Arifi: Në zgjedhje triumfoi vota e shqiptarwve. Çështja e emrit i përket vetëm maqedonasve
Intervista me Teuta Arifin, kryetare e komunës së Tetovës, në emisionin “Diplomatikus” në “News24”.
Zonja Arifi, ju jeni zgjedhur e para grua shqiptare në krye të një komune në Maqedoni, si ndiheni për këtë?
Në fakt, unë ndihem jashtëzakonisht e respektuar nga ana e qytetarëve të Tetovës, të cilët në një shumicë serioze dhe dërrmuese vendosën që të isha udhëheqëse e kësaj komune dhe që thyen tabutë dhe paragjykimet për shqiptarët e Maqedonisë, si shqiptarë të cilët janë më konservativë dhe që ndonjëherë identifikohen si më të prapambetur nga të tjerët. Ishte pikërisht Tetova dhe këta shqiptarë të cilët në fakt me një votë direkte zgjodhën një femër për t’i udhëhequr. natyrisht që për mua është një obligim i madh, një sfidë e madhe ashtu siç kanë qenë serioze sfidat kur në vitin 2002 kam qenë gruaja e parë shqiptare që është zgjedhur në Parlamentin e Maqedonisë. Ashtu siç ka qenë sfida në vitin 2012 kur kam qenë gruaja e parë anëtare e një kabineti qeveritar, apo zëvendës kryeministri për çështjet europiane…
Paskeni thyer shumë tabu…
Po rruga ka qenë e tillë, jeta ka qenë ajo, që në fakt ka dhënë këto sprova në të cilat unë kam mundur të kaloj për fat dhe jam shumë e lumtur që kam qenë gruaja e parë shqiptare në parlamentin e Maqedonisë, por që nuk kam qenë gruaja e fundit shqiptare, meqenëse kam qenë pjesëmarrëse e ndryshimit legjislativ zgjedhor që në fillimet e veta me të cilin kemi siguruar që çdo i treti kandidat në listat për deputet të jetë grua dhe kështu sot vetëm partia ime politike ka 6 gra në grupin e vet parlamentar nga 15 deputetë dhe unë llogaris këtë si një arritje të madhe.
Përpara se t’i hynit kësaj gare për komunën e Tetovës keni qenë zëvendës kryeministre dhe ministre për integrimet europiane. Përse zgjodhët të largoheshit dhe të linit pas këtë post disi të lakmueshëm, pra, nga takimet me komisionerin europian të zgjerimit Stefan Fule apo ministra dhe kryeministra të shteteve të ndryshme zgjodhët që të merreni me problemet dhe hallet e përditshme të tetovarëve. Pse?
Sipas analizave që u bënë në kuadër të partisë dhe matjeve të opinionit, ato matje jo formale dëshmonin dhe tregonin se përkrahja e qytetarëve për kandidimin tim ishte tejet e madhe. Dhe unë ndjejta obligim që si një tetovare të hyja në këtë sfidë dhe në këtë garë dhe cilido qoftë dhe cila do qoftë pozitë që mund të jetë kështu me shumë ndriçim të jetë nuk e zëvendëson udhëheqësin e qytetit më të madh shqiptarë në Maqedoni, atë qytet që i ka dhënë frymë shqiptare këtij vendi. Tetova nuk është një vend i rastësishëm dhe po e them shumë sinqerisht asgjë dhe asnjë shkëlqim i madh nuk e zëvendëson atë gëzimin ditorë që e shihni tek njerëzit e juaj kur bëni një punë mbase të vogël por shumë të rëndësishme për jetën e tyre. Kështu që kjo k qenë një sfidë për mua jashtëzakonisht serioze ashtu siç do të ishte për çdo politikan shqiptarë në Maqedoni.
Përveç kësaj arsyeje që ju thoni, mos kanë qenë shkak edhe zënkat e vazhdueshme që keni pasur me kryeministrin Nikolla Gruesvki? E dimë që jeni kritike e fortë edhe e madhe e tij, mos ka qenë dhe ky ndonjë shkak në një farë mënyre për t’iu larguar kësaj situate politike dhe për t’u marrë me diçka që është më konkrete?
