Topi-Ina Rama – Bahri Shaqiri, vizitë partiake në Torino
Pasi ishte në Milano për të përcjellë një ndeshje futbolli, treshja po e vijon turizmin në Torino, në një vizitë thellësisht partiake. Rrethi i bashkive socialiste që viziton Bamir Topi tashmë ka mbërritur edhe tek bashkia socialiste e Torinos, por me vete ka marrë edhe Ina Ramën e Bahri Shaqirin, si një tregues se bashkëpunimi i tyre mbështetet tek interesi i tyre personal dhe jo tek interesi i institucioneve që ata po turpërojnë çdo ditë
Burrel – Milano – Tiranë – Torino. Ky është itinerari i lëvizjes së Presidentit Bamir Topi, nga e mërkura deri dje, të paktën.
E lodhshme për nga ngarkesa, por e këndshme për nga qëllimi dhe afeksioni.
Si parantezë, e gjithë kjo lëvizje e Presidentit, ka qenë për qejf... dhe jo vetëm.
Ndërsa qejfi startoi ditën e mërkurë me një dekoratë të marrë në Burrel, mbrëmja ishte edhe më mbushur me qejf. Atmosfera sportive në stadiumin “San Siro” të Milanos, nuk mund të shijohej nga afër prej Presidentit Bamir Topi. Por, për të ndarë këtë kënaqësi të ndjekjes së ndeshjes së futbollit Milan – Barcelona, Presidenti Bamir Topi në këtë vizitë jozyrtare, e cila i bie të ketë qenë private, shoqërohej nga dy prej drejtuesve të institucione “të pavarura”, sikurse Ina Rama Prokurorja e Përgjithshme dhe Bahri Shaqiri, kreu i SHISH-it.
Mos e besoni po deshët, por kjo është e vërtetë.
Treshja Topi-Rama-Shaqiri, kanë qenë së bashku, në të njëjtën tribunë të stadiumit “San Siro”, duke bërë tifo..., kjo ende nuk dihet se për kë, Milanin apo Barcelonën.
Turravrapi i lodhshëm në dukje, po aq sa edhe i këndshëm, ka vazhduar për Presidentin Bamir Topi, duke “u hedhur një vrap deri në Tiranë” të enjten, për të zhvilluar një takim në Presidencë me një grup sipërmarrësish të huaj, pjesëmarrëse në Panairin XVIII Ndërkombëtar “Klik Ekspo Group” 2011.
Kaq ishte kënaqësia e së enjtes për Presidentin Bamir Topi…
… Sepse, pa zbardhur mirë dita e premte, u mësua se kreu i shtetit kishte fluturuar sërish drejt Italisë…, saktësisht në Torino, ku e prisnin, të njëjtët drejtues institucionesh “ta pavarura”… Afërmendsh, çdokujt i bie në mendje se për kë bëhet fjalë…
… E pra, ata e prisnin në Torino, Ina Rama Prokurorja e Përgjithshme dhe Bahri Shaqiri kreu i SHISH-it.
Pas kësaj “koincidence” të llogaritur deri në detaj, hamendësimet për këtë tur turistik të treshes së kupolës së shtetit, mund të jenë të shumta... Përpos të gjitha hamendësive të mundshme, njëri duket më bindës dhe “më me këmbë në tokë”...
Vizita e tyre në Milano e Torino është një vizitë, që ndërsa konfirmon aleancën e interesave të tyre të përbashkëta (jo interesat e institucioneve), e dekonspiron atë si një vizitë partiake.
Duket, bashkëpunimi i tyre i nisur në Tiranë, vijon edhe në Itali përgjatë përpjekjeve për krijimin e partisë së re opozitare.
E ndërsa në Tiranë, apo, bie fjala edhe në Pukë, në fushatën për themelimin e partisë së tij, Presidenti Bamir Topi ka vëmendjen e përpjekjet e Arjan Ndojave, qofshin të prokurorisë apo jo, në Itali puna e do që kjo vëmendje e përpjekje në këtë ndërmarrje për krijimin e një tjetër partie opozitare, të ngrihet deri në nivelin e Ina Ramës Prokurores së Përgjithshme dhe Bahri Shaqirit, kreut të SHISH-it.
Duket gjithashtu, se kredencialet si bonuse të Ina Ramës e Bahri Shaqirit, për partinë e re opozitare të Presidentit Bamir Topi, janë më të mëdha në Milano e Torino, nga çfarë këto kredenciale i mundësoi, bie fjala, prokurori Arian Ndoja, në shoqërimin që i bëri Presidentit Bamir Topi në Pukë...