E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i biznesmenit fshihej në Tiranë, arrestohet nga RENEA

SHKRUAN: Habjon Hasani 10-01-2012 12:03

Përgjimet e të afërmve zbulojnë apartamentin me qira në Tiranë, ku fshihej Adnan Gori, autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Dervishi. Dorëzohet pa kushte para RENEA-s: Nuk jam i armatosur

Tiranë Pas vrasjes në Vlorë të biznesmenit të ndërtimit, i akuzuari për krimin, Adnan Gori ka menduar Tiranën si qytetin më të mirë për t’u fshehur. Katër ditë pas ekzekutimit të Ardian Dervishit, ai ka marrë një apartament me qira në Tiranë, por arratia e tij në kryeqytet ka marrë fund dje, kur është prangosur nga forcat speciale të RENEA-s. Vrasësi i dyshuar i biznesmenit, 32-vjeçari Adnan Gori u arrestua dje në orët e drakes, në një operacion të quajtur “Aerodromi”, pranë fushës së aviacionit në Tiranë. Dy javë pas vrasjes, Gori ka rënë në pranga pas hetimit të policisë, që kishte zbuluar “strehën” e tij që prej 29 dhjetorit. Pas krimit, policia nuk kishte asnjë të dhënë për të shumëkërkuarin, ndaj edhe është vendosur përgjimi i telefonave të të afërmve të tij për të zbuluar ndonjë të dhënë. E në fakt ka rezultuar vendimi i duhur. Përmes telefonatave, policia ka mësuar se të afërmit informoheshin mbi lëvizjet e Adnan Gorit përmes një miku të tij, i cili pa e ditur ka tradhtuar vendin ku ai fshihej. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se blutë kanë vënë nën përgjim dhe mikun e të kërkuarit dhe nëpërmjet telefonit kanë mundur të lokalizojnë vendndodhjen e të dyshuarit. Për dy ditë, banesa dhe zona ku fshihej i kërkuari është vënë nën vëzhgim, ndërsa është vendosur ndërhyrja e RENEA-s për të shmangur çdo incident të mundshëm. I kërkuari sapo ka vënë re praninë e forcave speciale ka vendosur të dorëzohet, duke i dhënë fund pa rezistencë arratisë së tij. “Më arrestoni, nuk jam i armatosur. Dorëzohem vetë, ”- u është përgjigjur Gori efektivëve të forcave RENEA, të cilët pak sekonda më vonë i hodhën prangat. Adnan Gori dyshohet se vrau me armë zjarri biznesmenin e ndërtimit nga Vlora, Ardian Dervishi, pas një konflikti për përqindjen e një pallati në ndërtim. Dervishi ishte administrator i një firme ndërtimi, ndërsa 32-vjeçari Gori, përfaqësues i pronarëve të një trualli ku po ndërtohej një pallat i ri. Autori dhe viktima kanë replikuar disa herë me njëri-tjetrin mëngjesin e 25 dhjetorit të vitit të kaluar dhe kishin mosmarrëveshje mbi ndarjen e përqindjes së apartamenteve në pallatin që po ndërtohej. Pasditen e së njëjtës ditë, Gori i ka kërkuar takim në telefon viktimës dhe takimi është realizuar aty ku kishte biznesin viktima. Gjatë bisedës Gori ka kërkuar përqindje më shumë, ndërsa viktima i ka thënë se ka marrë përqindjen që i takon, madje siç thonë dëshmitarë, ai i ka thënë se ka marrë edhe më shumë sesa i takon. Ata kanë replikuar ashpër disa minuta me njëri-tjetrin dhe më pas kanë filluar të shahen mes tyre; në gjaknxehtësi e sipër autori ka nxjerrë armën tip pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të 52-vjeçarit duke e lënë atë të plagosur rëndë, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi me makinën e tij. Rreth dy orë më vonë Dervishi humbi jetën. I arrestuari i djeshëm Adnand Gori ka qenë i dënuar edhe më parë me 3 vjet burg për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Ai aktualisht është nën akuzë për “vrasje me paramendim” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Gori, pronari i tokës së konfliktit në Vlorë

Një sipërfaqe toke e destinuar për ndërtimin e një pallati ka qenë motivi i vrasjes së biznesmenit Ardian Dervishi. Adnan Gori i ka besuar tokën 52-vjeçarit dhe ky do të ndërtonte aty një kompleks pallatesh në këmbim të një përqindjeje që merrnin pronarët. Sipas burimeve të policisë dhe grupit hetimor, vrasja e 52-vjeçarit ka ndodhur pikërisht sepse palët nuk kanë rënë dakord mbi këtë përqindje. Sipas policisë, duket se Gori nuk ka qenë i kënaqur me marrëveshjen e arritur më herët dhe ka kërkuar më shumë në pallatet që po ndërtoheshin buzë rrugës transballkanike. Të njohur të viktimës sqaruan gjithashtu se ai ka pasur një biznes të tijin për shitjen tullash, si dhe së fundi do të ndërtonte një godinë pallati së bashku me persona të tjerë, për këtë qëllim kishin blerë dhe sipërfaqen e tokës nga Gori, i cili më pas është bërë pishman për përqindjen e përfituar dhe ka kërkuar më shumë përqindje pallati për sipërfaqen e dhënë për ndërtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›