E Diel, 1 Nëntor 2026

Ari Han: Shqipëria, makthi i karrierës Ekskluzive per “Panorama Sport”/ Ish-trajneri i Kombëtares, i zhgënjyer nga largimi. “Shqipëria ishte padyshim eksperienca ime më e keqe si trajner”

Jetmir Halilaj, Ylli Gorka - Me shqiptarët u nda në mënyrën më të keqe. Erdhi me shumë bujë dhe premtoi ta bënte ekipin tonë një “Holandë të vogël”, por në fund filloi të kënaqej edhe që nuk humbnim ndaj Maltës. Ari Hani tani cilësohet si një nga përgjegjësit kryesorë të dështimit të kuqezinjve këtë edicion, por ish-trajneri i Kombëtares shqiptare as që do t’ia dijë për këtë, madje tani preferon që njerëzit t’ia përmendin sa më pak fjalën “Shqipëri”. Holandezi, pa pikë droje e cilëson eksperiencën në krye të përfaqësueses tonë si më të errëtën dhe më negativen e të gjithë karrierës së tij. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, me shumë përtesë, por me tone të mllefosur dukshëm, ai ka thënë: “Kam disa oferta, madje shumë të mira, por ende nuk kam vendosur. Shqipëria? Nuk dua të flas më për të kaluarën time aty. Tani jam i bindur se ajo ishte eksperienca më e hidhur e karrierës sime. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për atë që ndodhi, kështu që nuk kam pse t’i rikthehem një të kaluare që s’më ka lënë mbresa të mira, përkundrazi”.
 
Portugalia
Barazimin 0-0 që arritën kuqezinjtë më 15 tetor të vitit të shkuar në Bragë me 10 futbollistë, e shiti në gjithë Evropën si një arritje personale, duke thënë se pa të, skuadra jonë nuk do të mund të kishte bërë atë paraqitje të mirë. Ai barazim historik i shtoi ditët holandezit në krye të Kombëtares shqiptare, pasi në rast dështimi, mund ta kishte prerë biletën e largimit ende pa u mbushur viti. E megjithatë, nuk ka dashur t’ia dijë se si u paraqitën lojtarët shqiptarë në ndeshjen e dytë me “brazilianët” e Evropës. “Nuk e kam parë ndeshjen e Shqipërisë me Portugalinë dhe të jem i sinqertë nuk kisha arsye pse ta shihja. Unë nuk jam më pjesë e skuadrës tuaj”, ka pohuar Hani.

Federata
Raportet e tij me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit janë në nivelin zero. Madje, Ari Han bën indiferentin edhe kur i vihet në dukje se këtu është cilësuar si përgjegjësi kryesor për paraqitjen e dobët të Kombëtares në eliminatoret e Botërorit 2010. “Nuk kam asnjë marrëdhënie me drejtuesit e FSHF-së. Si mund të kem, kur ju e dini mirë se si shkuan gjërat. Jam cilësuar unë përgjegjësi kryesor? Kam lexuar shumë gjëra në gazeta, por nuk kam ndërmend t’i komentoj ato që shkruajnë mediat shqiptare, apo të huajat. Tani për mua nis gjithçka nga e para”, ka deklaruar ish-trajneri i përfaqësueses kuqezi. Nën drejtimin e tij Shqipëria arriti që të grumbullonte vetëm gjashtë pikë në shtatë ndeshje, duke koleksionuar një fitore, tri barazime dhe tri humbje.

Zhgënjeu
Largimi, me kërkesë të FSHF-së
Pas humbjes 3-0 ndaj Danimarkës më 1 prill, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të ndërpriste marrëdhëniet me teknikun holandez, ndonëse kjo i kushtoi një dëm të madh financiar institucionit tonë të futbollit. Për shkak edhe të kontratës që palët kishin nënshkruar, FSHF-ja ishte detyruar që t’i paguante të gjitha detyrimet Hanit në rast se e shkarkonte. Pati një presion të konsiderueshëm nga pala shqiptare deri sa më në fund u arrit një marrëveshje që holandezi të largohej që në fillim të prillit, por do të paguhej deri në fund të qershorit.

Kuzhe
Përgjithësisht trajnerët e rinj flasin mirë për paraardhësit e tyre, pavarësisht punës apo rezultateve që ata kanë arritur në një skuadër. Interesant është fakti që Josip Kuzhe, trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, për asnjë moment nuk ka folur për holandezin dhe aq më pak të përgëzojë punën e tij. Me sa duket, FSHF-ja ia ka bërë të qartë se elozhet ndaj holandezit në publik do t’i hiqnin shumë pikë kroatit në sytë e tifozëve.

Duka
E thotë shpesh me krenari se ka marrëdhënie të mira me disa nga ish-trajnerët e Shqipërisë, por në rastin e Hanit e ka pohuar se kontaktet me ish-yllin e Ajaksit janë prerë në mënyrë përfundimtare, menjëherë sapo Ari Hani u largua nga Shqipëria. “Kam marrëdhënie të mira me Bariçin dhe me Brigelin, me të cilët kontaktoj shpesh. Me Hanin nuk kam folur asnjëherë pasi ai u largua nga Shqipëria”, është shprehur kreu i federatës.

Akuzat
Menjëherë pas largimit nga Shqipëria, Ari Hani lëshoi vrer për vendin tonë, duke thënë se gjatë kohës që kishte punuar me përfaqësuesen shqiptare, nuk kishte pasur kushte. “Në Shqipëri mungonte ushqimi cilësor, mungonin edhe pijet. Atje kisha shumë vështirësi të punoja. Shqiptarët ishin të paduruar, donin gjithçka menjëherë”, është shprehur holandezi. 

Kritikat
Ari Hani asnjëherë nuk mundi të krijonte një bosht në ekip, madje në ndeshjet e fundit vendosi të linte jashtë skuadrës lojtarë të rëndësishëm si Bogdani, Kapllani apo Hyka. Për këtë ai u kritika pas largimit edhe nga disa prej veteranëve të ekipit kuqezi, të cilët kundërshtuan hapur zgjedhjet e teknikut. 

Menaxher
Lënia jashtë e Jahmir Hykës, më tepër sesa për motive teknike apo për punë skemash, kishte të bënte me faktin që lojtari nuk e mori parasysh këshillën e trajnerit për të shkuar te Fraiburgu verën e shkuar, pasi mesfushori zgjodhi Maincin. Hani e përjashtoi mundësinë që të kishte gisht në këtë gjë.

10 NDESHJET E HANIT
ME SHQIPËRINË

Miqësoret:
Shqipëri-Poloni 0-1
Shqipëri-Lihtenshtejn 2-0
Azerbajxhan- Shqipëri 1-1
Bilanci: 3 ndeshje; 1 fitore, 1 barazim, 1 humbje

Zyrtaret:
Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 0-2
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Bilanci: 7 ndeshje; 1 fitore, 3 barazime, 3 humbje

6 pikë mundi të grumbullonte përfaqësuesja shqiptare nën drejtimin e Ari Hanit. Kuqezinjtë dështuan në takimet kundër rivales direkte Hungarisë (2 humbje) dhe gjithashtu nuk arriti të fitonte ndeshjen e dytë me Maltën.

210mijë euro mori në total ish-trajneri i Kombëtares nga arkat e FSHF-së. Ai kishte një kontratë dyvjeçare, me një vlerë prej 280 mijë eurosh, por u arrit akordi që të paguhej vetëm për 18 muaj, duke përfituar gjithsej 210 mijë euro. 

E Hene, 15 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›