E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arabia dhe Pakistani në aleancë mbrojtjeje, pakti i ri i trajton sulmet ndaj njërës palë si sulm ndaj të dyja vendeve

Arabia Saudite dhe Pakistani kanë nënshkruar një marrëveshje të re mbrojtjeje që e trajton çdo sulm ndaj njërës palë si sulm ndaj të dyve. Ky pakt vjen pas një sulmi izraelit ndaj Katarit në fillim të muajit dhe shihet si sinjal i qartë për Izraelin.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të hershme dhe të ngushta, ndërsa Arabia Saudite raportohet se ka ndihmuar financiarisht programin bërthamor të Pakistanit.

Sipas analistëve, mbretëria mund të jetë përfshirë prej vitesh nën mbrojtjen bërthamore të Islamabadit, sidomos përballë rritjes së tensioneve me Iranin.

Marrëveshja u nënshkrua nga princi saudit Mohammed bin Salman dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif.

Në deklaratën zyrtare thuhet se çdo agresion ndaj njërës palë do të konsiderohet si agresion ndaj të dyja vendeve. Pavarësisht kësaj, nuk përmendet hapur përdorimi i armëve bërthamore.

As Izraeli dhe as Shtetet e Bashkuara nuk e kanë komentuar ende publikisht këtë zhvillim. Arabia Saudite ka pritur trupa pakistaneze që në vitet ‘60 dhe lidhjet ushtarake u forcuan pas revolucionit iranian të vitit 1979. Pakistani zotëron armë bërthamore dhe ka një histori konfliktuale me Indinë, e cila gjithashtu ka arsenalin e saj atomik.

Dy vendet kanë qenë disa herë në prag lufte, përfshirë pas një sulmi në Kashmir këtë prill. India ka reaguar ndaj paktit dhe thotë se do të analizojë ndikimin që ai mund të ketë për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›