E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentinë, Kirchner replikon me Cameron

Presidentja e Argjentinës ka dënuar deklaratën e javës së kaluar të kryeministrit britanik se qeveria e saj po sillet si një kolonialiste lidhur me çështjen e ishujve Falkland.

Në shfaqjen e parë publike pas operacionit, Cristina Fernandez de Kirchner i ka cilësuar deklaratat e David Cameron si “të pakuptimta”.

“Ata po përpiqen të na portretizojnë si njerëz të këqinj apo të dhunshëm, por ne nuk jemi aspak të tillë”, ka deklaruar zonja Fernandez, e shfaqur pas 20 ditësh trajtimi mjekësor.

Zoti Cameron sulmoi ashpër Argjentinën javën e kaluar kur akuzoi vendin se kishte përdorur një sjellje kolonialiste mbi çështjen e ishujve të diskutuar.

Duke iu referuar deklaratës së zotit Cameron, zonja Fernandez u shpreh se, njerëzit thonë gjëra të pakuptimta atëherë kur nuk kanë argumente solide.

Komentet e saj erdhën pak para një fjalimi që do të mbante para mbështetësve të saj tek Pallati Presidencial i Argjentinës. Por ato tregojnë edhe sa e ndjeshme mbetet cështja e ishujve Flakland në shoqërinë argjentinase.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›