Një ndarje elegante. Në fakt oponenca ime me qëndrimet e kryeministrit në ka qenë një oponencë intelektuale, një oponencë e cila ka të bëjë me tempin dhe dinamikën e integrimeve euro atlantike që janë një prioritet i shqiptarëve jo vetëm në Maqedoni por edhe në Ballkan. Dhe kjo oponencë në fakt pas vitit 2011 ndoshta më pak ka qenë e shprehur meqënëse ne vendosëm që të merrnim sektorin e eurointegrimeve dhe si nënkryetare e partisë time ky post mu besua mua. Dhe gjatë dy viteve jo të plota në fakt nën udhëheqjen time Maqedonia arriti që të hapte proces komplet të ri me Bashkimin Evropian, dialogun paraqasës në nivel të lartë dhe shumë procese të cilat ishin jo vetëm sfiduese por edhe shumë inovative në këtë drejtim. Mendoj se për mua ishte e rëndësishme që kjo sfidë e re, që janë zgjedhjet lokale të ishte një mundësi për të marrë përkrahjet direkte të qytetarit shqiptarë dhe për të verifikuar a kisha pasur tamam tërë atë koncept dhe tërë atë angazhim. Dhe përkrahje e madhe që mora personalisht në këto votime dëshmon edhe një herë se logjika e mbajtjes në konceptin e euro integrimeve dhe integrimeve euro atlantike, faktikisht është një koncept të cilin shqiptarët e mbështesin këtu, në këtë vend.
Si janë marrëdhëniet sot me kryeministrin Nikolla Gruesvki?
Unë sot jam kryetare e një komune, një komune të rëndësishme shqiptare dhe jam nënkryetare e partisë dhe sigurisht që kam më pak të bëj me kryeministrin se sa kur kam qenë zëvendës kryeministre. Partia ka raporte korrekte në kuptimin e asaj që ka përgjegjësi të përbashkët në një bashkë qeverisje. Ndërkohë që gjatë 3 javëve të fundit, pas përfundimit të zgjedhjeve edhe autoritet më të larta partiake, siç është rasti i kryetarit Ahmeti ka nënvizuar disa herë se ka ardhur koha e fundit dhe që tani është momenti më i mirë që Maqedonia të bëjë zgjidhjet e kontestit me emrin për t’i hapur rrugë proceseve euroatlantike dhe ky ka qenë një mesazh i përsëritu më herët nga na ime i cili fiton peshë tani më pas zgjedhjeve lokale.
Tetova konsiderohej bastion i Partisë Demokratike Shqiptare pse zgjodhi Tetova të votojë Teuta Arifin?
Ma merr mendja që Tetova gjithmonë ka bërë, është qyteti që ka bërë ndryshimin në Maqedoni, te shqiptarët. Është qyteti që në 1968 i ka bërë demonstratë për flamurë, është qyteti që në 1981 ka përkrahur ndryshimet në Kosovë, është qyteti në të cilin për herë të parë janë themeluar partitë politike shqiptare, është qyteti në të cilin qytetarët kanë përkrahur krijimin e një universiteti dhe atë e kanë mbajtur në shpinën e tyre. Domethënë kam përshtypjen se te tetovarët ekziston ajo vija e sensit kur duhet bërë ndryshimi dhe mendoj që mund të jetë ky moment. Unë mendoj se mbase ky ishte vlerësimi. E dyta unë kisha një program shumë direkt, domethënë kisha një qasje shumë të drejtpërdrejtë të bisedave me qytetarët e mi. Kam shkuar e kam takuar secilin që ka kërkuar të më takonte. Edhe pse për 11 vite me radhë në politikë merrem me çështje ndërkombëtare, nuk kam biseduar me njerëzit për çështje të qiellit e të metafizikës, por për çështje e probleme reale dhe mënyrën se si të zgjidhen ato. U kam thënë se do të punojmë me parimin e transparencës dhe që nuk e kam ndërmend mjetet publike për të lejuar të harxhohen për përfitime personale. Kjo për arsye se qëllimi apo koncepti im është se i fuqishëm është ai popull i cili ka institucione të fuqishme dhe jo ata të cilët eventualisht i përdorin institucionet për gjëra të vogla. Prandaj unë mendoj se ky është ai besim që njerëzit e kanë marrë dhe prandaj dhe ma merr mendja që obligimi im ndaj qytetarit është shumë i madh, prandaj dhe unë sillem me këtë obligim ndaj qytetarit tim edhe pse kam trashëguar një komunë me shumë halle, me shumë borxhe, jam shumë e bindur që do të arrijmë stabilizim financiar dhe institucional të komunës.
