E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ardian Visha: Fatmir Mediut nuk ia kërkova votën

TIRANË- Avokati, Ardian Visha, kandidati i Partisë Socialiste për vendin vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në një intervistë të dhënë dje në emisionin në “A SHOW” të gazetarit Adi Krasta, deklaroi se nuk i ka kërkuar mbështetjen me votë ish-klientit të tij në procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, Fatmir Mediut. 

Kemi marrë ndjesinë e përgjithshme që Partia Socialiste për të testuar siç u tha, për të shqetësuar ujrat, për të vënë mazhorancën në vështirësi, për të bërë një provë të asaj që mund të ndodhë me Presidentin, zgjodhi kandidaturën e Ardian Vishës për në KLD. Pyetja është pse?
Ndërmorra diçka i vetëdijshëm dhe pas një analize të plotë të veprimit tim. E ndërmorra sërish këtë i konsultuar me miq, shokë edhe me faktorë të caktuar politik, prej të cilëve kërkova mbështetje për garën. Mendova që propozimi im më i natyrshëm do të ishte nga PS, i kerkova këtë gjë strukturave të saj drejtuese dhe pranuan menjëherë këtë kandidaturë, për këtë jam shumë i kënaqur.
Kandidatura juaj e mbështetur nga opozita solli në diskutim klientin tënd më të famshëm, z.Mediu...
Tek kam pranuar të bëj avokatin e z.Mediu unë nuk kam parë përfitime të karakterit publik në imazh apo të cilësdo natyre qoftë për të realizuar këtë punë. E kam marrë thjesht për arsye të mia private që nuk besoj se do duhej t’i bëja publike. Jam përpjekur për të realizuar këtë punë tërësisht brenda kuadrit ligjor, moral njerëzor dhe shoqëror. Nuk kam cenuar asnjë interes social apo privat me veprimtarinë time si avokat. Në këtë këndvështrim nuk shoh pse do duhej të konsiderohesha i papranueshem nga një pjesë e së majtës një pjesë e vogël e saj do të thoja ç’ka ka detyruar më pas të bëjë atë editorial justifikues të z.Rama dhe që është pasuar nga kundërshti të tjera.
Çfarë ndodhi sipas jush, në analizën tuaj personale, në Kuvend? 
Në Kuvendin e Shqipërisë ajo që do të duhej të ishte një proces normal votimi i fshehtë ku secili individ që ka tagrën e sovranit të këtij vendi të votonte sipas vullnetit të tij, pra në një votë të palexuar nga politika, qoftë ajo kundërshtarë qofte ajo në krah apo aq më keq superiore, sesi ka votuar. Ka votime në Kuvend që nuk duhet dhe nuk përcaktojnë kushtetueshmërisht mazhoranca të caktuara, dhe rrjedhimisht jo me kot janë lënë me rregullimin ligjor të tilla që të jenë të fshehta. Kjo gjë nuk ndodhi, nuk pati një proçes të mirëfilltë demokratik, nuk pati një votë të lirë, pati sërish një betejë politike siç ndodh rëndom në institucionin tonë të lartë të shtetit, dhe më vjen vërtet keq që ndodhi kështu.
Ju e dinit që z.Mediu do të votonte kundra kandidaturës suaj?
Nuk i kam kërkuar z.Mediu të votojë pro meje, s’i kam kërkuar askërkujt të votojë pro meje, përjashtuar atij grupi që i jam lutur mirësisht me propozimin përkatës.
Cila është ndjesia juaj me këtë votim kundër?
Përsa kohë i tërë procesi ishte i derfomuar, jo në përputhje me rregullimin ligjor, jo në përputhje me standartet me të cilat duhet të funksionojë një trupë kuvendore në përzgjedhje individësh të tille që do të punojnë në KLD, edhe vota e gjithëseicilit është po kështu e deformuar dhe jo reale.
Cili eshte mendimi dhe vleresimi qe keni bere per ngjarjen e Gerdecit, si ngjarje pa e pare ne lidhje me njerezit?
Unë nuk kam shprehur asnjë mendim publik apo vlerësim për më keq mbi ngjarjen e Gërdecit. Çmoj që është një ngjarje e rëndë, tragjike, dhe me pasojë veç dëmeve të tjera ajo që është më e rëndësishmja në humbje jetë njerëzish. Nuk kam marrë përsipër të mbroj politikisht atë ngjarje, të justifikojë ate, kam marrë përsipër të mbroj një individ që u akuzua në këndvështrimin tim profesional në formë dhe përmbajtje të padrejtë nga Prokuroria. I tërë proçesi i hetimit që unë kam njohur në cilësinë e avokatit për mua ishte në devijim të së vërtetës dhe jo në ndihmë të zbulimit të saj. Çmoj që janë disa elementë kyç që e përcaktojnë këtë, po e nis nga më e para. Një ngjarje e tillë që mund të ishte e përmasave edhe më katastrofike se ç’ndodhi nuk mund të përjashtohet nga të qenurit e qëllimtë, qoftë për arsye të karakterit terrorist të autorëve të mundshëm, qoftë për konflikte të karakterit të biznesit apo konkurrencë e cila devijon më pas në veprime të qëllimshme kaq të ulta. Të pranuarit e menjëhershëm të pistës së aksidentit, për mua përbën gabim të parë, nga pikpamja e autoritetit që hetoi çështjen, por pastaj kjo vijoi në tërësi në mënyrën sesi ështe vepruar, vërejtjet e mia kanë qenë të paktën për klientin që më takonte të mbroja me shkrim dhe të menjëhershme me disa memo drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme. Edhe të akuzuarit e 35 funksionarëve ushtarakë e civil të Ministrisë së Mbrojtjes, në akuzën absurde të bashkëpunimit në shpërdorim detyre për mua përbën nga pikëpamja profesionale një rast negativ. 
(el.me/GazetaShqiptare//BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›