Argumentat e Vlora Hysenit për marrëdhënien me Ergys Agasin

Më 18 shtator, Vlora Hyseni është marrë në pyetje nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në cilësinë e personit që kishte dijeni, ndërsa kërkesa e SPAK për caktimin e një mase sigurie ndaj saj kishte rreth pesë ditë që ndodhej në Gjykatën e Posaçme.
Sipas burimeve të bëra publike, Hyseni ka pranuar se ka pasur kontakte me Ergys Agasin gjatë periudhës kur ky i fundit ndodhej në kërkim, por ka mohuar se e ka takuar fizikisht. Ajo ka pretenduar se komunikimi me Agasin ka qenë në cilësinë e bashkëpunëtorit të SHISH, duke argumentuar se në këtë funksion ka kontakte edhe me persona të tjerë.
SPAK, megjithatë, dyshon se marrëdhënia mes Hysenit dhe Agasit ka qenë më shumë se profesionale. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat mbi dosjen hetimore, në telefonin e sekuestruar të Agasit janë gjetur komunikime me Hysenin, ndërsa hetuesit dyshohet se disponojnë edhe materiale të tjera që lidhen me marrëdhënien mes tyre.
Mes komunikimeve të bëra publike janë edhe fragmente si: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi tek halli jot”, “Të gjithë ne” dhe “Do përfundojmë keq, shpirt”. Sipas SPAK, këto komunikime nuk përputhen me pretendimin se marrëdhënia mes tyre ka qenë vetëm në kuadër të bashkëpunimit me SHISH.
Sponsorizuar
Po ashtu, sipas të dhënave të publikuara nga mediat, hetuesit dyshojnë se Agasi ka pasur kontakte fizike me Hysenin, në kundërshtim me deklarimin e saj se komunikimet kanë qenë vetëm telefonike.
Në automjetin e sekuestruar të Ergys Agasit në zonën e “Equos Resort”, sipas raportimeve mbi dosjen, janë gjetur materiale që dyshohet se përmbanin të dhëna të SHISH. Raportime të tjera flasin edhe për materiale me të dhëna që lidhen me strukturat e sigurisë.
Një tjetër pistë e hetimit lidhet me periudhën kur Agasi ishte në kërkim. Sipas të dhënave të publikuara, ai dyshohet se ka qëndruar pranë vilave qeveritare në Durrës dhe se është ndihmuar për t’iu shmangur arrestimit. Për pretendimin se Hyseni mund t’i ketë vënë në dispozicion mjete apo pajisje të SHISH, nuk ka një konfirmim zyrtar të bërë publik deri tani.
Ndërkohë, SPAK dyshon se menaxheri i “Kodrës së Kuajve”, Embro Sulejmani, i ka dërguar Agasit ushqime dhe sende të tjera të nevojshme gjatë kohës që ai ishte në kërkim, duke qenë në dijeni të pozitës së tij ligjore. Për Sulejmanin Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “arrest në burg”. a.b