E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argument/ Bode: Vendet e rajonit rezltojne me rritje ekonomike më të lartë se vendet e tjera

Ministri i Financave, Ridvan Bode, vlerësoi sot në Tiranë, gjatë punimeve të konferencës së II rajonale "Modernizimi i administratës tatimore-kyç i reformave të suksesshme të çdo vendi",  reformat e ndërmarra në kuadër të përmirësimit të administratave tatimore. "Fakti që rajoni ynë vazhdon me një rritje ekonomike më të lartë krahasuar me vendet e tjera, fakti që të gjithë vendet e rajonit janë shumë të ndjeshëm ndaj politikave fiskale dhe praktikave tatimore, aq sa në një farë mënyre jemi futur në një garë pozitive me njëri - tjetrin për të adoptuar nivele të ulëta taksash, dëshmon sensibilitetin e politikave fiskale dhe të administrimit tatimor në raport me politikat për zhvillimin ekonomik në secilin prej vendeve tona", deklaroi ai. Duke e cilësuar rajonin si "i etur për zhvillim të shpejtë, për tërheqjen e investimeve të huaja, për nxitjen e nismave private në të gjithë sektorët e ekonomisë", ministri Bode tha se reformimi dhe modernizimi i administratës tatimore në Shqipëri ka qenë dhe është në thelb të politikave ekonomike dhe institucionale të qeverisë. Sipas tij, "pas një rruge të vështirë reformimi dhe ndryshimesh rrënjësore, sot administrata tatimore mbledh një sasi të ardhurash, që në përqindje të PBB -së është shumë afër mesatares së rajonit, edhe pse politika tatimore e ndjekur gjatë viteve të fundit ka qenë ajo e uljes së taksave, kryesisht për të nxitur sipërmarrjen dhe për tërheqjen e investimeve të huaja". Duke u ndalur edhe në sfidat për të ardhmen ministri Bode tha se "sfida më e vështirë e administratës tatimore shqiptare për të ardhmen është rritja e fleksibilitetit, në mënyrë që të jetë në gjendje t’i përgjigjet në mënyrën e duhur faktorëve dhe risqeve që i vijnë nga konteksti i jashtëm dhe i brendshëm dhe të identifikojë rreziqet më të mëdha që mund të paraqiten në lidhje me të ardhurat".


