E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardian Hoxha këmbëngul: Gjykata e Lartë vonoi procesin

Djali i Remzi Hoxhës replikon në distancë me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, duke e cilësuar deklaratën e saj, të pasinqertë dhe pa argumente

Tiranë Ardian Hoxha, djali i biznesmenit të zhdukur 16 vite më parë, Remzi Hoxha, ka reaguar sërish dje për deklaratën e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Ai e ka konsideruar si aspak të sinqertë deklaratën e kryetares së Gjykatës së Lartë dhe për më tepër, sipas tij, pa arsyet reale të vonesës në zbardhjen e vendimit, duke përsëritur kërkesën për hetim në adresë të Presidentit të Republikës. “Në emër të familjes sime shpreh keqardhjen më të madhe për mënyrën se si është përgjigjur kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, në lidhje me vonesën që e kishin bërë në shpalljen zyrtare të vendimit të datës 14.10.2011, ku vendosën lënien në fuqi të vendimit ‘arrest me burg’ për Ilir Kumbaron”, - thuhet në deklaratën e lëshuar nga djali i biznesmenit Remzi Hoxha. Sipas tij, faktet janë të pakontestueshme, duke rikujtuar se ende nuk janë dhënë arsyet përse u vonua zbardhja e vendimit për masën e arrestit ndaj Ilir Kumbaros, i cili u arratis nga Londra një ditë para se gjykata të vendoste për ekstradimin e tij. Në deklaratë, Ardian Hoxha kërkon që Presidenti të urdhërojë nisjen e një hetimi, i cili do të zbardhë të vërtetën. “Së pari, është fakt se është vonuar shpallja zyrtare e vendimit të datës 14.10.2011. Ndoshta edhe është vepruar sipas ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës për të ardhur deri tek ai vendim, dhe jam i bindur se janë shfrytëzuar të gjitha vakuumet ligjore, por të gjithë këtë do ta kuptojmë pas hetimit që do t’i bëhet rastit në fjalë. Unë pres që Z. Topi të nisë hetimin e gjithë kësaj ngjarjeje, sepse një arsyetim në letër nga kryetarja e Gjykatës së Lartë nuk do të thotë asgjë dhe nuk është arsye për mos-hetim të këtij procesi”, - thuhet në deklaratë. Më tej, Ardian Hoxha thotë se gjithçka është e organizuar, duke pasur parasysh kush qëndron pas arratisjes së Kumbaros nga Britania e Madhe. “Duke e pasur çdo informatë se kush qëndron prapa këtij krimi dhe kush e mbron dhe e ndihmon, dhe me kë është në “klan”, është më se e sigurt se e gjithë kjo ka qenë një skenar shumë i sofistikuar hollivudian, për të cilin është punuar shumë prapa skene, dhe bën të duket se gjithçka është rastësi. Rastësi ishte edhe vrasja e babait tim pa lënë asnjë gjurmë. Rastësi janë edhe ndërhyrjet në këtë proces gjyqësor. Rastësi është që ky proces ka zgjatur mbi 16 vite. A ka diçka tjetër që nuk është rastësi?”- shprehet djali i biznesmenit të zhdukur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›