E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, 21 muaj pa fitore në fushën e Shkumbinit

Me mendjen në merkato, por edhe me objektivin për të rikuperuar pikë dhe për t’iu afruar Tiranës kryesuese.

 Kjo është pak a shumë situata që po përjeton Dinamo përpara sfidës së fundjavës me Shkumbinin. Skuadra e drejtuar nga Zlatko Daliç do të udhëtojë drejt Peqinit për të “thyer” traditën e këtyre sezoneve të fundit.

Në fakt, blutë nuk marrin tri pikët e plota në fushën e Shkumbinit prej 21 muajve: triumfi i tyre i fundit është regjistruar më 18 shkurt 2006, gjatë sezonit 2005-06, ku heroi i asaj ndeshjes, që u mbyll me rezultatin 1-0, ishte senegalezi El Haxhi Gudjabi.

Në të njëjtin edicion, kryeqytetasit kishin fituar 2-0 edhe në takimin e luajtur në shtator të 2005-ës. Mungesa e pikëve të plota në Peqin vjen edhe për faktin se në sezonin 2006-07, në sfidën kundër Dinamos, skuadra surprizë e këtij kampionati ishte e detyruar të luante në fushë asnjanëse për shkak të dënimit të fushës nga Komisioni i Disiplinës.

Blutë fituan 0-1 në takimin, ku Shkumbini ishte skuadër pritëse, por që u zhvillua në stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjës.

Ndërkohë, në sezonin e kaluar, kur dinamovitët u shpallën edhe kampionë të Shqipërisë, ata u frenuan në dy raste në Peqin, me rezultatet 0-0. Në përballjen e parë të këtij edicioni, skuadra e Daliç fitoi me rezultatin 3-1, falë golave të Petriçeviç e Plakut dhe autogolit të Xhyrës.

Merkato

Momentalisht, Dinamo renditet në vendin e katërt, në kuotën e 18 pikëve, e distancuar me 5 pikë nga Tirana kryesuese. Rikuperimi duhet të fillojë në fushën e lojës, që prej sfidës me Shkumbinin (e vendit të tretë), ndërkohë që edhe drejtuesit e tyre po japin kontribut me përforcimet në merkaton e dimrit.

Pasi kanë siguruar shërbimet e Elis Bakajt, blutë kanë “rrëmbyer” edhe një tjetër lojtar shumë të rëndësishëm të Partizanit. Bëhet fjalë për mesfushorin Rrahman Hallaçi.

Pas problemeve financiare me klubin e kuq, të dy futbollistët kanë rënë dakord që të luajnë me Dinamon, duke filluar që prej muajit janar.

Por, nëse transferimi i Bakajt është konfirmuar se ka kushtuar 100 mijë euro, ende nuk është bërë publike shuma e paguar për kartonin e Hallaçit.



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›