Arbana: Zhvillimi rural dhe infrastruktura rrugore, prioritete të bashkisë Shijak

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Investimet në infrastrukturën rrugore, zhvillimi i zonave rurale, përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, planifikimi i territorit dhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë janë disa nga prioritetet e bashkisë Shijak.
Në një intervistë, kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, tha se infrastruktura rrugore, veçanërisht në zonat rurale, mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit.
Arbana informoi se ka nisur puna për rrugën e Metallës së Re në Njësinë Administrative Maminas, një kërkesë e banorëve të zonës që tashmë po bëhet realitet me mbështetjen e Qeverisë.
“Por puna nuk ndalet këtu. Në vijim parashikohen ndërhyrje në Bilalas, në lagjet e Aruçve dhe Shonve, në rrugën “Liman Bajrami” në Karpën, në qendrën e Maminasit, si edhe asfaltimi i rrugëve në Rreth, Vllazërim dhe Sallmone. Në listën e ndërhyrjeve janë edhe rrugët “Mustafa Bulku”, “Dalip Domi”, rruga Likesh–Shahinaj dhe asfaltimi i fshatit Rreth.
Ne synojmë që zëri i banorëve të mos mbetet vetëm një kërkesë, por të kthehet në investim konkret”, shtoi ai.
Sipas Arbanës, zhvillimi i Shijakut në këto vite është dëshmi e vlerës së partneritetit mes pushtetit vendor dhe atij qendror.
Lidhur me sfidat që dalin në territor, Arbana u ndal te çështja e pastrimit, ndërsa theksoi se pastërtia nuk është vetëm detyrë e bashkisë, por është përgjegjësi e përbashkët.
Po ashtu Arbana bëri të ditur se në kuadër të hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor është zhvilluar dëgjesa e parë publike për Vlerësimin Strategjik Mjedisor. Qëllimi, sipas tij, është të ndërtohet një vizion të qëndrueshëm për zhvillimin dhe organizimin e territorit, në përputhje me nevojat e komunitetit dhe perspektivën e zhvillimit të Shijakut.
“Çdo kërkesë që vjen nga një familje, një i ri, një sipërmarrës apo një komunitet duhet të vlerësohet dhe të kuptohet. Jo çdo kërkesë mund të zgjidhet menjëherë, por çdo kërkesë duhet të dëgjohet me seriozitet dhe empati. Aty ku kemi mundësi dhe burime, synojmë ta kthejmë në ndërhyrje konkrete”, tha Arbana.
Kryebashkiaku i Shijakut u ndal edhe te mundësitë që ofrohen për punësimin e të rinjve, ndërsa veçoi se një mundësi konkrete ka qenë Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, për të rinjtë 21–29 vjeç që kanë përfunduar studimet Bachelor ose Master.
Sipas tij, “përmes këtij programi ofrohet një praktikë tremujore pranë institucionit, program trajnimi nga ASPA, mundësi punësimi me kontratë njëvjeçare sipas legjislacionit në fuqi dhe kompensim financiar në formën e trajtimit ushqimor”.
I pyetur mbi vizionin e tij për zhvillimin e Shijakut, Arbana u shpreh se do një Shijak më modern, më të zhvilluar, më të pastër dhe më pranë qytetarëve.
“Një Shijak ku investimet në infrastrukturë shoqërohen me shërbime cilësore, ku të rinjtë kanë më shumë mundësi, ku diaspora ndihet pjesë e zhvillimit dhe ku qytetarët kanë hapësirë për të shprehur zërin e tyre. Kemi ende shumë punë për të bërë dhe nuk duhet të mjaftohemi me atë që është arritur. Gjithmonë duhet të kërkojmë hapin tjetër”, shtoi ai. /j.p/