Fjala e plotë e ministrit Bode


Shkëlqesia juaj z. Ambasador Ëithers! Të nderuar të ftuar nga administrata tatimore e vendeve të rajonit! Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës! Së pari në emër të qeverisë  do t’i uroj mirëseardhjen miqve nga vendet e rajonit dhe të gjithëve së bashku t’ju uroj suksese në këtë takim të dytë të vendeve të administratave të rajonit tonë. Vlerësojmë shumë organizimin e kësaj konference dhe shndërrimin e saj në një traditë për të gjitha vendet e rajonit pasi përbën një instrument të gjetur për të këmbyer me njëri – tjetrin eksperiencat më të mira, në realizimin e procedurave tatimore, në modernizimin në tërësi të administratave tatimore, por edhe diskutimin e politikave fiskale, për të mundësuar një rajon homogjen nga pikëpamja e politikave dhe praktikave fiskale, sepse kjo do të jetë në të mirën tonë të përbashkët. Një rajon i etur për zhvillim të shpejtë, për tërheqjen e investimeve të huaja, për nxitjen e nismave private në të gjithë sektorët e ekonomisë. Dhe në fakt zhvillimet e rajonit tonë janë pozitive. Fakti që rajoni ynë vazhdon me një rritje ekonomike më të lartë krahasuar me vendet e tjera, fakti që të gjithë vendet e rajonit janë shumë të ndjeshëm ndaj politikave fiskale dhe praktikave tatimore, aq sa në një farë mënyrë jemi futur në një garë pozitive me njëri – tjetrin për të adoptuar nivele të ulëta taksash dëshmon sensibilietin e politikave fiskale  dhe të administrimit tatimor në raport me politikat për zhvillimin ekonomik në secilin prej vendeve tona. Të nderuar zonja dhe zotërinj! Reformimi dhe modernizimi administratës tatimore në Shqipëri ka qenë dhe është ne thelb të politikave ekonomike dhe institucionale të Qeverisë. Politika tatimore e Shqipërisë ka një jetë relativisht të shkurtër, qe nga viti ‘90 e deri me sot. Ashtu si dhe vendet e tjera të bllokut lindor, vendimmarrësit në Shqipëri patën mundësinë të përfitonin nga eksperiencat e konsoliduara të vendeve më të zhvilluara, me ekonomi të zhvilluar tregu. Megjithatë, përshtatja e ligjeve tatimore me kushtet e regjimit të ri ekonomik u krye me ritme më të shpejta sesa reformimi i pjesës institucionale të politikes tatimore, që kishte të bënte me administrimin e sistemit të ri tatimor. Kjo pati si rrjedhojë mungesa të theksuara në mbledhjen e të ardhurave, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nga ana tjetër, sistemi i ri tatimor shqiptar ishte i ndikuar dhe nga konteksti i brendshëm ekonomik dhe social i vendit, që karakterizohej nga mungesa e kulturës së pagimit të taksave, nga pesha dominuese e bujqësisë në ekonomi, dhe faktorë të tjerë, që krijuan kushtet për përhapjen e informalitetit dhe të fenomeneve të evazionit fiskal. Eksperienca e reformimit të pjesës ligjore të sistemit tatimor, duke mos u shoqëruar me të njëjtat ritme me reformimin e pjesës administrative, tregoi sesa i rëndësishëm është administrimi në një politikë taksash, në mënyrë që të arrihen objektivat parësore të kësaj politike: mbledhja e të ardhurave për financimin e veprimtarisë shtetërore dhe politikave publike dhe krijimi i një mjedisi nxitës për sipërmarrjen. Megjithatë, pas një rruge të vështirë reformimi dhe ndryshimesh rrënjësore, sot administrata tatimore mbledh një sasi të ardhurash, që në përqindje të PBB –së është shumë afër mesatares së rajonit, edhe pse politika tatimore e ndjekur gjatë viteve të fundit ka qenë ajo e uljes së taksave, kryesisht për të nxitur sipërmarrjen dhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Kjo tregon që masat e marra dhe politikat e ndjekura, po japin rezultatet e tyre pozitive. Ndërsa nga ana organizative dhe manaxheriale, edhe sipas përfundimeve të fund muajit të kaluar të Fondit Monetar, administrata e sotme tatimore shqiptare ka mjaft nga tiparet e një administrate moderne. Misioni dhe politikat sipas të cilave orientohet administrata tatimore është zbatimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si një institucion me rëndësi të madhe për ekonominë shqiptare, i politikave të të ardhurave me profesionalizëm, integritet dhe ndershmëri, me një standard që krijon besueshmëri tek qytetaret, dhe kredibilitet me partnerët e qeverise dhe komunitetin e biznesit vendas dhe të huaj. Rritja e performancës dhe besueshmërisë së administratës tatimore është një nga shtyllat e strategjisë së financave publike. E theksoj rëndësinë e strategjisë, për të nxjerrë në pah që reformat dhe ndryshimet që kanë interesuar dhe do të vazhdojnë të interesojnë administratën tatimore, janë të vendosura në një kontekst strategjik afatgjatë, që ka si objektiv të fundit zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin. Nga ana tjetër, përmirësimet në administrimin e të ardhurave janë një nevojë e domosdoshme edhe në kuadrin e përpjekjeve për integrim të Shqipërisë në strukturat europiane. Politikat në lidhje me këtë qëllim strategjik synojnë të rrisin efikasitetin operativ të administratës tatimore dhe të nxisin shlyerjen vullnetare të detyrimeve nga taksapaguesit. Ndër më kryesorët përmendim:


• Kryerja e analizave e riskut të tatimpaguesve për identifikimin e burimeve kryesore të evazionit tatimor dhe uljen e tij; rritja e arkëtimeve vullnetare të detyrimeve tatimore; forcimi i kontrollit dhe monitorimit të regjistrimit, deklarimit dhe pagesës së detyrimeve; thjeshtimi i procedurave të deklarimit të pagesës; dhe përmirësimi në mbledhjen dhe analizën e informacionit;


• Rritja e cilësisë së shërbimit për tatimpaguesit dhe e besueshmërisë ndaj tyre, duke përmirësuar në këtë mënyrë klimën e biznesit;


• Fuqizimi i përsosmërisë, i menaxhimit të kontrollit dhe i auditimit të brendshëm në administratën tatimore, për të luftuar korrupsionin dhe moszbatimin e drejtë të rregullave e procedurave, përmes hetimeve të pavarura dhe procedurave ankimore;


• Përmirësimi i menaxhimit të burimeve njerëzore;


