E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Ristani: Arvizu ka informacion të paplotë

TIRANE - Kreu i KQZ-së Arben Ristani zbardh proce durat dhe afatet ligjore që kërkon përgjigjja e institucionit që ai drejton për çështjen e referendumit të importit të plehrave. Z.Ristani thotë në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” se KQZ-ja është brenda afateve të ligjit dhe ndërsa konstaton se gjatë dorëzimit të firmave nga grupi nismëtar ka pasur falsifikime të firmave. Titullari i institucionit më të lartë zgjedhor në vend shprehet se nuk është KQZ ajo që vendos për referendumin, por është Gjykata Kushtetuese ajo që jep vendimin përfundimtar. Ndërsa lidhur me deklaratën e ambasadorit Aleksandër Arvizu se KQZ-ja po pengon përgjigjen për referendum, Z.Ristani vlerëson bashkëpunimin me ambasadën e SHBA-së, por shpreh keqardhje pasi sipas tij nuk iu kërkua asnjë información për këtë çështje.
Z.Ristani, vetëm pak ditë më parë u ngrit një pretendim nga “Aleanca kundër importit të plehrave”, se është tejkaluar afati ligjor nga ana e KQZ, lidhur me procedurat për referendumin e iniciuar prej tyre dhe kjo është e qëllimshme. Si qëndron e vërteta lidhur me këtë pretendim?
KQZ, një nga shtyllat e veprimtarisë së tij ka pasur veprimtarinë konform ligjit dhe veprimtarinë transparente gjatë gjithë periudhës që unë kam drejtuar këtë institucion. Në rastin konkret grupi nismëtar për referendumin paraqiti kërkesën më datën 13 mars të këtij viti. Kërkesën sigurisht që do ta shoqëronte me një dokumentacion shumë voluminoz, i cili përmblidhte gjithsej 65 mijë firma të shtetasve shqiptarë bashkë me dokumentacionin përkatës. Për shkak të mënyrës transparente të veprimit dhe me kërkesë të grupit nismëtar, dokumentacioni nuk u mor në dorëzim në moment nga KQZ, pasi nuk ishte e mundur që të merrej brenda ditës. Grupit nismëtar iu krijua mundësia që dokumentacioni të futej në kuti votimi dhe të mbyllej me kode sigurie, kode të cilat i merrnin shënim përfaqësuesit e këtij grupimi nismëtar. Ata vetë paraqiteshin në KQZ dhe ditë pas dite, hapnin kutitë për të bërë të mundur marrjen nga protokolli i KQZ-së të gjithë dokumentacionin që ata kishin paraqitur. Dokumentacioni përfundoi së marri në dorëzim pas 17 ditësh nga momenti që u paraqit kërkesa. Kur u mor në dorëzim dhe dokumentacioni i fundit u hartua një proces verbal midis KQZ-së dhe grupit nismëtar. Data e procesverbalit është 30 marsi dhe që nga ai moment KQZ filloi punën për verifikimin e këtij dokumentacioni, çka do të thotë se data 30 mars, koha kur ne morëm në dorëzim përfundimisht dokumentacionin e paraqitur nga grupi nismëtar.
Cili është afati kohor i parashikuar në ligj?
Në bazë të ligjit kemi 3 muaj, 90 ditë afat për ta verifikuar këtë dokumentacion. Ndaj sot (dje), më datën 22 qershor, jemi tërësisht brenda afatit ligjor për të dhënë përgjigje për kërkesën e paraqitur. Megjithatë do të shtoja dhe një elementë tjetër, jemi në kushtet kur KQZ konstatoi që një pjesë e firmave ishin të falsifikuara.
Si u bë ky konstatim për falsifikim të firmave?
Sigurisht që konstatimi ynë ishte me sy të lirë. U detyruam që ti drejtoheshim për mendim të specializuar laboratorit të kriminalistikës dhe kemi përgjigjen që na konfirmon falsifikimin e një pjesë të firmave.
Dhe cili ishte hapi juaj më pas si KQZ?
