E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardian Kollozi: PD do marrë 8 deputetë në qytetin e Flamurit

Kreu i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës, Ardian Kollozi, flet për gazetën “55” lidhur me natyrën e fushatës zgjedhore, por edhe për bilancin pozitiv që do të sjellë një triumf të listës demokrate në zgjedhjet e 28 qershorit

Fytyra e PD-së në një qytet historik si Vlora është përmirësuar ndjeshëm. Tashmë pranë kësaj selie partiake ka njerëz me një sasi cilësish spikatëse, të motivuar për të bërë punë. Ardian Kollozi i ka dhënë degës së partisë së qytetit një fizionomi të re. Kështu, qershori i fushatës së re e gjeti PD-në e qytetit me një grup selish të reja, sipas çdo grupseksioni. Në të vërtetë, puna e motivuar është një ndriçim për shumë shpirtra në këtë qershor ku gëlon fushata. E ku mund ta gjesh Ardin, kandidatin që në listën e qarkut Vlorë zë numrin dy? Në mëngjes në Vranisht, në drekë në Kuç e Velçë dhe afër muzgut në Kotë apo Karabash - lagje e vjetër e qytetit, në zonën fushore - dhe në mesnatë në mbledhje shtabi në Skelë, aty ku është ngritur prej 3 javësh selia elektorale e demokratëve. Ka një uri pune për shpirtra të uritur, që lëshon rreze dhe njerëzve gjithsesi u pikon në shpirt. Portreti më i mirë është vijëzuar në ditët më intensive që mbart qershori. Të shpalosësh platformën e PD është të ndërtosh urën e shekullit tonë, sepse po t’i krahasosh me urat e vjetëruara të socialistëve - që janë ura të rrëzuara, ura që mezi mbahen, s’janë hiç limane e nuk na kanë nxjerrë asnjëherë - ura jonë figurativisht është dhe mbetet shqiptare. 8 deputetë në Vlorë përkthehet një 22 mars të ri për qarkun e afërmendsh edhe për të gjithë vendin.

Ardian Kollozi

Ditëlindja: 10.4.1967;
Vendlindja: Vlorë
Edukimi: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit. Diplomuar më 1991 për inxhinier topograf.
Aktivitet privat në fushën e ndërtimit dhe prodhimit të materialeve të ndërtimit në qarkun e Vlorës

Veprimtaria politike:
1990: student i Lëvizjes së Dhjetorit; 2001: nënkryetar i PD-së, Vlorë; 2004: nënkryetar i PD-së, Vlorë; 2004: anëtar i Këshillit Kombëtar të PD; Maj 2006-Korrik 2006: Anëtar i Komisionit Parlamentar Hetimor për shkeljet e Prokurorit të Përgjithshëm.

Z. Kollozi, e vlerësoni si ogur të mirë zgjedhjen tuaj në krye të PD-së, Vlorë për zgjedhjet e 28 qershorit?
Është një detyrë shumë e rëndësishme për karrierën politike timen personale, por besoj se do të ishte e tillë për çdo person që vendos të merret me politikë. Marrja e drejtimit të strukturave të PD-së ka qenë një përzgjedhje që ka fituar si besimin e strukturave drejtuese në Tiranë, ashtu edhe shumicës dërrmuese të anëtarësisë të PD-së, e ky fakt të obligon e të motivon për të bërë maksimumin për të sjellë klimë të re e frymë pozitiviste, për të arritur objektivat që natyrisht në këtë periudhë është vetëm fitorja e zgjedhjeve në 28 qershor. Besoj se po, ashtu si kanë treguar këto muaj pune intensive, kontaktet e shumta, tregojnë se përzgjedhja ime ka ardhur në momentin e duhur përpara një ngjarjeje të madhe për PD-në dhe për të gjithë Vlorën. E për këto arsye unë e konsideroj veten politikisht me fat.

Cilat janë “armët” që përdorni kundër kundërshtarëve tuaj politik, për të marrë fitoren në Vlorë?
Ne kemi premtime të mbajtura dhe një projekt konkret për një Vlorë Evropiane. Mendoj se s’ka nevojë për armë të tjera. Vlonjatët na i dinë arritjet dhe na i besojë projektet madhore për të ardhmen. Në Vlorë janë investuar në vitet e qeverisjes “Berisha” 500 milionë euro, dhe në katër vitet e ardhshme këto investime do të gjashtëfishohen, pra do të arrijnë në vlerën e 3 miliardë eurove. Aktualisht Vlora e ka ndier ndryshimin në jetën e përditshme dhe për këtë s’ka dyshim se do të votojë Partinë Demokratike. Ata do të votojnë për shtëpitë e tyre, për fëmijët e tyre, do të votojnë për PD-në, se ajo ka treguar dhe ka dhënë provat në Vlorë, se e do Vlorën dhe ka projektin më të madh për Vlorën. PD-ja ka dhënë provat se është për një Shqipëri Evropiane, është për një Shqipëri në Nato e në BE, ndaj ne kemi armët tashmë të njohura nga gjithë qytetarët shqiptarë; ne kemi premtimet e mbajtura, si armë të fitores.

