Argjentina, vijnë refuzimet e para
Një ditë më parë Kuzhe do të shprehej se “do të ketë ndryshime për ndeshjen miqësore me Argjentinën”, pasi ai ka ndërmend që të ftojë “disa futbollistë të rinj, për t’i testuar”, por e vërteta është paksa më ndryshe. Kuzhe natyrisht që mund t’i lejojë vetes që të eksperimentojë në një sfidë miqësore, por nuk do të kishte luksin që këtë ta bënte përballë Argjentinës. Megjithatë, kroati është i detyruar që të ftojë elementët e rinj, pasi ata të konsoliduarit i kanë kthyer shpatullat kësaj miqësoreje, ndonëse prestigjioze për kombëtaren tonë.
Data 20 qershor nuk është një datë e lirë e FIFA-s, ndaj për këtë arsye Argjentina, duke hulumtuar me vëmendje në rank-listën e qeverisë botërore të futbollit, ka peshkuar pikërisht Shqipërinë, duke hamendësuar se kombëtarja jonë do të bënte çmos që të mos e humbiste një miqësore të tillë, edhe me të drejtë. Lojtarët nuk mund të marrin leje nga klubet e tyre për këtë miqësore, por, edhe nëse do të mund ta bënin diçka të tillë, angazhimi për sfidën e me kampionët e dyfishtë të botës do të ishte jashtë mundësive të tyre. Elementët kuqezi që luajnë në kampionate me zë në Europë, do të jenë duke pushuar për të rikuperuar energjitë e nevojshme për fazën përgatitore që i paraprin sezonit të ri ose Kupave të Europës, ndaj klubet kurrsesi nuk do të pranojnë një mbiangazhim të rrogëtarëve të tyre. Për kroatin Kuzhe, sa më shumë titullarë të ketë në dispozicion aq më mirë, pasi ai nuk është aq naiv sa të krijojë një grup krejtësisht të ri për një miqësore prestigji. Ndaj, menjëherë pas përfundimit të sfidës kundër Bosnjës, Kuzhe ka biseduar me disa nga elementët kyç të kombëtares, duke marrë një “jo” të prerë, pavarësisht “kënaqësisë” që do të kishin për t’u ndeshur me Mesin me shokë. Kështu, Lorik Cana, Erjon Bogdani apo Debatik Curri (sa për të përmendur disa emra, pasi lista është më e gjatë se kaq), kanë refuzuar kategorikisht që të angazhohen me Shqipërinë për sfidën e 20 qershorit. Megjithatë, Josip Kuzhe duket se nuk i ka shuar të gjitha shpresat dhe shpreson që të ketë disa prej liderëve të skuadrës me vete në sfidën që do të luhet në “Monumental” të Buenos- Ajresit, stadium ku zhvillon ndeshjet e saj kombëtarja e Argjentinës dhe skuadra e River Plejtit.