e Gjirit nuk duan që lufta të përfundojë me Iranin në kontroll të Ngushticës së Hormuzit, shpëtimit të tyre ekonomik. Por, disa, përfshirë Arabinë Saudite, po i bëjnë presion SHBA-së që ta zgjidhë çështjen në tryezën e negociatave dhe po përpiqen të rifillojnë bisedimet”, shtoi raporti.
Në lajm thuhet se pavarësisht “vijës së ashpër publike” nga të dyja palët, SHBA-ja dhe Irani “po angazhohen në mënyrë aktive me ndërmjetës dhe janë të hapur për bisedime nëse secila tregon fleksibilitet të mjaftueshëm”.