• Informatizimi i plotë i administratës tatimore. Në rrugën e saj për reformim administrata tatimore tatimore shqiptare është asistuar në mënyrë të vazhdueshme nga  Departamenti i Çështjeve Fiskale të FMN-së, nga qeveria amerikane përmes USAID-it, DFID-it, SIDA, Bashkimi Europian dhe partnerë të tjerë, që kanë dhënë asistencën e tyre të vlefshme në formulimin dhe zbatimin e politikave modernizuese të administratës tatimore. Unë gjej rastin për t’i shprehur falenderim dhe mirënjohje këtyre organizmave partnere dhe vendeve mike, që kanë lehtësuar këtë reformë kaq të thellë strukturore në këtë sektor. Përpjekjet e vazhdueshme reformuese kane rezultuar në një administratë tatimore të organizuar në bazë funksionesh, me tiparet e një agjencie shërbimi për taksapaguesin, që kryen aktivitetin e saj në bazë analizash dhe objektivash strategjike. Veçanërisht, 3 vitet e fundit mund të konsiderohen si vitet e reformave të fuqishme në sistemin administrativ tatimor , duke u karakterizuar nga zhvillime të rëndësishme :


• Në kuadrin ligjor, është miratuar gjatë vitit 2008 ligji i ri integral “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.”, ligj i hartuar me asistencën dhe ekspertizën e organizmave ndërkombëtare (USAID), në kuadër të programit të sfidës së mijëvjeçarit. Ky ligj i ri, ka përshtatur praktikat më të mira ndërkombëtare të procedurave tatimore me kushtet dhe rrethanat e vendit tone, duke synuar reduktimin e informalitetit dhe përmirësimin e klimës për biznesin.


• Është vendosur sistemi kompjuterik i nevojshëm për deklarimin dhe pagesën elektronike të tatimeve nga bizneset. Ky sistem synon të shmangë kontaktet mes tatimpaguesve dhe punonjësve tatimore. Sistemi i « taksës elektronike » nënkupton se tatimpaguesi ka mundësi të shkarkojë si dhe të dorëzojë deklaratën elektronikisht, pa pasur nevojë të kontaktojë zyrtaret tatimore, por edhe të kryejë pagesën në të njëjtën mënyrë ;


• Ka patur një riorganizim gjithëpërfshirës të strukturave të administratës tatimore, me qëllim rritjen e eficencës dhe përqendrimin e burimeve në administrimin e taksapaguesve të mëdhenj ;


• Ka patur përmirësime në cilësinë e shërbimit ndaj tatimpaguesve, përmes rritjes së aksesit në shërbime, përmes thjeshtimit të procedurave dhe rritjes së transparencës si dhe zgjerimit të informatizimit; janë thjeshtuar dhe modernizuar procedurat për regjistrim të aktivitetit të biznesit, me fillimin e funksionimit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, që ka shkurtuar në mënyrë drastike kohët e hapjes së një biznesi, nga 42 ditë, në një ditë të vetme;


• Ndryshime ka patur edhe në kuadrin procedurial të apelimit dhe mbrojtjes së tatimpaguesve kundrejt vendimeve të administratës tatimore : janë unifikuar procedurat e apelimit për të gjitha llojet e taksave ; është ngritur departamenti i apelimeve tatimore në Drejtorinë e Përgjithshme te Tatimeve për shqyrtimin e ankimimeve nga taksapaguesit. Procesi i apelimit është reformuar dhe thjeshtëzuar;