Mund të radhisni disa nga argumentet që po i paraqisni elektoratit dhe që mendoni se do t’i shkaktoni humbjen së majtës?
Argumentet i kanë në jetën e tyre të përditshme. Janë dyfishuar pensionet, janë dyshuar pagat e arsimtarëve e të administratës... PD do të fitojë 8 deputetë në këtë qark sepse në shtëpitë e tyre do të ketë drita 24 orë. Asnjë bashki në ndihmë ekonomike nuk do të ketë të ardhura më pak se 2 dollarë në ditë, të ardhura të cilat do të shtohen edhe më tej nga projektet madhore si shtimi i kapacitetit të portit... Në programin e Partisë Demokratike përfshihen projekte të qarta për uljen e papunësisë, që fëmijët të navigojnë në internet dhe që të shtohet numri i studentëve. Do të kemi si qark një infrastrukturë dhe një qytet tërësisht evropian, meqë vendi në 2013 edhe do të anëtarësohet në BE. Ne kemi treguar se ato që i themi dhe premtojmë i çojmë deri në fund, ndaj dhe jemi të bindur në fitoren e plotë të PD-së. Ne do të investojmë në Vlorë, sikundër e theksova më sipër 3 milionë euro, shifër kjo që pas katër vjetësh do ta kthejë Vlorën ne një metropol real të Shqipërisë e të gjithë rajonit. Argumenti ynë më i fortë është se ne duam që në Vlorë, si edje në të gjithë Shqipërinë, duam  të vazhdojë ndryshimi i nisur.

Mendoni se keni goditur në shenjë me kandidaturat e paraqitura, veçanërisht me ato të grave? Mendoni se do të grumbulloni aq vota sa të përfshihen edhe ato?
Jam i bindur se kemi goditur në shenjë në përzgjedhje. Të gjithë kandidatët që janë pjesë e listës për deputet në Qarkun e Vlorës janë njerëz me integritet të plotë, janë intelektualë të mirënjohur e me vlera në mbarë komunitetin, janë njerëz që kanë dëshmuar se dinë të punojnë dhe kanë punuar për Shqipërinë. Jam i bindur se të gjithë kandidatët tanë kanë një prezantim dinjitoz dhe paraqesin shkëlqyer imazhin e PD-së. Kjo vlen edhe për gratë që janë pjesë e listës. Ne patjetër që do tentojmë të kemi në radhët e deputetëve të ardhshëm edhe femrat kandidate të Qarkut të Vlorës. Ne do të kemi së paku 8 deputetë nga qarku i Vlorës në parlament dhe kjo është e sigurt nga situate aktuale dhe mbështetja që PD ka në Vlorë, por do të luftojmë edhe për numrin 9, që sërish është një femër, Zj. Xhuveli.

Cilat janë armët me të cilat kundërsulmoni qeverisjen vendore, të cilën e ka në dorë një eksponent i PS-së së Vlorës?
Ne e konsiderojmë bashkinë e Vlorës, si një institucion jashtëzakonisht të rëndësishëm për mbarëvajtjen dhe administrimin e gjithë këtij territorit të qarkut. N.q.s. më sipër ne përmendëm investime të shumta, të jashtëzakonshme për nga rëndësia dhe efikasiteti, të kryera nga qeverisa e mazhorancës së djathtë, lehtë konstaton se në raport me ato, kontributi i bashkisë së Vlorës nuk është në lartësinë e duhur. Plotësimi sa më shpejt me infrastrukturë, me ambiente ndihmëse dhe çlodhëse të lagjeve të brendshme, si dhe i akseve kryesore, duhet të ishte një proces tashmë i kryer.

Sipas Ardi Kollozit, cilat do të jenë përqindjet që do të arrijnë partitë politike në zgjedhjet e 28 qershorit në Vlorë?
Për efekt kohe nuk po i përkthej përqindjet, por di që PD në mënyrë të sigurt do të fitojë 8 deputetë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›