Duke qenë se përmendët problemet që ka qyteti i Tetovës dhe sfidat që ju keni përpara. Tetova është një qytet me dy universitete, por ndërkohë ka papunësinë më të madhe në rang republike dhe kryesisht mes të rinjve. Si keni ndërmend ta ndryshoni këtë konkretisht?
Unë mendoj se prioritet e mia përsa i përket Tetovës lidhen me dy çështje të mëdha dhe ato janë: çështja e ujit për arsye se ne kemi një problem të madh me ujin dhe pse jemi një qytet që rri mbi ujë dhe mbi kokën e vet e ka malin Sharper plot me ujë për shkak të rritje së qytetit dhe ekzistimit të instalacioneve të vjetra, ne fakt kemi mungesë të ujit dhe çështja e ekologjisë apo e pastërtisë dhe e sistemit pastrues dhe zgjidhja e kaosi apo ngarkueshmërisë së komunikacionit. Për mua këto janë tre problemet e mëdha për të cilat unë mendoj se kemi projekte të veçanta edhe për të zgjidhur ujin, edhe për të siguruar pastërtinë dhe organizim më të mirë të qytetit. Çështja e papunësisë është problem në nivel republike dhe i dedikohet në fakt jo vetëm krizës ekonomike globale por edhe faktit që Maqedonia në një mënyrë ka mbetur e izoluar në proceset euro atlantike dhe kjo e ka zvogëluar bonitetin për të qenë një vend i investueshëm nga ana ndërkombëtare. Prandaj edhe qasja ime është që ne të shfrytëzojmë maksimumin për sa i përket papunësisë. Dëshiroj që t’i ik një fenomeni që ka ndodhur dhe ndodh te partitë politike dhe ajo është përdorimi i administratës si vend ku zgjidhet papunësia dhe mbingarkimi i administratës me kuadro të cilat jo gjithmonë kanë punë për të bërë. Qasja ime është që sa më tepër të krijojmë mundësi për biznesmenët veçanërisht nga vendi ynë të cilët janë jashtë Maqedonisë në Europë veçanërisht, për të ardhur dhe për të bërë investime. Ne kemi shembuj shumë të suksesshëm. Kam arritur të shoh njerëz nga ky vend të cilët janë larguar që këtu për të punuar në Zvicër, Gjermani apo kudo qoftë janë kthyer dhe kanë filluar me investime të vogla dhe sot janë bërë firma shumë të suksesshme. Prandaj dhe qëllimi im është që ne sa më parë të mundësojmë ardhjen e këtyre lloj investitorëve dhe normalisht që kam shpresë te zona e lirë ekonomike që i takon kufijve të komunës së Tetovës e cila po ashtu mund të ndihmojë në çështjen e papunësisë.
Meqë përmendët njerëzit që kanë ikur jashtë edhe emigrojnë jashtë, disa janë rikthyer çka është një nga shembujt më të mirë por ndërkohë është edhe një pjesë atyre, të rinjtë që nuk e gjejnë veten dhe nuk gjejnë punë dhe ikin, ajo që quhet ikja e trurit. Ka ndonjë plan konkret për ta frenuar këtë?
Unë mendoj se me një zhvillim ekonomik pak më të mirë dhe me një sistem të konkurrencës së drejtë në angazhimet mbase mund të ndihmohet në këtë drejtim. Për shembull, me të hyrë në komunë ne kemi marrë listën e të diplomuarve në Universitet e Tetovës, dhe që janë diplomuar nga nota 8.5 e sipër për arsye që unë dëshiroj dhe në mundësitë që kemi ne përparësi t’u jepet këtyre studentëve për të krijuar një motiv tek të rinjtë që vlen të mësohet, vlen të shkohet përpara dhe mbase arrijmë dhe mbase arrijmë pak sukses.
