Inspektohet Polonia, UEFA e shqetësuar
Pas Ukrainës, UEFA ka inspektuar Poloninë, e cila është organizatorja tjetër e Euro 2012. Kur mbetet më pak se një vit nga nisja e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit evropian, organizatorët polakë po përballen me disa pengesa për të qenë gati në afatet e caktuar më parë. Gjithsesi kryeministri i vendit, Donald Task, ka bërë të ditur se qeveria e tij ka si prioritet përmirësimin e infrastrukturës përpara fillimit të kompeticionit. Megjithatë, stadiumi i ri kombëtar i Varshavës është përballur me probleme teknike dhe financiare gjatë ndërtimit të tij. Inspektimi i UEFA-s është kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i saj Xhani Infantino, i cili është shprehur optimist se Polonia do të jetë gati në kohë për topin e parë të Euro 2012, që do të nisë pikërisht në stadiumin e ri të Varshavës. Përveç kryeqytetit, Polonia do të presë ndeshjet e turneut të futbollit europian në tre qytete të tjera: Gdansk, Vroklav dhe Poznan, që janë në stade të ndryshme sa i përket përgatitjeve. Stadiumi në Poznan është bërë funksional, ndërsa ai në Vroklav pritet të jetë gati brenda muajit qershor. Kampionati Europian i futbollit Ukrainë-Poloni 2012 do të nisë më 8 korrik në Varshavë.