E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti - Drama e Teheranit

Për Shtetet e Bashkuara, revolta popullore në një shtet autoritar paraqet dilemë speciale. Amerikanët instiktivisht simpatizojnë ata që luftojnë për liri, por gjithnjë përderisa Uashingtoni nuk është i gatshëm për intervenim të drejtpërdrejtë, ai nuk ka instrument për të siguruar fitoren e tyre. Nëse Uashingtoni denoncon represionin e tiranëve shumë zëshëm, rrezikon të akuzohet për qëndrim imperialist, ndërsa reagimi i heshtur rrezikon pozicionin moral. Që nga revolta e vitit 1956 në Hungari, Pranvera e Pragës në vitin 1968, Tienanmeni i vitit 1989 dhe deri te Birmania e vitit 2007, politikë-bërësit amerikanë e kanë pasur të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të gjejnë një balancë të kënaqshme.
Dhe tash, kemi Teheranin 2009. Në protestën më të madhe popullore nga Revolucioni i vitit 1979, dhjetëra mijëra veta kanë dalë rrugëve për të protestuar kundër rizgjedhjes së Ahmadinexhadit president, që dyshohet të jetë bërë përmes falsifikimit të votimeve. Mjerisht, ata janë ballafaquar me zjarrin e armëve dhe rrahje. Administrata e Obamës ka reaguar në formën që të mos flakë shpresat për bisedime kushtuar programeve bërthamore të Iranit dhe terrorizmit. Në vend të denoncimit me plot gojë të falsifikimit dhe represionit, zoti Obama ka pritur disa ditë para se të bënte një deklarim, në të cilin ai ofroi respekt për sovranitetin e Iranit dhe tha se përgjigjja e dhunshme e regjimit “ishte shqetësuese për të dhe popullin amerikan”. Mbase është i kuptueshëm toni hezitues, por pavarësisht se si do të përfundojë kriza, ajo mund të kërkojë riformulim të strategjisë së administratës ndaj Iranit.
Opozita iraniane është e angazhuar që të ndryshojë kursin e Republikës Islamike, por jo ta përmbysë atë. Kundërshtari i Ahmadinexhadit, Mir Hosein Musavi, është veteran i Revolucionit të vitit 1979, që kishte premtuar restaurimin e parimeve të tij të vërteta. Në fakt, as Ahmedinexhad dhe as Musavi nuk janë aktorë të pavarur - i pari prezanton liderin suprem, Ajatollah Ali Kamnein, ndërsa i dyti rivalin e tij, ish-presidentin Ali Akbar Hashemi Rafsanxhani. Pavarësisht nga kjo, shumë iranianë e shohin Musavin, që ka denoncuar retorikën e Ahmadinexhadit, si një alternativë për rënien ekonomike dhe izolimin ndërkombëtar që e ka sjellë pikërisht ky regjim. Musavi është partner më i arsyeshëm për Shtetet e Bashkuara. Duke goditur Musavin dhe lëvizjen që ai e ka inspiruar, regjimi i tashëm në Teheran do të dëshmonte se është i vendosur të mbahet në pushtet dhe mbase edhe me terrorizmin dhe ambiciet bërthamore, pavarësisht se çfarë mendon populli ose kushdo qoftë tjetër.
Mek Kejn: Duhet të jemi simbol shprese për iranianët/Senatori amerikan, Xhon Mek Kejn, thotë se presidenti Obama duhet të kërkojë që në Iran të respektohet e drejta themelore për zgjedhje të lira e të drejta. I pyetur për seriozitetin e ofertës së Qeverisë iraniane rreth rinumërimit të votave, senatori Xhon Mek Kejn thotë se propozimit i mungon sinqeriteti. “Mendoj se deklarata e Qeverisë së Iranit për gatishmërinë në rinumërimin e votave, i ngjan vendosjes së dhelprës para kotecit të pulave. Qeveria është ajo që ka shkaktuar këto mashtrime në zgjedhje dhe Qeveria është e fundit që do të ishte e sinqertë dhe e drejtë për të rinumëruar”, thotë ai. Mirëpo, cilat do të ishin, sipas Mek Kejnit, opsionet me të cilat opozita iraniane do të mund të shprehte pakënaqësitë në lidhje me rezultatet zgjedhore, pas demonstratave të përgjakshme në Teheran? “Do të këshilloja opozitën në Iran të demonstrojë në mënyrë paqësore. Kam parë disa pamje në internet dhe në televizion, të cilat tregojnë forcat policore duke rrahur brutalisht gra dhe burra, gjë që e karakterizon diktaturën dhe sjelljen e Qeverisë së atij vendi në të kaluarën”, u shpreh ai.
Por, si i sheh Mek Kejn mundësitë për bashkëpunim ndërmjet administratës Obama dhe Qeverisë në Iran, ku, sipas të gjitha gjasave, president për katër vjetët e ardhshëm do të mbetet Mahmud Ahmedinexhad? “Pajtohem plotësisht se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me Iranin, por parimi themelor i diplomacisë amerikane është respektimi i së drejtës për zgjedhje të lira e të drejta në të gjithë botën. Ngjarjet e periudhës pas-zgjedhore në Iran treguan se kemi të bëjmë me një shtet, i cili jo vetëm se paraqet kërcënim për fqinjët e vet për shkak të armëve bërthamore, por është një shtet, i cili shtyp popullin e vet". "Pra, presidenti Obama fillimisht duhet të kërkojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të drejta në këtë vend, që të respektohen të drejtat themelore të popullit iranian”, thekson Mek Kejn. Demonstratat në Iran përshkruhen si më të mëdhatë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, me një dallim esencial, që tani nuk po protestohet kundër SHBA-së, por kundër Qeverisë së Iranit. Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse tash është koha e duhur që Uashingtoni të intensifikojë diplomacinë në drejtim të mbrojtjes së demokracisë në Iran, senatori Mek Kejn thotë se parimet themelore duhet të mbrohen. “Roli i Shteteve të Bashkuara është që të ritheksojë fuqishëm se duam të shohim që, jo vetëm në Iran, por në të gjithë botën, njerëzve t’u respektohet e drejta për zgjedhje të lira e të drejta. Këtë do ta mbështesim si parim themelor. Marrëdhëniet tona me Teheranin, qoftë për armët bërthamore apo eksportin e armëve në Afganistan, janë çështje të rëndësishme". "Prandaj, është mënyrë e duhur që të zgjohemi dhe të kërkojmë që popullit në Iran t’i respektohet e drejta për të zhvilluar zgjedhje të lira”, tha Xhon Mek Kejn për Radion Evropa e Lirë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›