Ju keni bërë fushatë me moton “Ta bëjmë Tetovën qytet” dhe besoj se në planet tuaja përfshihet edhe një lloj plani për t’u marrë me ndërtimet pa leje. Jenio e gatshme t’i hyni kësaj beteje, mund të jetë një betejë edhe me bizneset?
Unë nuk kam probleme të betejave vetëm se normal që gjithçka duhet të jetë në kuadër të ligjit. Domethënë që nga fundi i shtatorit të viti të kaluar ka përfunduar afati i kërkesave të qytetarëve për të legalizuar, ky është një proces i cili do të vazhdojë edhe një vit të tërë. Derisa të zgjidhen të gjitha lëndët përsa i përket legalizimit. Ajo që ne nuk do të lejojmë është që nga momenti i hyrjes sonë nuk do të lejojmë të keqpërdorohet hapësira publike për qëllime private dhe normalisht ndërtimet pa leje nuk do t’i lejojmë.
Nëse flasim në përgjithësi për zgjedhjet lokale, për këto zgjedhje lokale, filluan rrëmujshëm me një konflikt dhe debate çka degjeneruan në dhjetor edhe në incidente brenda në parlament, me një luftë shumë të ashpër mes partisë së kryeministri Nikolla Gruevski dhe opozitës maqedonase pati edhe deklarata për një bojkot të mundshëm, pati shumë ndërmjetësim nga ndërkombëtarët. Cili është mesazhi që iu ka ngelur nga këto zgjedhje lokale?
Unë mendoj se në pjesën tonë, nëse mund të shprehem në pjesën shqiptare, procesi ka qenë korrekt. Ne kemi pasur zgjedhje në të cilat ne i kemi ikur stigmatizimit të shqiptarëve si bartësit kryesorë të problemeve, proceset tona kanë qenë shumë korrekte, shumë në rregull po ashtu edhe periudha e fushatës. Prandaj unë mendoj se për mua ky është mesazh shumë i rëndësishëm. Qytetarët shqiptarë në Maqedoni ia japin në radhë të parë vetes po edhe bashkëqytetarëve të tyre maqedonas, se janë të interesuar për stabilitetin, për demokracinë në këtë vend dhe ardhmëria euro atlantike e këtij vendi për ta është e padiskutueshme. Normalisht që tensionet që zhvillohen në bllokun maqedonas kanë arsyet e veta, domethënë ato i dedikohen një mbështetje më të madhe, domethënë që ato i dedikohen një mbështetjeje më të madhe që gëzon partia e kryeministrit dhe një debati brenda opozitës e cila më gjatë kërkon një rrugë për t’i gjetur përgjigje faktikisht këtyre praktikave. Dhe normalisht që këto nuk janë pa ndikim edhe në pjesën shqiptare meqënëse në fund të fundit ne ndajmë të njëjtën hapësirë.
A morën këto zgjedhje një karakter të fortë ndëretnik?
Kishin. Veçanërisht sa i përket votimeve në Strugë dhe në Kërçovë ku partitë maqedonase në radhë të parë bënë koalicione etnike që pa marrë parasysh 24 dhjetorit ata thanë që do mbështesin njëri-tjetrin vetëm e vetëm për të mos fituar kandidatë shqiptarë…
Më falni që ju ndërpres, dhe nuk ju duket kjo një thikë pas shpinë për PDI nga partia e Gruevskit flas?
Po. Domethënë unë kam kujdes, jo kujdes të them por nga këto terminet të rënda, dramatike, të thikave dhe kështu e radhë se në procesin politik këto janë të zakonshme. Po sido që të jetë, mendoj se kjo fliste mjaft për procesin brenda strukturës, brenda bllokut maqedonas dhe që në të njëjtën kohë bëri edhe një homogjenizim brenda tek ne, duke dhënë edhe ne mesazhin e duhur dhe mesazhi ishte që edhe ne do të mbështesim njëri-tjetrin. Kështu që kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim ishte ai që u mbështet në Kërçovë. Ndërkohë që në Strugë, meqënëse të dy palët dolëm në raundin e parë të zgjedhjeve, ai që fitonte më shumë vota do të ishte ai që do të mbështetej. Kështu që ishte vota etnike, vota shqiptare, mobilizimi i madh i diasporës për Kërçovën dhe mobilizimi i madh i të dy partive politike për Strugën e cila faktikisht i solli këto rezultate.
