E Diel, 1 Nëntor 2026

Ardian Hoxha: Shpresa Becaj gënjen, e ka zvarritur qëllimisht procesin ndaj Kumbaros

Share

Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas të zhdukur prej vitesh, Remzi Hoxha, i ka cilësuar gënjeshtra pretendimet e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj. Becaj ishte shprehur se procesi gjyqësor për Ilir Kumbaron, për të cilin akuzohet nga familja Hoxha për zvarritje, ka qenë prioritet i Gjykatës së Lartë. Por, për Ardian Hoxhën, pretendimet e Becajt janë të gënjeshtra. Më poshtë, reagimi i plotë i tij:

“Në emër të familjes sime, shpreh keqardhjen më të madhe për mënyrën se si është përgjigjur Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, në lidhje me vonesën që e kishin bërë në shpalljen zyrtare të vendimit të datës 14.10.2011, ku vendosën lënien në fuqi të vendimit Arrest me Burg për Ilir Kumbaron, të datës 05.01.2010 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, duke u munduar të justifikohej me arsyetime shumë banale.

Një fjalë popullore thotë: Rri shtrembër, e fol drejt. Së pari, është fakt se është vonuar shpallja zyrtare e vendimit të datës 14.10.2011. Ndoshta edhe është vepruar sipas ligjeve ne fuqi dhe Kushtetutës për të ardhur deri tek ai vendim, dhe jam i bindur se janë shfrytëzuar të gjitha vakumet ligjore, por të gjithë këtë do ta kuptojmë pas hetimit që do ti bëhet rastit në fjalë. Unë pres që Z. Topi do të nisë hetimin e gjithë kësaj ngjarjeje, sepse një arsyetim në letër nga kryetarja e Gjykatës së Lartë nuk do të thotë asgjë dhe nuk është arsye për mos-hetim të këtij procesi.

Një fakt tjetër është se si rezultat i kësaj vonese, Gjykata e Westminster në Londër e cila shqyrtonte rastin e ekstradimit të Ilir Kumbaros në Shqipëri e shtyu datën e gjykimit nga 1 nëntor, 2011, në 1 dhjetor, 2011, për shkak se ishte vonuar përgjigjja që ata prisnin, pra përgjigjja zyrtare se nëse Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kishin marrë vendim ose jo, që Ilir Kumbaro të jetë i arrestuar me burg, gjë që menjëherë hapte rrugën e ekstradimit të tij në Shqipëri.

Fakti i tretë është se Ilir Kumbaro është arratisur dhe nuk është shfaqur në gjykim. Ai tani është në kërkim nga Scotland Yard, por edhe nga Interpol dhe organet tjera të ngjashme. Dhe, duke e pasur çdo informatë se kush qëndron prapa këtij krimi dhe kush kënd e mbron dhe e ndihmon, dhe kush me kë është në klan, është mëse e sigurt se e gjithë kjo ka qenë një skenar shumë i sofistikuar Hollivudian, për të cilin është punuar shumë prapa skene, dhe bën të duket se gjithçka është rastësi. Rastësi ishte edhe vrasja e babait tim, pa lënë asnjë gjurmë. Rastësi janë edhe ndërhyrjet në këtë process gjyqësor. Rastësi është që ky proces ka zgjatur mbi 16 vite. A ka diçka tjetër që nuk është rastësi?

Së pari, si është e mundur të vonohet një process për gati 2 vjet dhe në fund të gjithë procesit të gjithçka të koordinohet në atë mënyrë që i pandehuri kyq të arratiset. Kjo e gjitha është vetëm që kriminelët e implikuar të blejnë kohë sa më shumë. Kjo është edhe mënyra se si ka zgjatur i gjithë ky proces për mbi 16 vite.

Lidhja në mes vonesës së shpalljes zyrtare të vendimit dhe arratisjes së Ilir Kumbaros edhe mund të jetë e vështirë të zbulohet, por vetë fakti i vonesës dhe rrjedhës së ngjarjeve e dëshmon këtë lidhshmëri. Andaj, unë kam kërkuar nga Z. Topi që të hap hetimin dhe të vertetohet fakti që janë shkelur afatet ligjore të shpalljes zyrtare të vendimit dhe personat përgjegjës të përballen me drejtësinë.

Fillimisht, i gjithë procesi zgjati rreth 2 vjet, por cila ishte arsyeja e të mos bërit publik të këtij vendimi për më shumë se 2 muaj? Vendimi u mor me 14 Tetor, 2011, dhe për ta shpallur zyrtarisht u deshën mbi 2 muaj? Nuk po flasim për shqyrtim të lëndëve, që Shpresa Becaj thotë se janë mbi 6,000 lëndë, por për shpallje të një vendimi, dhe nuk ka kurrfarë arsye që një proces i tillë të zgjat mbi 2 muaj, kur me ligj është e përcaktuar që një gjë e tillë të bëhet brenda 2 javësh. Dhe për fund, vetë rezultati i gjithë kësaj, pra arratisja e Ilir Kumbaros, tregon se për çfare arsye ka ndodhur një gjë e tillë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›