Libohovë, rezervimet për pushime vazhdojnë edhe për muajt e ardhshëm

Libohova është tashmë ndër destinacionet më të preferuara për vizitorët që zgjedhin jugun e vendit. Ky qytet me histori, kulturë dhe natyrë të mrekullueshme ka tërhequr këtë vit një numër të madh turistësh, duke e kthyer në një pikë të rëndësishme të hartës turistike shqiptare.
Gjatë këtij sezoni, turizmi në Libohovë ka qenë në nivele të kënaqshme, pohojnë administratorët e disa prej bujtinave në qytet.
“Sezoni që kaluam ishte disi i mirë, i kënaqshëm, pa diskutim më i mirë se vitin e kaluar. Ne jemi si biznes i ri dhe jemi duke e shtuar klientelën tonë, por dolëm të kënaqur” shprehet administratori.
“Sivjet ka qenë diçka më ndryshe, kemi pasur pak më shumë prurje. Turistët kanë qenë nga Gjermania Franca, kryesisht nga Europa”, shprehet administratorja.
Sipas tyre rezervimet vazhdojnë edhe për muajt në vijim. Kjo tregon se interesi për Libohovën nuk kufizohet vetëm në kulmin e sezonit veror, por po zgjatet edhe në periudhën e vjeshtës, duke e konsoliduar qytetin si një destinacion turistik të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.
“Kemi pasur rezervime, çuditërisht në dimër kemi më shumë rezervime se në verë”. “Kemi vizitorë kalorësit, vijnë deri në fund të vjeshtës në bujtinë tonë”, shprehen ata.
Interesi i vazhdueshëm i vizitorëve dhe rezervimet për muajt në vijim tregojnë se Libohova po konsolidohet si një destinacion turistik i qëndrueshëm, që ofron përvoja unike dhe mbetet një pikë e rëndësishme në hartën turistike të jugut të vendit.
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/