E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trilloni dhe shpifni, Kryetari juaj i lidhur me ritin e vdekjes, ne me atë të jetës”

26-11-2011 / Gazeta 55

Berisha kundër qëndrimit të opozitës për buxhetin
 
Duke reaguar ndaj deputetëve të PS-së në Kuvend të cilët e cilësuan buxhetin 2012 si gënjeshtër, kreu i qeverisë theksoi se buxheti ka në parim rritjen ekonomike. “Po thoni gënjeshtra. Po trilloni për buxhetin. Buxheti ka një parim për rritjen ekonomike. Ju thoni të kundërta dhe të pavërtetat më të mëdha për buxhetin”, tha kryeministri.
Kryeministri Berisha deklaroi se në projektbuxhetin 2012 i janë akorduar pesë herë më shumë fonde pushtetit lokal, se sa në vitet e qeverisjes socialiste. “Janë së paku 35 miliardë lekë ose pesë herë më shumë fondet e akorduara në buxhet, krahasuar me atë që ju(opozita) iu dhatë me pikatore qeverive vendore. Sot qeveritë vendore kanë taksën e plotë të biznesit të vogël”, tha kryeministri Berisha, në përgjigje të akuzave të deputetëve socialistë për fonde të pamjaftueshme pushtetit lokal.
Ai konfirmoi se p/buxheti ka në parim rritjen ekonomike, ndërsa akuzat e opozitës i cilësoi “gënjeshtra”.
“Po thoni gënjeshtra dhe po trilloni për buxhetin. Buxheti ka një parim: rritjen ekonomike. Ndërsa ju thoni të kundërta dhe të pavërtetat më të mëdha për buxhetin”, u shpreh kryeministri, duke iu drejtuar deputetëve socialistë. Më konkretisht, Berisha replikoi me deputetin socialist Ben Blushi, të cilit i kujtoi taksat abuzive që mblidhte Edi Rama në bashkinë e Tiranës.
“Në 2005-ën ne gjetëm 7 miliard lekë fond të kushtëzuar dhe të pa kushtëzuar, për pushtetin vendor. Sot, në fondin e rajoneve në grandin e kushtëzuar dhe pa kushtëzuar janë së paku 35 miliard lekë. Janë së paku 5 herë më shumë sesa i dhatë ju me pikatore qeverive vendore. Janë, nëse do t’i proporconojnë ato 7-a, 30 për qind – 40 për qind ia jepnit bashkisë së Tiranës të cilat s’u futën kurrë në punë për rrugë dhe rrugicat e qytetarëve të Tiranës. Ish kryetari i bashkisë së Tiranës i detyronte bizneset të paguanin edhe për tabelën. E di si u përdor diskrecioni, që kryetari i bashkisë të tatonte vetëm për emrin. E vije ti aty shitorja ‘Blushi’? Do paguaje 900 mijë lekë vetëm për tabelën me emrin tënd ti zotëri”, u shpreh Berisha, ndërsa shtoi se abuzimet e Ramës në bashkinë e Tiranës s’kanë të llogaritur.
“Sa paguanin qytetarët e Tiranës për gjelbërimin? E dini ju se një pemë iu kushtonte 5 mijë dollarë. 17 milionë dollarë taksa të mbledhura në emër të diskrecionit, siç thotë ai zotëria, ku janë? Thoni po të doni se Tirana është qyteti më i pyllëzuar i rajonit. Por jo, s’e thoni ju. Shikoni sheshin qendror, nga betoni u kthye në gjelbërim. Ne nuk bëjmë kurbane të lidhura me ritin e vdekjes, riti ynë është ai i jetës. Qeveritë vendore sot kanë taksën e plotë të biznesit të vogël”, tha më tej Berisha.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›