E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arian Çani – showmen-i në një spektakël teatral

14/05/2009  “Ej, mos i thuaj njeriu!…”

Gjithçka që nuk ka rrëfyer dot nga ekrani, tanimë e sjell në një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun në një sallë teatrore. Gazetari Arian Çani tani krijon një tjetër “zonë të lirë” në Teatrin e Metropolit. Duke filluar nga 16 maji, ai do të dalë për të parën herë në një “One Man Show” për të sjellë humor të zi. Pavarësisht se për të gjitha këto ai vetë thotë “Ej, mos i thuaj njeriu!” (kështu e ka quajtur spektaklin teatral), duket se njerëzit nuk e mbajnë dot “të fshehtë” atë që premton se do të përcjellë Çani.

Thelbi i këtij show teatral është rrëfimi dhe çmitizimi i disa fenomeneve moderne të jetës sonë të përditshme. Një këndvështrim interesant, provokues, origjinal dhe subjektiv që autori e ndan me publikun në sallë. Një komunikim i drejtpërdrejtë interaktiv, që tenton të sjellë në vëmendje ngjarje, situata dhe rrethana që i përjetojmë çdo ditë në forma të ngjashme. Fenomene të shndërruara në mite moderne, që ne i ndeshim rëndom dhe gjithandej në jetën tonë, si publiciteti, spoti i Pangos, modeli i ri i rrobave të banjës, të varfrit, klasa politike dhe zgjedhjet e 28 qershorit, televizioni si një makth, fatura e një shfaqjeje në teatër, dhimbja para ndarjes me publikun etj... Çani mban distancën e duhur higjienike, por duke mbajtur njëkohësisht dhe një qëndrim të hapur ndaj këtyre miteve moderne. Qëllimi? Çmitizimi pa ua zbehur vlerën dhe rëndësinë e tyre. Me pak fjalë, një rrëfim që mbështetet në detaje dhe histori të thjeshta, të cilat njerëzit shpesh i thonë me zë të ulët. Çani merr kurajën të na i tregojë me zë të lartë. Me ide dhe skenar të Arian Çanit, regjia mban emrin e Ervin Çulit, muzika firmën e Dj Çerrit, fotografia të Geliand Kalecit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›