Mesazh vëllazëror nga Azerbajxhani dhe një paralajmërim për një vizitë të ministrit të Jashtëm
Këto ditë për shkak të lajmit për sekuestrimin e pasurive të Rezart Taçit, interesi për Azerbajxhanin është shtuar ndjeshëm. Për shkak të një borxhi gjigand prej 75 milion eurosh, shteti autokratik duket se ka futur mirë duart në pasuritë e shqiptarëve.
Rahman Mustafaye, ambasador i Azerbajxhanit në Greqi, por që mbulon edhe Shqipërinë, ka folur për Tirana Times.
Intervista është publikuar edhe në faqen e internetit të ambasadës në Greqi.
Ambasadori është pyetur kryesisht për çështjen e gazsjellësit TransAdriatik dhe rivalin Nabucco West. Ai thotë se ata janë të barabartë në garë dhe vetëm në vitin 2013 do merret vendimi se nga do kalojë gazi i fushës së Shah Denizit.
Ai thotë se Shqipëria, Italia e Greqia duhet të përmbushin kushtet për të marrë gazin përmes gazsjellësit TAP.
Ambasadori thotë se Shqipëria është një partner i ri, por shumë i rëndësishëm për Azerbajxhanin jo vetëm për gazsjellësin dhe diplomacinë energjetike, por edhe sepse Azerbajxhani synon të shtrijë sferën e influencës në Ballkan.
Ai vlerëson shumë vizitën e Berishës në Azerbajxhan dhe paralajmëron se po përgatitet një vizitë e kryediplomatit azer në Shqipëri.
Ajo që bie në sy është se në fund të intervistës është vendosur një shënim për foton që shoqëron intervistën. Fotoja është e tempullit të Shën Eliz, në fshatin Kish në Kaukaz. Aty ndodhet një krahinë me emrin Albania. Ky tempull është edhe kisha më e vjetër në Kaukaz. Duket qenë se fshati ku ndodhet quhet Kish, pak a shumë si kishë, atëherë në shkrim thuhet se kjo konfirmon lidhjet historike e kulturore mes Albania-s së Kaukazit dhe Albania-s në Ballkan.
E pati thënë edhe Berisha kur ishte në Azerbajxhan.