E Enjte, 5 Nëntor 2026

Arbana: Asfaltim akseve rurale në Shijak, nxisim zhvillimin e agroturizmit

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana ka treguar mbi investimet e reja që po bëhen dhe janë prioritet për infrastrukturën rrugore të Shijakut.

Ai thekson se bashkia planifikon asfaltimin e disa akseve rrugore në gjithë zonën e Shijakut.

“Do të fillojë asfaltimi i “Katër Rrugëve” Shijak, akseve rrugore që lidhin fshatrat Bilalas, dhe Karreç”, informoi ai.

Ndërkohë kanë filluar punimet në njësinë administrative Gjepalaj, në fshatin Hardhishtë, në lagjen e Rramillve dhe Grecëve.

Pritet që shumë shpejt të nisin punimet edhe për asfaltimin e rrugëve në lagjen Terzie, fshatrat Eminas, Çizmeli, Likesh, Shahinaj, Kënetë.

Njëkohësisht, bëri të ditur Arbana, kanë filluar punimet për asfaltimin e akseve rrugore në njësinë administrative Xhafzotaj, si dhe te lagja e Hoxhëve.

“Do të kemi një infrastrukturë rrugore të re, sidomos për disa akse, ku nuk është ndërhyrë për 30 vite. Me sistemimin e rrugëve të fshatrave ne nxisim potencialin që ato kanë për zhvillimin e agroturizmit”, u shpreh Arbana.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›