Ne, sigurisht, vepruam duke marrë kampione nga firmat, pasi sikundër ju thashë ishin 65 mijë firma. Ne morëm kampionatura nga ato, i çuam për verifikim në laboratorin e kriminalistikës dhe ne na rezulton që janë të hedhura nga një dorë, para janë të falsifikuara. Në këto kushte KQZ do të mblidhet për ta shqyrtuar çështjen dhe për të dhënë një përgjigje. Por më vjen keq, pasi ndaj KQZ-së ka një keqkuptim mesa duket të një pjese të aktorëve dhe faktorë shqiptarë të jetës së vendit. Ka një keqkuptim për punën e tij, por jam i bindur se është një keqkuptim i padrejtë, sepse edhe rasti konkret pavarësisht tendencave për të na tërhequr në këtë keqkuptim, rezulton që jemi në të drejtën tonë dhe duke zbatuar ligjin. Mjafton të saktësoj këtu se dyshimi ynë i është përcjellë zyrtarisht që më 12 qershor laboratorit të kriminalistikës. Ndërsa, përgjigja që KQZ i dha grupit nismëtar që në ditën e djeshme, më dt. 21 qershor, erdhi pasi grupi nismëtar na kërkoi sqarime zyrtarisht vetëm dy ditë me herët, më datën 19 qershor.
Është keqkuptuar dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, apo ka të drejtë kur thotë se KQZ minoi besimin e publikut duke u bërë pengesë për referendumin e importit të plehrave?
Së pari do të vlerësoja bashkëpunimin shumë të mirë që KQZ ka pasur me ambasadorin amerikan, por dhe me ambasadorë të tjerë të akredituar në vendin tonë. Gjej rastin të përshëndes nismën e ambasadorit Arvizu dhe të ambasadës amerikane për të ndihmuar dhe përkrahur shoqërinë civile, sepse është e vërtetë që shoqëria civile ka ardhur duke u rrudhur në vitet që po jetojmë. Ndaj është për të punuar që të shmanget egoja që shfaqet herë pas here te shoqëria civile, goja e konfliktit politik. Më vjen keq që mesa duket edhe për shkak të një informacioni të paplotë është shtruar një pyetje nga ambasadori Arvizu në aktivitetin e zhvilluar: Pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vonon përgjigjen? Por siç u shpreha edhe më sipër nuk jemi duke vonuar përgjigjen, jemi tërësisht brenda afateve ligjore dhe në zbatim të plotë të ligjit dhe në të drejtën tonë në këtë çështje. Do të ishte e mira që sigurisht të merrej një informacion dhe nga KQZ përpara se të kishte prononcime për çështje të tilla. Por, jam i bindur se është thjesht një informacion jo i saktë, pasi ju thashë se kam shumë besim tek bashkëpunimi shumë i mirë që kemi pasur, si edhe tek intensionet shumë pozitive që Ambasada Amerikane ka shprehur dhe vazhdon të shprehë në raport me gjithë elementët e jetës në Shqipëri.
Atëherë cilat janë procedurat që vazhdojnë më pas lidhur me zhvillimin e referendumit dhe roli i KQZ-së në këtë proces?
Pas kësaj vendimmarrje që pritet të marrë KQZ, ne e përfundojmë punën tonë. Domethënë detyra jonë ishte që të përgatisim dokumentacionin, të verifikonim firmat dhe më pas kërkesa dhe përgjigjja jonë i përcillet Gjykatës Kushtetuese. Do të jetë kjo gjykatë ajo që do të vendosë nëse duhet mbajtur apo jo referendumi. Pra nuk është KQZ-ja ajo që vendos në këtë rast.
Prej muajsh partitë politike nuk po arrijnë dot të mbyllin reformën e re zgjedhore. Besoni se ka një mundësi reale për përmbushjen e saj pas shtyrjes së punës së komisionit parlamentar deri më 12 korrik?
Reformat në tërësinë e tyre, në veçanti reformat zgjedhore janë gjithmonë të mirëpritura. Unë besoj se në rast se mes palëve polítike ka besim, mirëkuptim dhe vullnet, reforma zgjedhore është tërësisht e mundshme për t’u kryer plotësisht. Kjo, pasi mendimet e ekspertëve janë dhënë, konsulencat qoftë me ekspertë të vendit, qoftë me të huaj nuk mungojnë. Përvojat më të mira ndërkombëtare sigurisht që nuk mungojnë. Besoj se çështja është e reduktuar thjesht tek vullneti dhe qëllimi i mirë për të realizuar një reformë të qenësishme. Gjykoj se janë të gjitha mundësitë që kjo reformë të përmbyllet gjithnjë nëse ka vullnet dhe qëllim të mirë nga palët.
