E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Frroku, ekzekutori i Dritan Lamajt

Sokol Çobo

Prokuroria siguron fije floku dhe gjurmë gishti. Biznesmeni, edhe ideatori i ekzekutimit të kryekomisarit

Sokol Çobo

plumba makines se Dritan Lamaj atentatBiznesmeni Arben Frroku dyshohet se është një nga ekzekutorët e kryekomisar Dritan Lamajt. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka siguruar prova shkencore që vërtetojnë se Frroku ka qenë në automjetin tip BMW pasditen e 24 shkurtit të këtij viti, nga e cila u lëshuan 22 plumba në drejtim të Lamajt, 11 prej të cilëve e prekën, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Grupi hetimor ka siguruar gjurmë gishtash dhe fije floku në automjetin e sekuestruar në fshatin Domje, ndërsa ekspertizat e mëvonshme do të zbardhin detajet e reja nga këto fakte. Kemi dyshime se Frroku është ideatori, organizatori dhe ekzekutori i kryekomisar Dritan Lamajt. Deri më tani kemi siguruar organizimin dhe ideimin, ndërsa së fundmi janë siguruar prova shkencore që vërtetojnë se Frroku ka qenë në automjetin BMW, nga e cila u lëshua breshëri plumbash ndaj Lamajt. Madje, një kamerë ka fiksuar pamjet e automjetit, ku duken se janë tre persona, njëri prej të cilëve dyshohet se është pikërisht Arben Frroku. Pas sekuestrimit të automjetit, është kontrolluar me detaje për ndonjë provë të mundshme. Janë gjetur fije floku dhe gjurmë gishtash. Tashmë do të bëhet krahasimi në laboratorin shkencor të Ministrisë së Brendshme dhe brenda pak ditëve do të dalë përgjigjja e dytë, thanë burimet nga prokuroria.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka marrë në dorë hetimet, pohon se dy nga ekzekutorët e Dritan Lamajt kanë qenë të maskuar dhe i treti, shoferi, ka qenë pa maskë, i veshur me të zeza. Një kamerë sigurie ka filmuar pak sekonda para ngjarjes së të dyshuarit në automjetin tip BMW, teksa i drejtoheshin me shpejtësi vendit ku po qëndronte kryekomisari, për të lëshuar ndaj tij breshëri kallashnikovi.

11 plumba kanë prekur trupin e Lamajt, teksa mjekoligjorët kanë përcaktuar se ka pasur 22 plagë, hyrëse dhe dalëse, ndërsa i janë evidentuar edhe disa gërvishtje në fytyrë, që i janë shkaktuar në momentin që ka dalë nga automjeti, pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat pohojnë se hetimet janë fokusuar kryesisht te personat që kanë qenë në automjet, pasi ata janë edhe çelësi i kësaj çështjeje.

Ka pasur dyshime se Arben Frroku ka qenë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetuesit po përqendrohen te tabulatet telefonike, po ashtu edhe të antenave të telefonisë së lëvizshme, pasi në këtë mënyrë përcaktohet vendndodhja e biznesmenit në momentin që ka ndodhur vrasja. I akuzuari ka ngritur një alibi, ndërsa familjarët e tij janë vënë në lëvizje për të marrë dëshmi dhe prova në vendin e ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur vetëm 4 gëzhoja, ndërsa 5 të tjera janë gjetur te këmbët e sediljes së shoferit të makinës, e cila është përdorur për vrasjen e 24 shkurtit. Pas vrasjes, autorët, të cilët kanë qenë tre, kanë udhëtuar drejt fshatit Domje, ku e kanë braktisur dhe janë larguar, ndoshta në drejtim të Greqisë, pohojnë burimet nga prokuroria. Megjithatë, hetuesit kanë zbuluar edhe një fakt aspak të favorshëm, teksa zjarrfikësit që kanë shkuar për të shuar zjarrin në automjet kanë prishur disa nga provat, por jo disa qime floku.

Deri më tani, grupi hetimor i Krimeve të Rënda ka mbledhur prova për vendin e ngjarjes. Sipas tyre, ka dyshime të forta se i arrestuari në Selanik është organizatori, nisur edhe nga një mesazh telefonik që i është dërguar një të afërmi. Një nga çelësat e kësaj çështjeje, që mund të zbardhte të gjithë bashkëpunëtorët e ngjarjes, konsiderohet grabitësi i automjetit, i cili ka vepruar në Durrës, por dyshohet se mund të jetë edhe personi që ka qenë në timon kur ndodhi edhe vrasja. Ndërkohë, armët e sekuestruara në banesat e të afërmve të Arben Frrokut nuk rezultojnë të jenë të njëjta me ato që janë përdorur në vendin e ngjarjes ku u vra kryekomisar Dritan Lamaj.

Avokati

Prendi: Nuk ka asnjë provë shkencore që implikon Frrokun

Tonin Prendi, avokati i Arben Frrokut, thotë se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka asnjë provë ndaj klientit të tij. Ai thotë se nuk ka asnjë provë shkencore. Madje ironizon hetuesit, duke pohuar se: Smund të thuhet ka prova dhe do u nënshtrohen analizave. Prendi shton se përderisa pritet që provat tu nënshtrohen analizave, nuk janë prova. Pasi tu bëhen analizat shkencore, quhen prova shkencore, thotë ai. Fakti që po bëhen hetime, sipas avokatit, nënkupton mbledhjen e provave.

Arben Frroku, ekzekutori i Dritan Lamajt burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›