Meqë përmendët Diasporën, në mos gabohem, në këto zgjedhje është vënë re një kthim i jashtëzakonshme i një numri të madh anëtarësh të diasporës kanë ardhur për të votuar, posaçërisht për të votuar.
Kjo është përsëritje e një fenomeni, ne këtë fenomen e kemi pasur në vitin 1990, kur për herë të parë Partia për Prosperitet Demokratik, për herë të parë u shpallën zgjedhjet e lira dhe për shqiptarët kjo ishte shikuar si një shans për të ndryshuar. Në rastin e Kërçovës, kjo vjen edhe si pasojë e një fushate të madhe që kemi bërë paraprakisht, meqënësi ishte shumë e rëndësishme që ne të arrijmë numrin e duhur të votave dhe pa ardhjen e votuesve nga diaspora ajo do ishte vështirë e arritshme, Jam jashtëzakonisht të them e kënaqur, jam jashtëzakonisht e respektoj këtë hap të madh të qytetarëve tanë të cilët me një vetëdije jashtëzakonisht të lartë qytetare erdhën vetëm për një ditë për ta dhënë votën e tyre dhe për t’u kthyer prapë. Kjo është edhe një arsye më shumë se pse çdo kryetar komune në një mënyrë apo në një tjetër i zgjedhur nga ka përgjegjësi dhe shumë përgjegjësi para votuesve të vet.
Zonja Arifi flitet shumë edhe ka shumë debate dhe polemika lidhur me marrëveshjen e Ohrit. Ka zëra që thonë se ajo ka dështuar, ka zëra që thonë nevojitet një marrëveshje e re mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ju tek cili mendim hyni?
Unë jam e mendimit se për ta zëvendësuar marrëveshjen e Ohrit është vështirë. Për arsye që marrëveshja e Ohrit është rezultat i një procesi, ai proces ishte lufta e vitit 2001 dhe ishte involvimi i ndërkombëtarëve në zgjidhjen e kësaj lufte dhe vendosjen e paqes. Dhe konteksti në të cilin është bërë marrëveshja e Ohrit, është një kontekst i cili lidhet me ardhmërinë euro atlantike domethënë të vendit. Marrëveshja e Ohrit ka kuptimin dhe funksionalitetin e vet në qoftë se ka perspektivë euro atlantike dhe normalisht që është më problematike nëse kjo perspektivi eventualisht vihet në pikëpyetje. Megjithatë për marrëveshje të re do të duhej kushte të reja dhe momentalisht nuk ekzistojnë këto kushte apo parakushte për të krijuar marrëveshje të re. nuk mund të nisnim të bënim marrëveshje të re vetëm pse eventualisht një e bërë më parë mund të ketë probleme në realizim. Po mendoj se duhen parakushte të reja të cilat momentalisht në Maqedoni të paktën nuk janë të krijuara.
Ju mendoni se është e vështirë të zëvendësohet marrëveshja e Ohrit po përsa i përket debatit nëse është e dështuar apo jo marrëveshja e Ohrit.
Unë nuk mendoj se marrëveshja e Ohrit është e dështuar, mendoj se marrëveshja e Ohrit është ajo që e ka ndërruar kartën e identitetit të shtetit të Maqedonisë, është marrëveshje që ka bërë definime komplet të tjera të këtij vendi dhe është një marrëveshje e cila rolin e shqiptarëve e ka forcuar jashtëzakonisht shumë në këtë shtet. Është marrëveshje pas të cilës në parlament çështjet identitare votohen vetëm me shumicë të dyfishtë. Është marrëveshje me të cilën është bërë zyrtarizimi i gjuhës shqipe në një hapësirë të madhe. Për shembull në kryeqytetin e Shkupit kudo që të ecni keni tabelat dy gjuhësore për shkak se edhe kjo është rezultat i marrëveshjes së Ohrit. Universiteti Shtetnor i Tetovës legalizimi, është paraparë dhe është pjesë e marrëveshjes së Ohrit. Domethënë gjithmonë kur flasim ne, flasim për nje perspektivë pas 11 vitesh, mirpo nuk duhet harruar prej ku jemi nisur. Dhe ne nuk duhet të harrojmë që jemi nisur prej një pozite krejtësisht tjetër dhe normalisht që ka mundësi të bëhet mirë e më mirë, por ato gjëra varen shumë prej ambientit politik, i cili në këtë rast dhe në këtë kohë është tejet kompleks.
