Kthimi i PP-së në PS dhe emrat e byroistëve që u përjashtuan
Ata që kishin kontribuar aq shumë për diktaturën në këtë vend, nuk e kishin menduar se partia e tyre do t’i largonte vetëm me një formular unik të gjithë. Partia e Punës kishte zhvilluar deri në vitin 1991, nëntë kongrese. Ato ishin mbajtur në vitet 1948, 1952, 1956, 1961, 1966, 1971, 1976, 1981 dhe 1986. Kongresi që i binte të mbahej në vitin 1991 u caktuar të mbahej më 10 qershor 1991.
Në kongreset e mëparshme, Partia e Punës kishte qenë forcë udhëheqëse e jetës politike të vendit. Si e tillë në çdo kongres, ajo përveç zgjedhjes së forumeve të larta të saj, miratonte edhe direktivat e planeve ekonomike 5-vjeçare. Me pranimin e pluralizmit, në fund të 1990-s, Partia e Punës nuk kishte alternativë tjetër veç asaj të shndërrimit në një forcë konkurruese si gjithë të tjera, madje në shembullin e partive të tjera komuniste të lindjes, të ndërronte edhe emrin. Në aktin e PPSH-së së 26 dhjetorit 1990, ishte vendosur që kongresi që do përcaktonte të ardhmen e partisë në 50-vjetorin e themelimit të saj, të mbahej pikërisht më 10 qershor 1991, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Pas mbarimit të zgjedhjeve të 31 marsit 1991, ku PPSH fitoi shumicën në Kuvendin Popullor dhe pas zgjedhjes së Ramiz Alisë, më 30 prill 1991 President i Republikës, Partia e Punës e pa veten e saj pa sekretar të parë. Alia dha dorëheqjen si sekretar i parë i PPSH-së, në përputhje me Dispozitat Kryesore Kushtetuese dhe mbajti vetëm postin e Presidentit.
Nga ana tjetër, qysh më 23 mars 1991, nga aktivi i PPSH-së u caktua komiteti organizator.
Në prag të kongresit PPSH, bëri të njohur edhe projekt-programin e ri të saj prej 5 kapituj kryesorë. Në hyrje thuhej se në të gjithë veprimtarinë e saj, partia ishte frymëzuar nga “idealet fisnike”, duke u shprehur se ishte vendosur të shkëputej në mënyrë përfundimtare nga çdo gjë e gabuar e së kaluarës. Shpallej përtëritje e partisë, përkrahja e ekonomisë së tregut, kryerja e objektivave socialë dhe për një politikë të jashtme pa komplekse e bashkëkohore. Po ashtu u shpall edhe projekt-statuti i ri.
Në Kongresin e 10-të, fjalën e hapjes e mbajti sekretari Spiro Dede, ndërsa raporti me mjaft tone kritike për jetën e partisë u mbajt nga sekretari Xhelil Gjoni. Në kongres ishte vendosur një basoreliev i Enver Hoxhës. Ramiz Alia dhe të ftuar të tjerë e ndiqnin kongresin nga lozhat.
Përjashtimet e mëdha
Pritej që zemërimi të binte mbi drejtuesit më të lartë të PPSH-së, kryesisht anëtarë dhe kandidatë të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së. Për brezat e rinj që nuk e kuptojnë funksionin e Byrosë Politike, duhet thënë se ajo ishte një lloj kryesie partie që shërbente si pushtet ekzekutiv i partisë midis dy kongreseve. Seanca e përjashtimeve u zhvillua me dyer të mbyllura. Ajo nuk u transmetua në Televizionin Shqiptar. Të nesërmen e ditës së parë të kongresit, gazeta “Zëri i Popullit” u mjaftua vetëm me një njoftim të shkurtër, rreth përjashtimeve të mëdha. Për të përfunduar procedurat e përjashtimit ishte hartuar edhe një formular tip. Këtij në fund i shtohej me shkrim dore vetëm emri i personit që do përjashtohej. Dukej që Partia e Punës e kishte mbledhur mendjen të ishte më praktike se kurrë, në marrjen e vendimeve. Pas pyetjeve maratonë të delegatëve, në qendër të të cilave ishin shpërdorimet ekonomike të ish zyrtarëve të lartë, mbledhja vendosi përjashtimin nga Komiteti Qendror dhe partia i këtyre personave:
1-Manush Myftiu – ish anëtar i Byrosë Politike, ish kryetar i Kuvendit Popullor, ish zv/kryeministër dhe ministër
2-Lenka Çuko, – ish anëtare e Byrosë Politike, ish sekretare e parë e Komitetit të PPSH-së në Lushnjë.
3-Rita Marko – ish anëtar i Byrosë Politike, ish zv/kryetar i Presidiumit të Kuvendit dhe ministër.
4-Pali Miska – ish anëtar i Byrosë Politike, ish kryetar i Kuvendit Popullor, ish zëvendëskryeministër, ish ministër, ish sekretar i parë në disa komitete të PPSH-së në rrethe.
5-Hekuran Isai – ish anëtar i Byrosë Politike, ish zëvendëskryeministër, ish ministër i Punëve të Brendshme, ish sekretar i parë në disa komitete të PPSH-së në rrethe.