• Lidhur me informatizimin, është realizuar prezantimi i sistemit MIS-Menaxhimi i Integruar i Sistemit-qe synon të përfshijë në një sistem të gjitha degët tatimore dhe po kryhen trajnime të stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me mbështetjen e USAID. Treguesi më i mirë i rritjes së performancës së administratës tatimore shqiptare është reduktimi i evazionit fiskal. Indikatorët më të mirë sasiorë në këtë drejtim janë të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat kanë qene tatimet më të goditura nga evazioni fiskal. Ndryshimet ligjore të tre viteve te fundit¸ që lidhen me administrimin dhe normat tarifore¸ kane ndikuar në rritjen e pajtueshmërisë me këtë taksë¸ rritjen e deklarimeve dhe të të ardhurave. Vetëm në 3 vitet e fundit në mundësuam uljen e Tatim Fitimit nga 25 % në 10, po kështu në të njëjtën masë Tatimin mbi dividentin u ul nga 25 % në 10 %, Tatimi për të ardhurat personale u aplikua si taksë njëtarifore duke ulur nivelin e lartë nga 23 % në 10 %. Kemi përgjysmuar  kontributin e sigurimeve shoqërore, taksën e punës nga 30 % në 15 % nga 1 maj i vitit të ardhshëm. Kemi përgjysmuar taksën e biznesit të vogël nga 3 % në 1.5 %  në xhiro. Kemi hequr rreth 22 tarifa e taksa nacionale duke i bërë ato në nivelin 1 euro ose duke i hequr tërësisht këto taksa. Dhe rezultatet janë tërësisht pozitive. Të ardhurat në buxhet janë rritur me  3.2 miliard USD në 3 vite. Ose e thënë në përqindje në raport me PBB, të ardhurat e buxhetit arrijnë në vitin në vijim 28 % e PBB nga 24 % që kanë qenë 3 vite më parë edhe pse taksat janë përgjysmuar. Të gjitha këto dëshmojnë se zgjerimi i bazës tatimore dhe ulja e taksave përbën një instrument efikas për të luftuar informalitetin, për të dominuar evazionin fiskal dhe korrupsionin në fushën e taksave. Shqipëria mundësoi të jetë një rast,  shembull pozitiv në zbatimin e kësaj politike,  e kësaj strategjie dhe teorie.  Sfida më e vështirë e administratës tatimore shqiptare për të ardhmen është rritja e fleksibilitetit, në mënyrë që të jetë në gjendje t’i përgjigjet në mënyrën e duhur faktorëve dhe risqeve që i vijnë nga konteksti i jashtëm dhe i brendshëm dhe të identifikojë rreziqet më të mëdha që mund të paraqiten në lidhje me të ardhurat (zhvillimet ekonomike të brendshme dhe të jashtme, zhvillimet në tregtinë ndërkombëtare, në tregtinë elektronike, ndryshimet e strukturës ekonomike brenda vendit, etj.) dhe t’i shfrytëzojë ato në mënyrë që të minimizohet hendeku midis të ardhurave tatimore të mbledhshme dhe ato qe efektivisht mbledh kjo administratë. Orientimi i punës së administratës nga objektiva strategjike, përveç se nga treguesit e mbledhjes së të ardhurave, është shumë i rëndësishëm. Puna jonë në të ardhmen do të fokusohet te :


• Forcimi i menaxhimit të pajtueshmërisë me taksat. Pajtueshmëria me taksat përkthehet ne shlyerjen vullnetare të detyrimeve ndaj shtetit të individëve dhe bizneseve. Realizimi i këtij objektivi pune do të kërkojë: monitorim nga afër të nivelit të pajtueshmërisë të taksapaguesve me detyrimet e tyre fiskale në lidhje me regjistrimin, deklarimin, pagesën, mos raportimin dhe mënyrat e tjera të evazionit fiskal;


• Promovimi i një kulture shërbimi brenda administratës tatimore. Ky është një objektiv më afatgjatë, që synon rritjen e shlyerjes vullnetare të detyrimeve nga taksapaguesit dhe rritjen e të ardhurave;


• Përmirësimi i kapaciteteve për menaxhim strategjik;


• Zgjerimi i procedurave dhe sistemeve moderne të auditimit të taksapaguesve;


• Forcimi i procedurave të brendshme të auditimit, nëpërmjet kryerjes së hetimeve mbi parregullsitë në punë, zbatimit te procedurave të ankimimit. Në të njëjtën kohë, thjeshtimi dhe qartësimi i procedurave dhe rregullave do të parandalojë vendimet diskrecionale të punonjësve gjatë zbatimit të detyrave të tyre.


• Forcimi i menaxhimit të burimeve njerëzore. Vendosja e rregullave transparente për rekrutimin, ngritjen në detyrë dhe shkarkimin e punonjësve, në përputhje me rregullat bazë të shërbimit publik dhe ligjit për Procedurat Tatimore; përfshirja graduale e punonjësve tatimorë në shërbimin publik; intensifikimi i trajnimeve, sidomos në fushën e auditimeve, dhe arritja e respektimit të plotë të legjislacionit dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me procedurat dhe çështjet e burimeve njerëzore.


• Forcimi i punës së njësisë Anti-Korrupsion të ngritur brenda administratës tatimore, për luftimin e korrupsionit, mashtrimit dhe vjedhjeve; rishikimi i Kodit te Etikes; ngritja e shërbimit të standardeve profesionale dhe morale. Në kontekstin e këtyre reformave dhe sfidave që e presin administratën tatimore shqiptare, e konsideroj te frytshme organizimin e kësaj konference rajonale, për të ndarë së bashku eksperiencat  e ndryshme dhe për të ravijëzuar fushat e përbashkëta të bashkëpunimit. Duke i uruar punime te mbara kësaj Konference, ju falenderoj edhe një herë për pjesëmarrjen tuaj!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›