Arben Imami, skandal me tenderin e uniformave
Një ndër tenderët më të dyshimtë që ka çelur Ministria e Mbrojtjes, drejtuar nga Arben Imami, është ai për blerjen e uniformave që duhet të veshë ushtria shqiptare edhe për 100-vjetorin e Pavarësisë. Tenderi jo vetëm ka dështuar 2 herë brenda muajit, por është i mbuluar nga hije skandali që në nisje, raporton Vizion Plus.
Në këtë dokument shpallet njoftimi i kontratës nga Ministria e Mbrojtjes. Tek objekti i prokurimit shënohet blerje e uniformave ushtarake, me fond limit mbi 1.4 miliard lekë, pa llogaritur TVSH, ose në total mbi 1.7 miliard lekë. Data e zhvillimit të tenderit ishte parashikuar 28 qershori 2012, në orën 10:00.
Shkelja e parë e parë në këtë procedurë është afati i lëvrimit të mallit, çka nënkupton edhe zgjatjen e afatit të kontratës. Ai është 7 vjet, shtrirë në vitet 2012 deri në 2018.
Por a lejon ligji këtë procedurë? Në 10 janar 2007 qeveria ka miratuar një vendim për rregullat e prokurimit publik që mban firmën e kryeministrit Berisha. Tek kushtet e përgjithshme për zbatim të këtij vendimi saktësohet edhe kohëzgjatja e kontratës që prokurohet. Në pikën 3 të vendimit thuhet shprehimisht se autoriteti prokuron dhe financon kontratat për një periudhë deri në mbylljen e vitit. Kjo është e detyrueshme edhe për shkak se buxheti është vjetor e jo disa vjeçar.
Por edhe nëse autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes, nuk e kanë marrë parasysh këtë pike, por i janë referuar shkronjës b, pra rrethanave të veçanta, sërish kohëzgjatja e këtyre kontratave nuk duhet të kalojë 3 vjet.
Në tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes, që ka dështuar deri tani 2 herë, kontrata parashikohet 7-vjeçare. Argumentet shtesë të Ministrisë, në tentativën për të motivuar kohëzgjatjen e kontratës, i referohen vendimit pasardhës të qeverisë, datë 8 prill 2008.
Në ndryshimet që i janë bërë vendimit janë shtuar mundësitë për të zgjatur kontratën vetëm për mirëmbajtje kompjuterike dhe shërbimi të ndërlidhjes. Por tenderi i Ministrisë së Mbrojtjes është vetëm për blerje uniformash.
Megjithatë, edhe në ndryshimet që i janë bërë vendimit, kohëzgjatja është deri në 4 vjet, e jo 7. Kjo dëshmon përpjekjet e Ministrit Imami për tia dhënë tenderin gati 2 miliard lekë të reja, jo vetëm një firme preferenciale, por edhe për një kohë të gjatë, që bie ndesh me ligjet e miratuara nga qeveria ku ai është pjesë.