E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argita Malltezi: Rama i kapur nga paniku për të fshehur pasuritë

16-01-2013 / Gazeta 55

“Tarifat e përcaktuara dhe të njoftuara haptas klientëve në një vend të lirë janë akt i plotë transparence dhe ti (Edi Rama) me këtë nuk mund të justifikosh burimin e fondit prej 1 milion euro të ndërtimit të pallatit nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar i familjes së bashkëshortes suaj, Linda Basha”


Argita Berisha Malltezi reagoi sërish sot lidhur me akuzat e Partisë Socialiste në për pasurinë e saj. Përmes një deklarate për mediat, vajza e kryeministrit Berisha nënvizon faktin se “kreu i PS, Edi Rama i kapur nga paniku për të fshehur pasuritë e tij, dhe nën moton shpif, shpif se diçka mbetet, ka vënë në përdorim gjithë arsenalin e tij mediatik për të hedhur baltë, në vend që të sqarojë kapjen e tij nga interesat e milionave, të padeklaruar prej tij dhe bashkëshortes së tij, Linda Basha”. Ajo thekson se, në një kohë kur opinioni dhe ligji presin nga Rama sqarim për pasurinë e tij dhe të bashkëshortes së tij, ai vijon me porcionin e përditshëm të shpifjeve dhe baltës paraelektorale. Argita Berisha Malltezi i kujton Edi Ramës se, përpara se të kapet pas fijes së barit, të japë shpjegime për “dhuratën” 100 milionë lekë të bashkëshortes së tij, pallatin po të bashkëshortes së tij të ndërtuar mbi një lulishte, duke abuzuar me detyrën dhe me leje të firmosur nga ai (Edi Rama) në konflikt të hapur interesi. “Z.Rama, që prej katër ditësh u keni premtuar shqiptarëve që do t’u jepni sqarime se: Cila është origjina e huas prej 100 milionë lekësh të bashkëshortes suaj Linda Basha? Përse nuk jepni përgjigje nëse keni qenë në konflikt interesi kur keni firmosur lejen e ndërtimit për pallatin 5 katesh të bashkëshortes suaj dhe familjes se saj ne Rr “Qamil Guranjaku”? A keni abuzuar ju me detyrën kur keni firmosur shndërrimin e një shesh pushimi pallatesh në shesh ndërtimi për pallatin 5 katesh të bashkëshortes suaj, në kundërshtim me nenin 62 të ligjit të urbanistikës? Lidhjet tuaja familjare ju detyrojnë të bëni publike burimet e financimit të një pallati prej 900 metra katrore në qendër të Tiranës si dhe përgjigjen nëse firmat e ndërtimit janë paguar në para apo jo”- thuhet në deklaratën e Argita Malltezit. Sa i takon pretendimeve të ngritura nga PS, lidhur me biznesmenin pakistanez, Zafar Ansar, znj.Malltezi sqaron se “zotëria në fjalë nuk ka paguar as dhe një qindarkë, ndonëse ai ishte njohur paraprakisht me transparencë të plotë me tarifat e zyrës”. Sipas saj, tarifat e zyrës së avokatisë, i janë deklaruara paraprakisht klientit në fjalë siç e kërkon praktika e punës. “Z.Rama, opinioni dhe ligji presin nga ju sqarim për çështjet e mësipërme dhe jo porcionin e përditshëm të shpifjeve dhe baltës paraelektorale. Sa për fijen e kashtës në të cilën jeni kapur, meqë standardi im i transparencës nuk është ai që përdorni ju, po sqaroj publikun sa me poshtë: Biznesmeni në fjalë 6 vjet më parë më ka kontaktuar mua, dhe jo anasjelltas, dhe më ka kërkuar përshkrim ligjor dhe ndihmë në fazën fillestare të hartimit të projektit dhe studimeve të tjera që duheshin për këtë fazë. Çdo veprim i zyrës sime të avokatisë ka qenë tërësisht privat dhe nuk ka patur të bëjë me ndërtim pallati prej 5 katesh në lulishten e sheshit të pallateve, me leje të firmosura nga ju në konflikt të hapur interesi për bashkëshorten tuaj. Për të gjitha veprimet e zyrës sime të avokatisë, zotëria në fjalë nuk ka paguar as dhe një qindarkë, ndonëse ai ishte njohur paraprakisht me transparencë të plotë me tarifat e zyrës. Zoti Rama tarifat e përcaktuara dhe të njoftuara haptas klientëve në një vend të lirë janë akt i plotë transparence dhe ti me këtë nuk mund të justifikosh burimin e fondit prej 1 milion euro të ndërtimit të pallatit nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar i familjes së bashkëshortes suaj, Linda Basha. Së fundi, z Rama ju nuk mbuloni dot me tarifat e zyrës sime të avokatisë, të deklaruara paraprakisht klientit në fjalë siç e kërkon praktika e punës, me mos deklarimin e burimit të 100 milion lekëve kredi pa interes të bashkëshortes juaj ndërkohë që ligji i deklarimit të pasurive të detyron qartazi për këtë"- vijon më tej reagimi i znj.Argita Malltezi.


Reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë/Shpërblimi i avokatit për punën e kryer, sipas ligjit nr.9109, “me marrëveshje mes tij dhe klientit”


Dhoma Kombëtare e Avokatisë të Shqipërisë, nisur dhe bazuar nga debati dhe problematika bërë prezent kohët e fundit në një nga mediat Shqiptare, iniciuar nga rasti i pretenduar i biznesmenit të huaj Zanfar Ansar, lidhur me marrëdhëniet klient avokat për tarifat e shpërblimit të shërbimit ligjor të avokatit, si dhe nga shqetësimi që ka përcjellë trajtimi i këtij rasti në rrethin e anëtarëve të saj, çmon të domosdoshme jo vetëm sqarimin e rastit në fjalë, por mbi të gjitha vlerëson të rëndësishme sqarimin e opinionit, me shqetësimin e vetëm për të mbrojtur integritetin dhe veprimtarinë e çdo anëtari të saj nga keqinterpretime, të cilat krijojnë një precedent lidhur me cenimin e integritetit të avokatit dhe funksionimin konform ligjit të gjithë veprimtarisë të avokatisë, në procesin e realizimit të ndihmës ligjore juridike. 


Për këtë bëjmë me dije nëpërmjet këtij prononcimi gjithë opinionit, si më poshtë: 


Ligji nr. 9109 datë 23.07.2007, “Për ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, në nenin 11 të tij, pika 1, “germa a” ku bën fjalë për mënyrën e shpërblimit të avokatit, përcakton se shpërblimi i avokatit për punën e kryer përcaktohet me disa mënyra ndër të cilat më e praktikuara është ajo me marrëveshje ndërmjet tij dhe klientit.


Gjithashtu në nenin 12 të po këtij ligji, pika 2 përcaktohet se “...shpërblimi në përqindje, i parallogaritur ose jo, mund të paguhet vetëm kur është parashikuar në marrëveshje ndërmjet avokatit dhe klientit të tij, për rastin e përfaqësimit të suksesshëm të çështjes...”


Në të gjitha marrëdhëniet e shpërblimit lidhur me shpërblimin e ndihmës ligjore të dhënë nga avokati, në çdo rast dhe kurdoherë prevalon marrëveshja e bërë midis klientit dhe avokatit, marrëveshje e cila nuk njeh kufizime në lidhje me tarifat e shërbimit dhe është vetëm shprehje vullneti midis palëve, klient-avokat.


Vetëm nëse, kur midis klientit dhe avokatit mungon një marrëveshje paraprake në lidhje me sasinë, formën dhe mënyrën e shpërblimit, ligji parashikon aplikimin e tarifave minimale të përcaktuara me vendim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.


Dhoma Kombëtare e avokatisë duke marrë shkak nga ky prononcim, u kërkon gjithë subjekteve fizike dhe juridike, si dhe mbarë opinionit, të respektojnë aktivitetin dhe kontributin sa fisnik aq edhe të çmuar të profesionit të avokatit.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›