Ari dhe kriza e borxheve
Kriza e borxheve që ka tronditur ekonominë globale dhe tregjet financiare ndërkombëtare ka rikthyer në qendër të vëmendjes dhe të debatit të mendimit ekonomik e financiar, më tepër se kurrë ndonjëherë, rolin e metalit të verdhë, arit. Kjo krizë, që ka prekur si SHBA-të, ashtu dhe vendet e eurozonës (e që vazhdon të shoqërohet me rritjen e borxheve kombëtare), ka risjellë debatin për rolin e arit në sistemin monetar dhe ndihmesën e tij (rritjen e rolit të tij) për përballjen e krizës së borxheve. Një luftë e vërtete e inflacionit nëpërmjet rritjes së normave bazë të interesit thuajse është e pamundur. Shteteve do tu dilte shumë shtrenjtë. Prandaj, një ide e hedhur tashmë për diskutim është ajo se, një mundësi për të paguar borxhin, vendet (me këtë problem) duhet të shikojnë mundësinë e shitjes së rezervave të tyre të arit. Por jo vetëm kaq, jo vetëm për shkak të krizës së borxheve. Një diskutim i gjerë po bëhet dhe për përfitimin dhe riskun që ka tashmë nga fakti se ku duhet investuar: në euro, dollar apo në ar?!
Është kjo arsyeja që tashmë të gjithë e pranojnë. Ari është një mit. Rritet në mënyrë të pandalshme që prej 10 vitesh. Sfidon çdo lloj vlerësimi racional. Nuk sjell të ardhura të vërteta, por është tërësisht në varësi të vlerës së valutës që i bashkëngjitin investitorët. Ky është dhe ari! Por…
PAK PËR MITIN, HISTORINË DHE ROLIN E ARIT
Ashtu është vërtet. Deri në përfundimin e Luftës së Dyte Botërore, me këtë mit janë lidhur ngjarje të rëndësishme të zhvillimit botëror (luftëra, shkatërrime, thesare, zhvillime etj.). I veçantë roli i tij ka qenë në zhvillimin ekonomik, tregtar dhe sidomos në krijimin dhe zhvillimin e sistemit monetar të vendeve të ndryshme, pse jo dhe të atij ndërkombëtar. Me emrin e Arit lidhet sistemi monetar i bimetalizmit (sistemi monetar i bazuar në monedhat prej ari dhe argjendi, i cili do të ekzistojë për gati gjashtë shekuj), sistemi monometalist i arit dhe më pas forma e cunguar e standardit të arit (devizat e këmbyeshme në ar). Në fund të Luftës së Dytë Botërore, roli i arit, sidomos në këmbimet brenda çdo vendi, filloi të binte disi, ndërsa në rrafshin ndërkombëtar ai mbeti shumë i fuqishëm. I ashtuquajturi standard i arit (pra, vlera e monedhës së një vendi matej me rezervat e arit që ai kishte) u trondit… Kështu, që pas Luftës së Dytë Botërore, me Marrëveshjen e Bretton Woods-it, që u vendos krijimi i FMN-së dhe Bankës Botërore, u krijua dhe sistemi monetar ndërkombëtar… (Në vitin 1934, Thesari i Shtetit amerikan kishte caktuar një çmim blerjeje të arit, një onz ari = 34,92 USD, ndërsa sipas Marrëveshjes së Bretton Woods-it, një onz ari = 35,2 USD), duke i dhënë dollarit amerikan privilegjin (i vetmi) e shndërrimit në çdo kohë në ar. Ky rol i dollarit ar (Sistemi Monetar Ndërkombëtar i Bretton Wood-sit) mundi të jetojë deri në vitin 1961, kur ai mori goditjen (plasaritjen) e tij të parë, me krijimin e Pulit të Arit (marrëveshja e bankave qendrore të dhjetë vendeve më të zhvilluara), për ndërhyrje në tregun e Londrës që çmimi i arit të mbetej brenda limiteve 34,92 dhe 35,2 USD = një onz ari). Në vitin 1968 u krijua tregu i dyfishtë i arit (ari monetar me kurs 35,2 USD një onz dhe ari industrial që ishte sasia e arit që më 17 mars 1968 ndodhej jashtë bankave dhe shtohej përmes prodhimit nga minierat e që do të shitej lirisht në treg). Më 15 gusht 1971, kur Presidenti i SHBA-ve Nikson, shpalli programin që u quajt Politika e re ekonomike, duket se Sistemi Monetar i Bretton Woods-it po falimentonte dhe dollari amerikan pranoi zyrtarisht goditjen e tij. Kjo sepse një nga masat e Politikës së re ekonomike të presidentit Nikson ishte… pezullimi i këmbimit të dollarëve në ar…, pra, dollari behej tani i pakëmbyeshëm në ar. Kështu, Shtetet e Bashkuara e braktisën standardin e arit. Pra, tani dollari nuk do të mbështetej më në arin, por në besimin e plotë dhe në kreditin e Shteteve të Bashkuara – me fjalë të tjera, në qëndrueshmërinë ekonomike të Amerikës. Mirëpo sot, monedha botërore rezervë mbështetet nga një vend që ka një borxh prej më shumë se 14 trilion dollarësh.
Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të FMN-së për reformimin e Sistemit Monetar Ndërkombëtar në gjithë këto vite, deri para dhjetë vitesh, dukej se roli i arit në këtë sistem ishte venitur. Por, në fakt, nuk ndodhi kështu. Për më tepër, tashmë pas krizës financiare globale, situata ka ndryshuar. Mendjet dhe sytë e eksperteve më në zë dhe të investitorëve më të fuqishëm, janë kthyer sërish nga ari. Çfarë po ndodh? A do të kemi një rikthim në standardin e arit?!
ARI – INVESTIM PA RREZIK. (TË INVESTOSH NË EURO, DOLLAR APO NË AR?!)
Sipas Këshilli Botëror të Arit, në botë ka rreth 165 000 tonë ar. 165 mijë tonë janë sa një pallat katërkatësh i mbushur plot me ar.
Shtetet e Bashkuara zotërojnë pjesën më të madhe të kësaj sasie, rreth 370 miliardë dollarë në vlerë, po të këmbehej me rreth 1 500 dollarë onzin.
Ndërkaq, Deutche Bank – Banka Gjermane parashikon një rritje të re të çmimit të arit deri në 2000 dollarë për onz brenda një viti. Ndërkohë që koleget e tyre në UBS presin një rritje deri në 2500 dollarë për onz.
Megjithëse ekonomia amerikane vazhdon të jetë më e fuqishmja në botë, ajo ka një borxh prej më shumë se 14 trilionë dollarësh. Gjithashtu, të paktën pesë vende të eurozonës (Greqia, Irlanda, Spanja, Portugalia, Belgjika dhe Italia) janë goditur rëndë ose rrezikohen të goditen rëndë nga kriza e borxheve. (Greqia tashmë vazhdon të jetë në kolaps).
Çfarë thonë analistët dhe ekspertët?
Për zgjidhjen e këtij problemi, disa analistë në Amerikë kanë hedhur idenë se Shtetet e Bashkuara duhet të shesin ar për të paguar borxhin. Disa të tjerë e kundërshtojnë këtë ide, duke insistuar në faktin se situata e rëndë e borxheve mund të frenohet përmes rritjes së disiplinës financiare, kontrollit të deficiteve buxhetore dhe zbatimit të politikave ekonomike dhe fiskale efikase.
Kështu, Xhon Mjuller, ekspert në Qendrën e Etikës dhe Politikës Publike në Uashington, thotë se krizat e borxhit në SHBA dhe në Europë nuk do të kishin ndodhur po të kishte qenë në fuqi standardi i arit. Ai thekson se sistemi monetar është ai që i krijon këto inflacione periodike, të cilat çojnë në recesione si ato të viteve 2007-2009. Ai po shkakton rënien e aftësisë konkurruese në prodhimin amerikan, sepse kjo jo vetëm që krijon deficite në buxhetin federal, por edhe deficite në pagesa ndërkombëtare. Kjo krijon gjithashtu mungesë të disiplinës buxhetore. (Zëri i Amerikës. Edicioni Shqip, 14 qershor 2011).
Ndërsa Steven Danwuej, në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, vëren: Në fakt, kjo do të kishte shumë kuptim. Meqenëse pjesa më e madhe e arit është blerë nga Amerika me 35 dollarë onzin, çmimi i tij është sot 1 500 dollarë onzi. Pra, Shtetet e Bashkuara kanë nxjerrë një fitim mjaft të madh. (Zëri i Amerikës, Edicioni Shqip, 14 qershor 2011).
Por, lidhur me këtë ide, megjithëse e pranueshme për disa ekspertë, ata shprehen me rezervë për këtë version. Kjo, sepse sipas tyre, me fillimin e shitjes së arit, sidomos në sasi të mëdha (SHBA), çmimi i arit do të shënonte një ulje të madhe të menjëhershme dhe përfitimi nuk do të ishte ai i parashikuar. Bile, eksperti Piter Morisi në Universitetin e Merilendit, me kundërshtinë e tij shkon edhe më tej, duke vërejtur se nuk duhet bërë shitja e arit për të zgjidhur problemet buxhetore apo të deficiti, por duhet të rikthehet besimi te dollari, duke e vënë deficitin nën kontroll dhe duke e menaxhuar ekonominë në mënyrë më të efektshme.
Por, të tjerë ekspertë në këtë debat mendojnë se rritja e deficiteve buxhetore nuk do të ndalet nëse qeveritë nuk kanë një standard monetar që ti pen
