E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë: Hetim lirimit të Hoxhës

Eduard Halimi

TIRANE Rasti i Aldo Hoxhës, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Fatbardha Tafës tek ish-Fusha e Aviacionit në Tiranë, vë në lëvizje Ministrinë e Drejtësisë. Dje, Ministria urdhëroi inspektimin e menjëhershëm të dosjes së mëparshme të 20- vjeçarit të dyshuar, i cili ka pasur disa precedentë penalë të mëparshëm dhe është liruar me tolerime nga gjykatat. Inspektorët e Ministrisë do të zbarkojnë në gjykatë, prokurori dhe burgje për të kaluar në sitë të gjithë dosjen e Hoxhës, ish-i dënuar për akuzat e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të prishjes së qetësisë publike. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë, pas ndalimit të një shtetasi që dyshohet se ka vrarë një shtetase para pak ditësh në Tiranë gjatë një grabitjeje dhe pasi u njoh me faktin se ky shtetas është liruar para një viti nga gjykata, ka urdhëruar inspektimin e menjëhershëm të të gjithë dosjes së këtij ish-të dënuari, thuhej në njoftimin për shtyp të dikasterit të Drejtësisë. Sipas burimeve, mësohet se kontrolli do të përfshijë veprimtarinë e gjykatave, prokurorive dhe institucione e të ekzekutimit të dënimit. Të gjitha rezultatet e inspektimit do ti bëhen të ditura opinionit publik brenda muajit shtator 2012. Në njoftimin zyrtar, Ministria e Drejtësisë theksonte shqetësimin e saj për politikën e dobët penale që ndiqet nga organet e Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë, në mënyrë të përsëritur ka shprehur shqetësimin e saj për politikën e dobët penale që ndiqet nga ana e organeve të Drejtësisë, si një tregues i mungesës së përgjegjshmërisë dhe sundimit të ligjit, thuhej në njoftim. Njëkohësisht, Ministria e Drejtësisë fton të gjithë qytetarët që të paraqesin para saj çdo rast të devijimit të drejtësisë apo politikes penale nëpërmjet ankimeve online në portalin: www.justice.gov.al si dhe www.gjykata.gov.al, duke i garantuar ata se çdo ankim i tyre do të monitorohet me vëmendjen maksimale. ar.ba

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›