Ka një konsensus, në pamje të parë, mes pozitës dhe opozitës për reformën zgjedhore dhe amendimet që i janë bërë Kodit. Besoni se një klimë e tillë do ta bëjë më të besueshëm procesin zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Besimi i palëve është elementi kryesor që në fakt u mungon zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri. KQZ, në të dyja zgjedhjet që unë e kam drejtuar këtë institucion, është përqendruar kryesisht tek rritja e klimës së besimit ndaj zgjedhjeve. Në funksion të kësaj kanë qenë dhe të gjithë elementët e transparencës së cituar që ne kemi aplikuar gjatë zgjedhjeve pikërisht për të krijuar frymën e besimit. Do të doja të përmendja këtu momentin kur ne organizuam zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, polítika shqiptare vinte me një frymë bashkëpunimi dhe konsensusi, frymë e cila u reflektua në menaxhimin e zgjedhjeve të atij viti. Ne i menaxhuam më me lehtësi se herët e tjera, pikërisht për shkak të frymës së konsensusit. Kam besim se nëse politika vjen me konsensus dhe me paqe në periudhën parazgjedhore, i gjithë menaxhimi i zgjedhjeve, qoftë nga KQZ që është institución i specializuar, por dhe gjitha organet e tjera që përfshihen në gjithë menaxhimin e zgjedhjeve e kanë më të lehtë për të bërë punën e tyre. Shpresoj shumë se do të vazhdojnë të kuptojnë se konsensusi mes tyre dhe fryma e paqes që duhet të dominojë tek polítika, përcillet shumëfish në organet shtetërore apo qoftë edhe tek zgjedhësit shqiptarë.
Çështja që konsumoi kohën më të madhe ishte përfshirja e teknologjisë në zgjedhje. Besoni se është kaq i vështirë numërimi elektronik në zgjedhjet e ardhshme?
Përsa i përket futjes së teknologjisë në procesin zgjedhor, do t’i referohesha thënies së një eksperti amerikan, i cili ishte i thirrur në tavolinën e organizuar nga bashkëkryetarët e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore. Ai tha: “Teknologjia nuk krijon besim, por kërkon besim”. Për ta zbërthyer këtë do të thosha se ne e kërkojmë teknologjinë pikërisht për krijuar besimin, por në fakt është e kundërta. Është teknologjia që kërkon besimin tonë përpara se ta përdorim atë. Besimi im personal, por në fakt edhe i ekspertëve ndërkombëtarë, është që të bëhej e mundur që teknologjia të përdorej në projekte pilot dhe të përdorej në të gjithë vendin. Ky mendim u amplifikua shumë edhe nga ekspertët ndërkombëtarë. Madje, edhe mendimi përfundimtar i ODHIR- ka qenë pikërisht ky, që teknologjia të përdorej gradualisht duke u testuar paraprakisht dhe më pas të përdoret në të gjithë vendin. Megjithatë, numërimi elektronik krijon vetëm shpejtësi në proces. E para rrit shpejtësinë dhe kjo do të thotë se në rast se ne numërojmë për disa dite, në rast se fusim elektronikën në numërim mund të reduktojmë numrin e ditëve në të cilat ne zhvillojmë numërimin. Masa kryesore e manipulimit në rast se ekziston, pasi unë jam dyshues në këtë pjesë, nëse ka apo jo manipulim në zgjedhje, por edhe nëse ekziston nuk është në procesin e numërimit, por është në proceset e tjera gjatë zgjedhjeve.
Pra kjo teknologji nuk shmang dyshimet apo pretendimet për manipulim?
Nuk besoj se paketa kryesore e manipulimit të mundshëm qëndron në procesin e numërimit.
Palët kanë ngecur tek mënyra e propozimit të anëtarëve të KQZ-së dhe procesit ankimor. Cili është opinioni juaj lidhur me këto dy çështje?
