E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argumenti më i ri i për nihilizmin opozitar

26-11-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Reshjet e ditëve të fundit në Siçili dhe në Sardenjë shkaktuan dëme të mëdha materiale.  Për fat të keq pati edhe dhjetë viktima në njerëz.  Njëri prej atyre ishte dhjetëvjeçar.
Në një vend me aftësi ndërtuese si Italia, shumë më të mëdha se vendi ynë,  kjo u quajt si një fatkeqësi natyrore. Krahasimi i vetvetishëm që të përftohet në kujtesë, është ai i përmbytjes së të gjithë Shkodrës, me rrethinat e saj e më gjerë. Ndonëse masat e qeverisë shqiptare për të shpëtuar njerëz, në radhë të parë, ishin të admirueshme, asnjë  shprehje, asnjë fjalë, nuk doli në mediet me frymëzim opozitar, për të  nxjerrë në pah përpjekjet, përtej së zakonshmes, nga ana e qeverisë Berisha.
Shpejtësia e ardhjes në ndihmë ishte fenomenale. Ushtria u gjend në vendin e vërshimeve ujore pa asnjë vonesë, aty për aty, - do të thoshim. Me çadra, me mjete të motorizuara, me specialistë. Gjeti në vend, disa minuta më parë apo më pas, - ekipe mjekësore me të gjitha aparaturat e nevojshme në këso rastesh. Autoambulancat shiheshin në ekran në lëvizje të gjithandejshme dhe spitalet ishin dyerhapur, me sallat në gatishmëri, për të mos shkaktuar as vonesën e matur me sekonda.
Për viktima njerëzore jo vetëm që nuk bëhej fjalë, por pamë në ekran edhe mjete lundruese me dysheme trarësh që kishin përsipër kuaj, lopë, buaj e kafshë të tjera, për t’i çuar në vende të sigurta.
Kjo ishte panorama.
Megjithatë u lëshuan lumenj buzëvarjesh, sepse nuk ishin bërë këto apo ato argjinatura,  përse mungonin barrierat që të mos dilte lumi nga shtrati, madje edhe për vilat që ishin ndërtuar pa leje në pjesën më të ulët të sipërfaqes. Paçka se një pjesa e madhe e tyre ishin ndërtuar gjatë atij tetëvjeçari, me mbiemrin “i mallkuar”. Ky cilësor kishte për kumbarë vetë Edi Ramën!
Hotelet e Shkodrës dhe të vendeve të tjera të përmbytura, u vunë në dispozicion të të shpëtuarve me gomone e me trape për t’iu shmangur rrezikut.
E përsëritim: kjo ishte e vërteta e kësaj fatkeqësie natyrore.
Në të vërtetë llogaritej që një gjendje e tillë nuk kishte ndodhur para dhjetëvjeçarësh, por llogaritej me shekuj. Si pasojë, edhe barrierat fortifikuese i kishte përlarë vërshimi ujor. Por nihilistët harronin të bënin pyetjen më të thjeshtë: Ç’ishte bërë gjatë kohës tetëvjeçare të pasnëntëdhjetë e nëntës për ato që mëtoheshin të jetësoheshin nga qeveria, kur kjo e kishte bërë të sajën, por punimet nuk i kishin rezistuar një gjendjeje të jashtëzakonshme? Përse nuk përmendej fakti i  mungesës së asnjë viktime të vetme?
Kemi të bëjmë me një tipar të prerë të opozitës destruktive: Asgjë të mirë nuk duhet evidentuar në favor të punëve të pakrahasueshme të qeverisjes së re. Mund të përmendej përçapja për ndërtimin e  një autostrade, që u emërtua përmes “taksës Majko”, paçka se ishte vetëm një mendim, një idé, apo një hamendësim, për të qenë më të saktë. Por, ama, për Autostradën e Kombit, me tunele arkitektonike të një niveli të rrallë evropian, jo vetëm që s’u tha asnjë fjalë e mirë, jo vetëm që fillimisht nuk vajtën denigruesit as për ta parë, por ngritën edhe versione të sajuara korruptive, kur kontabilizuesit ishin dy persona të huaj, me reputacion europian e më gjerë. Ndërsa për atë “rrugën” që s’u bë asnjë centimetër, por që ia morën, megjithatë, taksën milionëshe, nuk u tha, së paku se ç’u bë kjo taksë!
Ç’do të thoshin këta nihilistë, të damkosur si të tillë, po të kishte ndodhur qoftë edhe një viktimë e vetme në atë rrebesh të paparë ndonjëherë nga brezat tanë?