6-Simon Stefani – ish anëtar i Byrosë Politike, ish kryetar i Kuvendit Popullor, ish zëvendëskryeministër, ish ministër i Punëve të Brendshme, ish kryetar i Kontrollit të Shtetit
7-Qirjako Mihali – ish kandidat i Byrosë Politike, ish zëvendëskryeministër, ish ministër.
8-Muho Asllani – ish anëtar i Byrosë Politike, ish ministër, ish sekretar i komiteteve të PPSH-së në Shkodër e Durrës.
9-Xhemal Dymylja – ish sekretar i komiteteve të PPSH-së në Elbasan e Shkodër.
Grupi i dytë që u prek nga përjashtimi, u la në parti. Kësisoj u përjashtuan nga Komiteti Qëndror në akuzën e abuzimit me detyrën:
1-Foto Çami – ish anëtar i Byrosë Politike.
2-Pirro Kondi – ish kandidat i Byrosë Politike dhe sekretar i parë në rrethe.
3-Prokop Murra – ish anëtar i Byrosë Politike dhe ish ministër.
4-Besnik Bekteshi – ish anëtar i Byrosë Politike dhe ish ministër
5-Llambi Gegprifti – ish kandidat i Byrosë Politike dhe ish ministër
6-Hajredin Çeliku – ish anëtar i Byrosë Politike dhe ish ministër
7-Spiro Koleka – ish anëtar i Byrosë Politike ish zëvendëskryetar dhe ish ministër.
8-Haki Toska – ish anëtar i Byrosë Politike ish zëvendëskryetar dhe ish ministër
Në kongres foli edhe Presidenti Ramiz Alia, i cili ndër të tjera tha se vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës duhej “bërë pa dilema”. Diskutoi edhe Nexhmije Hoxhën. Shumë nga diskutantët premtuan besnikëri ndaj Enver Hoxhës, ndërsa delegati Dritëro Agolli nuk u la të mbarojë fjalën sepse kritikoi disa politika të kaluara të Enver Hoxhës.
Në fund siç edhe pritej, më 12 qershor 1991, partia ndryshoi edhe emër. Përveç propozimit që fitoi (Partia Socialiste), dy propozimet e tjera ishin që partia të kishte emrin “Partia e së Ardhmes Socialiste”, si dhe të ruante emrin e vjetër.
Delegatët votuan me vota të hapura për emrin Partia Socialiste. Të nesërmen, organi i partisë, “Zëri i Popullit”, hoqi menjëherë nga koka e tij draprin dhe çekanin si dhe parullën marksiste “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”.
Partia Socialiste shpalli programin e saj të ri, duke u shprehur për ndërtimin e shoqërisë kapitaliste, por me një rol të madh të shtetit në të, zhvillimin hap pas hapi të reformave, pronësinë e shtetit mbi tokën dhe sektorët e industrisë.
Kongresi zgjodhi Kryesinë e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste (që zëvendësoi Byronë Politike) të përbërë nga: Fatos Nano – kryetar, Ismali Lleshi – nënkryetar, Spiro Dede – nënkryetar, Servet Pëllumbi – nënkryetar, Dritëro Agolli, Ermelinda Meksi, Et’hem Ruka, Gramoz Ruçi, Halil Lalaj, Kostaq Duka, Namik Dokle, Paqësor Zeneli, Shaqir Vukaj, Shkëlqim Cani, Xhevat Lloshi.
Komiteti Qendror ndërroi emër, u emërtua Komiteti i Përgjithshëm Drejtues dhe përbëhej nga 81 anëtarë.
***
Formulari i përjashtimit për Manush Myftiun, Lenka Çukon, Rita Markon, Pali Miskën, Hekuran Isain, Simon Stefanin, Qirjako Mihalin, Muho Asllanin dhe Xhemal Dymyljen.
Vendim i kongresit të 10 të PPSH-së
Kongresi i 10-të i PPSH-së më datën 10 qershor 1991, me propozim të një grupi delegatësh, diskutoi me preokupacion të thellë rreth përgjegjësisë së udhëheqjes së lartë të Partisë për krizën e rëndë në të cilën po kalon vendi, për paaftësinë dhe mefshtësinë e treguar prej saj në drejtimin e Partisë e të vendit, për privilegjet dhe abuzimet e disa prej udhëheqësve partiakë e shtetërorë.
Kongresi u distancua nga praktikat që kanë nxitur dhe ushqyer diferencimet e thella, privilegjet në udhëheqjen e Partisë e të shtetit, gjë që ka sjellë shkëputjen e tyre nga masat, anëtarët e thjeshtë të Partisë, shkëputje që më ndjeshëm u shfaq sidomos kohët e fundit, kur vendi po hynte në rrugën e proceseve të vrullshme demokratike, kur masa e anëtarëve të Partisë kishte nevojë më shumë se kurrë për tribunët e vet, kur klasa punëtore, fshatarësia dhe inteligjencia ndiente nevojën që udhëheqësit t’i kishte çdo çast midis tyre.
Këto qëndrime i kanë sjellë dëm të madh Partisë, imazhit të saj në sytë e popullit dhe të anëtarëve të Partisë,
Prandaj,
Vendosi:
1. Të përjashtojë nga Komiteti Qendror dhe nga radhët e partisë (...shënohej me shkrim dore emri i të përjashtuarit).