Përsa i përket përbërjes së KQZ-së, partitë politike kur kanë menduar të ndërtojnë administratën zgjedhore, kanë rënë dakord që komisionet e nivelit të parë dhe të dytë të jenë jo vetëm me propozime politike, por edhe me njerëz politikë. Kjo, sepse ata përdorin militantët e tyre në këto komisione, ndërsa përsa i përket KQZ-së, sigurisht që propozimet vijnë nga politika, por asnjëri nga anëtarët aktualë të këtij komisioni nuk ka pasur asnjë lidhje me politikën gjatë gjithë jetës së tyre. Kanë qenë të gjithë profesionistë dhe të pavarur, por propozimet kanë ardhur nga politika. Por këtu nuk mund të themi se meqenëse propozimet vijnë nga politika, institucioni është politik sepse ju e dini që politika propozon të gjitha institucionet e shtetit. Nga politika burojnë të gjitha institucionet e shtetit. Pra nuk është pikërisht propozimi ose nga vjen propozimi ajo që garanton pavarësinë e institucionit. Megjithatë, duke iu referuar përvojës së kaluar ku KQZ propozohej jo vetëm nga Parlamenti, por edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, apo dhe nga Presidenti. Mund ta kujtoni atë kohë ku politika pretendonte se KQZ vazhdonte të ishte politik pavarësisht nga mënyra mikse e propozimit dhe, madje, pretendohej për shifra 6 me 1 apo 5 me 2 në favor të njërit krah të politikës në raport me krahun tjetër në KQZ. Aktualisht kemi një KQZ tërësisht të balancuar ku le të themi që propozimet janë 4 me 3 në favor të mazhorancës. Por, gjithsesi ka një balancë mes anëtarëve sigurisht, por edhe mes kryetarit dhe nënkryetarit në raport me të drejtën e firmës së nënkryetarit, kundër firmës që i është lënë nënkryetarit për menaxhimet që kalojnë nga kryetari në KQZ.
Ka një propozim për të pasur një KQZ ku anëtarët të ndryshohen me rotacion. E mbështesni këtë propozim?
Propozimi për të pasur një rotacion në ndryshimin e anëtarëve të KQZ më duket një propozim me vlerë, sepse, së pari garanton atë që është më e rëndësishme memorien dhe përvojën e institucionit. Procesi i administrimit është shumë i vështirë dhe nuk mund të realizohet pa pasur parasysh përvojën dhe memorien e përcjellë nga anëtari i vjetër tek anëtari i ri në KQZ. Kështu që rotacioni besoj se është një element që do të ruajë memorien dhe përvojën e KQZ-së. E konsideroj si një element pozitiv, që mund të përfshihet në reformën zgjedhore.
Nëse palët nuk bien dakord për formulën e re të KQZ-së, ju do të vazhdoni të jeni sërish kryetar i KQZ-së, keni të drejtën e rikandidimit?
Mandati i gjithë anëtarëve të KQZ-së aktuale mbaron në shkurt të vitit 2013-të. Kjo do të thotë se, në bazë të ligjit, në fund të dhjetorit politika duhet të zgjedhë KQZ-në e re. Në bazë të ligjit kemi të drejtën e rikandidimit, por sigurisht që do të jetë në dorë të klasës politike në rast se do të mendojnë për të na rikandiduar, për të marrë një mandat të ri apo jo.
Nëse sërish ju propozon mazhoranca për një mandat tjetër në krye të KQZ-së, ju do të pranoni?
Unë i marr dhe bëj me pasion punët që përputhen me profesionin dhe ambiciet e mia, ndërkohë që në këtë institucion kam një përvojë prej 6 vitesh; dy vjet si anëtar i KQZ-së dhe 4 vjet si kryetar i institucionit. Sigurisht që puna më pëlqen dhe e bëj me dëshirë.
Dhe cila mbetet ambicia juaj, në rast se nuk vijoni punën si kreu konsensual i KQZ-së?
Sigurisht që ajo që unë do të pëlqeja të vazhdoja të bëja është që të thellohesha dhe të zhvillohesha në profesionin e juristit.
Flitet se ju jeni një nga kandidaturat më të mundshme për postin e kryeprokurorit të ri të Republikës në fund të nëntorit të këtij viti. Ka gjë të vërtetë në këtë rast?
Asgjë të vërtetë në këtë mes. Shqipëria ka një prokuror të përgjithshëm, që vazhdon punën normalisht, ndërsa unë vazhdoj të jem në postin e kryetarit të KQZ-së. Ndaj nuk kam asnjë dijeni për këtë që më pyesni. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›