E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arbanasi, një Shqipëri bullgare

 

Vijon nga dje

Ja dhe oda ajo e dimrit, me minder të gjerë, mbuluar me qilim me shirita kuq e zi e sipër jastëkëve të minderit me dantella, me dollape të futura në mur, me kanata druri. Me tavan druri, sikundër është edhe tavani i dhomës së verës, me zbukurimore në tavan, njëra më e bukur se tjetra… Kanadezët vazhdojnë të shijojnë etnografinë, unë dal poshtë në oborr të shijoj frymën e këtij qoshku madhështor të Arbanasit të sotëm e të shek. XVII të tij. Brenda m’u duk një frymë tjetër, frymë historie, si ngjeshje aromatike e erërave të shekujve, disi e errët me ngjyrat kuq e zi të mindereve, qilimave, si dhe ngjyrë kafe të punimeve prej druri, me një farë mungese drite, edhe pse llampa me gaz, për të cilën ciceronia thotë se është e shek. XIX, është aty. Jashtë, poshtë në oborr, ndjej një frymë tjetër aroma e erërave të shekujve këtu njomet me blerimin e barit e të pemëve e me lulet e frytet e tyre, të cilat janë vetëm të kësaj stine. Këtu, në oborr, histori e vetme më duket pusi, i mbuluar edhe ky me një konstruksion druri me pullaz me tjegulla të kuqe e me një çikrik po prej druri, për të nxjerrë ujin me kovën historike po prej druri. Edhe faqet e pusit prej druri janë dhe, rreth 1 m. mbi dhe, në to është mbështetur një rrotë druri. Nuk ka rëndësi në është e shekullit tonë apo e shekujve të kaluar. Është rrotë arabaje a sharabajke, sikundër i thonë në Shkodër. M’u kujtua një fjalë e urtë bullgare, që dikur e kisha kënduar diku në një libër dhe kishte arsye të mbahej mend. “Do të presim karrocën e Muços”, thoshte fjala e urtë. Muço, sikundër thashë, ishte emër shqiptar, ndër emrat e tjerë të ktitorëve në mbishkrimet e kishave (Muçot, Skutara, Smuçot etj.), dokument i prejardhjes shqiptare. Si ishte kjo punë e “karrocës së Muços”? Legjenda thotë se, përvit, për Krishtlindje e Pashkë, tregtari i pasur me mbiemrin Muço dërgonte disa arka me pëlhura, rroba e këpucë, për t’ua shpërndarë fukarenjve. Legjenda gjithashtu thotë se paria e arbanasllinjve, në këso raste festash, shtronin tryeza të mbushura plot e përplot në oborret e bollshme të shtëpive e brenda në odat e tyre jo vetëm për fukarenjtë, por për të gjithë ata që dëshironin, e për këtë nxirrnin tellallin. Kurse për këngët, që këndoheshin në këto festa nga popullsia e Arbanasit, studiuesit thonë se figuracioni dhe poetika e tyre dëshmon për një kulturë të ardhurish “simbiozë unikale ndërmjet elementesh folklorike prejardhjesh të ndryshme.” Ndoshta edhe këtu, në truallin, ku ndodhet kjo Shtëpi e Konstancalievës (Konstancalieva Kështa), kanë qenë shtruar tryeza plot e përplot… Dikur…

Kulturë religjioze e pasur, shije estetike e hollë

Nga shetitja e parë “për të kapur” tërësinë e Arbanasit, frymën e tij të përgjithshme, ndjeva se pa “aromën” e kompleksit unikal të objekteve të kultit, përjetimi i frymës arbanasiane do të ishte i mangët. Për këtë arsye, sa herë shkoj në Arbanas, doemos do të vizitoj për të satën herë kishat e manastiret. Më shpesh kam qenë në kishën e “Lindjes së Krishtit”. Kurse sot, në këtë ditë vere, po shkoj për herë të parë, bashkë me disa kolegë të tjerë të huaj, në kishën “Kryeengjëjt Mihail e Gabriel”. Kësaj radhe na shoqëron Valentina, pedagogia e kujdesshme e gojëëmbël e Universitetit të Tërnovos, shumë e dhënë pas këtij qyteti, edhe pse vetë është nga një qytet i veriperëndimit të Bullgarisë. Baresim rrugëve e rrugicave të zakonshme të Arbanasit me kthesa e “qendra” të vogla rrezatuese, me kalldrëm e bar, ose pa kalldrëm fare, me avlli prej guri të skalitur, mjaft prej të cilave të rikonstruktuara, por gjithmonë në stilin tradicional të harmonizimit të gurit, drurit, tjegullës së kuqe tradicionale. Shtoi këtyre edhe gjelbërimin e kopshtijeve e të oborreve, dhe “fryma” ndjehet e plotë. Kisha ndodhet në një truall të lartë sipër sheshit kryesor të Arbanasit. Para se të hyjmë në “territorin” e saj, më tërheq vëmendjen një shtëpi karakteristike, e rinovuar nga jashtë, me një portë të madhe të mbyllur shtëpi e heshtur. Më vjen në ndihmë Valentina.

Kjo është shtëpi pritjeje për delegacione universitare e shkencore, si punë bujtine. Edhe kjo është me dhoma karakteristike, me mindere e pajisje tradicionale. Ndodhet mes një kopshti të madh. Nuk është objekt turistik. Aty hyhet vetëm me lejen e rektorit.

Shihet qartë se Shtëpia e Pritjes është e mirëmbajtur.

Lemë prapa sfondin e saj me pullazet e kuq e me oxhakun goxha të madh dhe ia behim në hyrjen e kishës së Kryeengjëjve Mihail e Gabriel. Është ora 11.30, por dielli i verës nuk ndjehet fort në këtë oborr plot hije pemësh. Te hyrja e kishës, katër burra, më këmbë, ngjitur me njëri-tjetrin si me qenë në skenë, po këndojnë himne fetare. Të katërt janë me raso të zeza, të përshkuara nga vija të kuqe që krijojnë kryqin. Presim të mbarojnë himnin e radhës për të hyrë në kishë. Më bëjnë përshtypje zërat e tyre dhe të kënduarit si kuartet, të harmonizuar me njëri-tjetrin. Dhe, me të drejtë.

Si mbarojnë “programin”, që ne të hyjmë brenda, gjej rastin dhe ndalem me ta. I pyes për këngët. Marr vesh se janë këngëtarë, artistë, nuk janë klerikë. Kostumin kuq e zi (rason) e kemi për arsye artistike, më thonë njëri pas tjetrit. Këndej rrotull këto veshje nuk keni për t’i hasur gjëkundi. Duam të jemi origjinalë.

E cili artist nuk dëshiron të jetë origjinal në pamje e në interpretim? Këta katër burra të shëndetshëm e simpatikë vijnë këtu nga Veliko Tërnovo, doemos në pajtim me ndonjë program turistik. Origjinalë e të harmonishëm më duken kryesisht zërat e tyre. Në pajtim të plotë me “frymën” e mjedisit, në të cilin është në harmoni natyra e blertë, e njomë edhe pse është zheg vere, e larmishme në ngjyra e ngjyrime, në drurë, pemë e lule, tokësore plotësisht, me muret e kësaj kishe e sidomos me brendësinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›