***
Nihilizmi nuk është tipari i vetëm i Edi Ramës, i përçuar me autoritarizmin e tij të hekurt në secilin prej propagandistëve të tij, që duhej të kishin të njëjtin stil të shprehjeve të cunguara dhe denigruese, si diktuesi i tyre. Ata që nuk flisnin me zhargonet e tij, mund të quheshin a priori  të përjashtuar nga organet drejtuese , duke përfshirë edhe Asamblenë  Kombëtare. Ato që nuk flisnin me zhargonet e tij, mund të hanin edhe ndonjë shpullë! Është tjetër punë ajo se dilte në krye të radhëve, si moralizator i përkorë,  për të folur për temën e të drejtave të grave, si flamurmbajtës i të drejtave të tyre, për të cilat ai vetë nuk jepte shembullin e vet personal!
***
Një qeveri e tillë, me punë të papara, do të kishte bërë progrese më të mëdha, sikur të kishim pasur një opozitë normale, të drejtë e bashkëpunuese, një opozitë me frymëzim europian.  Sikur të kishim një opozitë të pamolepsur  nga  nihilizmi, nga narcizizmi dhe megalomania e kreut të tanishëm, nga rrenat, nga mashtrimet, nga përdhosja, nga korrupsioni i pandëshkuar me mdihmesën e pluhurit të dosjeve në dorën bashkëpunuese të Th. Sallakut. Jo më kot ai mori një vend në Asamblenë e Ramës, për mbulimin e këtij korrupsioni, të shpallur nga vetë Rama, kur ia arriti që ta marrë pushtetin opozitar, me anë marifetesh që  neni 28 i statutit të PS-së të funksiononte për ish-kryetarin e PS-së, por jo për Edi Ramën!
Kështu, atij vargu cenesh që iu radhitën opozitës sonë, mund t’u shtohen të tjera. Më dëshpëruesja nga këto, është bashkëpunimi me antishqiptarë, për zhvatjen e pushtetit, qoftë edhe me 13.000 të vrarë(!). (Kështu u gatua 20 janari. 21 janari është provokimi në zbatim). Kështu fërkuan barkun édhe kur Dik Marti kërkonte perpretum mobile-n, domethënë të pamundurën. Po kështu u sajua edhe vjedhja e orës së dorës së presidentit Bush, që shkaktoi zemërimin e studentëve tanë jashtë shtetit, të cilët botuan një deklaratë proteste më 14 qershor 2007. Duke u shfaqur mirënjohjen  atyre shoqatave, po botojmë nga interneti edhe firmëtarët e nderuar: AlbStudent: Rette Internazionali delle Associazioni Studentesche Albanesi; NEW AGE: New Albanian Generation Era, Milano; USAB: Unione degli Studenti Albanesi di Bologna; Voxaquila: L’Associazione albanese a Parma; ASAUP: Associazione Studenti Albanesi dell’Università di Pavia; ASAB: Associazione Studenti Albanesi di Bari; Rinia, Viena; Illyria: Albanischer Studentenverein, Hamburgo; KSSHN Komuniteti Studentor Shqiptar Norvegji, Oslo.
Nga deklarata (rreth dy faqe printeri), e shkruar vetëm në italisht, po përkthejmë vetëm disa rreshta: “E ndjejmë veten tepër të fyer që vendi ynë dhe bashkatdhetarët tanë janë akuzuar botërisht se nuk  ushqejnë vlerat më të rëndësishme të kulturës sonë, domethënë ato të mikpritjes (…) Kemi lexuar edhe burime të shumta përgënjeshtruese (…) Reuters ka dhënë lajmin se presidenti i ShBA-ve, Xhorxh W. Bush, është shprehur se lajmi që është dhënë për të është fals. Falsitetin e pohon edhe Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, si edhe policia shqiptare. Opozita jonë e ka poshtëruar vendin tonë edhe me halucinacionet se gruaja e një kryebashkiaku majtist na qenkësh grabitur, i pakan nxjerrë asaj përdhunshëm fëmijën nga barku dhe e pakan hedhur në kanal, si edhe çmendurí të tjera që kanë tmerruar Tania Fajonin në BE. Së fundi, sikur të ishte një shaka e gëlltitshme, pa pikë turpi e pranojnë vetë gënjeshtrën dhe autori i gënjeshtrës vlerësohet nga kryegënjeshtari i “Kurbanit” me një vend në Asamblenë Kombëtare të socialistëve!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›