Ari Han i hap derën Nevil Dedes

Përpara ndeshjes, drejtuesi i stolit kuqezi ka biseduar me menaxherin e klubit aziatik, duke i konfirmuar se ndodhej në stadium, për të parë gjendjen fizike të ish-lojtarit të Tiranës.
Gjithsesi, në përfundim të 90-minutave, Dede dhe Han nuk janë takuar, madje lojtari nuk dinte asgjë për prezencën e tij si “spektator”.
“Nuk e dija që Han ndodhej në stadium dhe po më vëzhgonte. Menaxheri i klubit më njoftoi vetëm pasi u kthyem nga transferta me Pekin Guoan”, tha mbrojtësi për “albaniasoccer”.
Udhëtimi
Vizita e Ari Han në Kinë nuk ka pasur si qëllim në vetvete vëzhgimin e Nevil Dedes. Sipas njerëzve të afërt me teknikun “tulipan”, ai e kishte planifikuar prej kohësh një udhëtim në shtetin gjigand të kontinentit aziatik.
“Trajneri vëzhgoi Deden? Nuk dimë asgjë rreth kësaj. Që përpara ndeshjes miqësore me Azerbajxhanin, trajneri Han na kishte konfirmuar se do të shkonte në Kinë për punë personale”, pohuan burimet.
“Duke qenë se nuk ishte një çështje pune, askush nuk është interesuar për itinerarin gjatë qëndrimit të tij në këtë vend. Madje, as ai vetë nuk ka thënë se do ta shfrytëzonte këtë rast për të vëzhguar lojtarë për ekipin përfaqësues”. Kjo është hera e parë që Ari Han sheh në aksion mbrojtësin “veteran”: ai ka udhëtuar edhe më parë drejt Kinës, por asnjëherë nuk ishte interesuar për Deden.
Kombëtarja
Pasi ka mbetur i zhgënjyer nga survejimet në Kategorinë Superiore, nuk përjashtohen mundësitë që Han të mendojë rikthimin e lojtarit 33-vjeçar në Kombëtare.
Kjo duke parë edhe periudhën shumë delikate të Kombëtares përpara sfidës së 11 shkurtit me Maltën. Tri pikët në këtë përballje janë të detyrueshme, por Shqipëria rrezikon të paraqitet me formacion të përgjysmuar.
Shkak janë bërë dëmtimet e disa prej lojtarëve titullarë. Altin Lala është operuar nga hernia diskale dhe prezenca e tij është në dyshim, Arjan Beqaj ka probleme të vazhdueshme me gjurin, ndërkohë që forma fizike e Erjon Bogdanit nuk ofron garanci.
Vëzhgimi i Nevil Dedes lidhet edhe me një ndryshim në taktikën e skuadrës kuqezi, ku Debatik Curri mund të spostohet në mesin e fushës.
Kualiteti i 24-vjeçarit në këtë repart u konfirmua në miqësoren me Azerbajxhanin. Megjithatë, përpara se Currit t’i lihet “rrugë e lirë”, që të kontribuojë në fazën ofensive, më parë duhet gjetur një zgjidhje për plotësimin e qendrës së mbrojtjes. Këtu futet në skenë Dede, që me kualitetin dhe eksperiencën e tij, mund të rreshtohet përkrah shkodranit Elvin Beqiri.