E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentina: “Kam punuar për t’ia arritur këtu ku jam”

Ndonëse, ende e re në botën e muzikës, që kur hodhi të treg këngën e saj të parë me klip, “Shpirt i mbytur”, Argjentina Ramosaj dëgjohet me kënaqësi dhe simpati. Ajo, në fakt, është nga ato këngëtare që videoklipet e saj nuk ka zgjedhur t'i bëjë të bukura me "zhveshje", ka një zë mjaft të veçantë dhe hyn tek këngëtaret e përzgjedhura.

Ju jeni tashmë mjaft e popullarizuar. A mendonit se do të ishit kaq e suksesshme, që në vogëli?

Shumë faleminderit, por nuk besoj se jam aq e njohur. Gjithmonë kam ëndërruar të realizoj aspiratat dhe pasionet e mia dhe jam mirënjohëse për këtë, sepse po ia arrij qëllimit. Ka shumë njerëz, të cilët duhet të falënderoj për këtë, por sidomos fansat, pa të cilët asgjë nuk do ishte e mundur.

Je bërë pjesë e fotomodelizmit dhe muzikës në një moshë të re, ndjeheni e lodhur apo jeni vazhdimisht energjike dhe në kërkim të të rejave?

Të dyja këto faza i kaloj, ka raste që ndjehem mjaft energjike, por edhe raste kur ndjehem e lodhur, por përkrahja që më jap familja dhe i dashuri, më bëjnë të kem edhe më shumë vullnet dhe energji.

E keni menduar muzikën si një mundësi për t’u bërë e pasur?

Nuk e kam menduar, e kam nisur me dashuri këtë rrugë...Është e vërtetë që muzika është shndërruar në një biznes, mirëpo tek unë gjithmonë ka qenë një mundësi që mos t’i largohem skenës dhe kjo për një sërë arsyesh. Mund të rendis faktin që statusi i të qenit një “fotomodele”, posedon një mandat te shkurtër disavjeçar. Gjithashtu, dua të shtoj edhe një tjetër arsye, se muzika të jep një mundësi shumë të mirë për rigjenerimin dhe vijimësisë së karrierës, si dhe t’i qëndrojmë besnike skenës.

E konsideroni veten me fat që në një periudhë kohe kaq të shkurtër, keni arritur të bëni emër dhe të jeni e suksesshme?

Nuk ka lidhje fati, kam punuar për të qenë këtu. Nëse i futesh me përkushtim diçkaje e arrin.

Përse mendon që keni gjetur kaq sukses dhe njerëzit ju pëlqejnë kaq shumë ju dhe muzikën tuaj?

Ndoshta, sepse kam një grup producentësh të mrekullueshëm. Nuk e di pse njerëzit më duan mua, por e di përse unë i dua ata; sepse ata e vlerësuan origjinalitetin dhe përpjekjet e mia të bëj muzikën që e dua të pakomercializuar.

Së fundi, keni ardhur me një këngë dhe bashkëpunim krejtësisht të veçantë. Ishte ideja juaj?

Ka qenë ideja e mamit të bashkëpunojmë me Ilir Tolaj, i cili më ka komponuar një ‘rockbalade’ të fuqishme, të cilën, besoj, që do ta përdorim si ‘sound track’ për filmin artistik “Gone Back”, të regjisorit Ernest Meholli që jeton dhe punon në Holandë. Filmi është realizuar në Holandë dhe disa skena në Kosovë. Në film, marrin pjesë protagonistë internacional. Ernesti ka shfaqur dëshirën që unë të jem pjesë e këtij projekti gjigant, ndërsa xhirimet e videokipit do të bëhen në Holandë...

Çfarë e bën klipin tuaj të veçantë?

Është një hap më shumë për mua. Është një realizim më i lartë se punët e tjera të mëparshme. Në ndryshim me të tjerët, them se jam përpjekur të jem sa më origjinale, duke e kërkuar këtë edhe tek grupi i punës. Duke u mbështetur shumë tek teksti, idetë e stafit e ndërthurja e tyre me njëra-tjetrën sollën atë origjinalitetin dhe unitetin e këngës. Kjo është e veçanta.

Një nga pasionet tuaja është dhe fotografia, kur keni fotografuar për herë të parë?

Edhe fotografia është pasion i imi i hershëm. Isha e vogël kur mami më dhuroi një Canon (fotoaparat) dhe prej atij momenti, unë dhe fotoaparati ishim të pandashëm. Kam shkrepur shumë fotografi dhe kam përjetuar momente shumë të bukura..

Çfarë domethënie ka për ju të jesh një femër e bukur dhe e njohur?

Nuk mund të mos e pranoj që e ndjen veten të përkëdhelur nga ky fakt. Kudo që unë shkoj njerëzit më flasin, më japin komplimente, duan foto, dhe në këtë sens unë them se jam e përkëdhelur, por nga ana tjetër nuk është dhe ndonjë gjë shumë e madhe të jesh e bukur sepse është diçka që thjesht të është dhuruar. Ndërsa ajo që ti jep në karrierë, në punën tënde të bën të ndjehesh vërtetë e bukur, e kompletuar. Unë më mirë ndjehem kur më thonë se sa bukur këndova, apo kur më thonë se ke ndryshime nga sezoni në sezon dhe eksperienca jote si prezantuese sa vjen e po formohet, se sa kur më thonë se isha veshur bukur, apo sa bukur i kishe lyer sytë etj. Këto janë gjëra që tashmë nuk kanë me ndonjë rëndësi të madhe për mua.

Cili është komplimenti më i bukur që keni marrë pasi jeni bërë e njohur?

Si çdo femër kam marrë dhe unë komplimente, nuk doja t'i thoja se do duket sikur i bëj shumë qejfin vetes, më interesojnë më shumë vërejtjet se më ndihmojnë për të qenë sa më e realizuar.

Këndoni kryesisht për dashurinë, ndërsa këngët tuaja janë përplot emocione. A jeni edhe Ju e tillë në jetën private, a e keni vendosur një pjesë tuajën në këngë?

Jo, nuk jam emocionuese, ndoshta edhe pse nuk kam përjetuar diçka që më bën të ndjehem ashtu.

Arti iu ka mbërthyer të tërën, por duket se edhe artin e dashurisë nuk e keni harruar. Me çka Valoni ju ka pushtuar, me çka ju ka sfiduar ai shkëlqim në sytë Tuaj?

Ka një karakter që unë e respektoj dhe admiroj shumë.

Cili është koncepti yt për dashurinë, çfarë është dashuria për ty?

Që dashuria nuk është koncept, por reale, e vërtetë dhe përjetohet dhe kuptohet vetëm kur e ndjen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›