I rikthehemi tani çështjes së emrit, çfarë po bën pala shqiptare, ose më saktë çfarë po bën partneri i vogël në koalicionin qeverisës të Maqedonisë për të hyrë ne negociata të drejtpërdrejta dhe për ta zgjidhur këtë çështje një herë e përgjithmonë?
Gjithsesi që ne kemi bërë përpjekje që sa më shumë të ndihmojmë në këtë proces duke pasur parasysh faktin që është një problem që lidhet me identitetin e bashkëqytetarëve tanë dhe duke qenë të vetëdishëm që është një çështje e cila është përdorur në mënyrë ekstreme për nevojat ditore të politikës së brendshme të bllokut maqedonas. Normalisht duke qënë të vetëdijshëm për faktin që intervenimi shumë i fuqishëm mund të ndihmojë por edhe jo gjithmonë. Qasja ka qënë të ndihmojmë në mënyrë maksimale përshembull si zëvendës kryeministre ka qënë kontakti im i parë ai që kam zhvilluar me palën greke. Vizita ime në Athinë faktitkisht në 2012 ka qënë vizita apo takimi i parë zyrtar që dy vendet kanë zhvilluar në njërin nga kryeqytetet pas 7 vitesh.
Ju konsideroheni si një nga iniciatorët e procesit të drejtpërdrejt me palën greke dhe ju keni përcjellë dhe një letër nga kryeministri Gruevski.
Madje kemi hapur, procesi i ri që hapëm atëherë në Bashkimi Europian dialogu para qasës, ishte një proces ndihmues për çështjen e emrit, domethënë në mënyrë diplomatike kemi ndihmuar sa kemi mundur. Gjithsesi vendimi në këtë drejtimi është vendim i të gjitha palëve nuk është çështje vetëm e politikanëve të palës maqedonase, mirëpo mendoj se kjo duhet të arrihet nëpërmjet një marrëveshje të përbashkët. Qëllimi ynë është që të ndihmojmë në këtë drejtim duke i kuptuar edhe hallet që mund të ketë pala tjetër mirëpo duke mos pasur gjithmonë mirëkuptim ekstrem për vonimin e proceseve euroatlantike.
Një kuriozitet të vogël nëse doni ta ndani me ne,është e vërtetë që keni folur shqip në takimin në Athinë me ministrin grek dhe ai ka një gjysmë origjinë shqiptare në mos gabohem?
Ai atë e tha në takimin që kishim, e tha para të gjithëve që në fakt gjyshja e tij nga ana e mamasë gjuha e vetme që ka ditur të flasë ka qenë gjuha shqipe dhe që gjithmonë me nënën e tij ajo ka folur në gjuhën shqipe. Unë jam grek dhe përfaqësoj shtetin e Greqisë por nuk mund ta fsheh këtë si realitet. Në këtë radhë që rrinë këta me mua ka dhe të tjerë dhe mbase nuk janë si unë që ta thonë një gjë të tillë. Dua të them se kam pasur një ndjenjë jashtëzakonisht të mirë gjatë qëndrimit tim në Athinë. Ka qenë një prej emisioneve të mia jo vetëm shumë sfiduese por në aspektin personal është vendi ku më së shumti unë kam folur në gjuhën shqipe .Për shkak se në çdo lokal në çdo vend shërbimi sapo dëgjoj shqip ju drejtohem në gjuhën shqipe. Ka shumë shqiptarë atje që janë në punë apo në raporte të përkohshme. Por që mendoj se absolutisht shqiptarët janë bërë pjesë e shumë vendeve dhe pjesë e natyrshme e tyre. Dhe ajo më bënte kënaqësi të veçantë. Shumë përfaqësues të mediave kishin edhe gazetat e tyre që botoheshin… Më ka bërë përshtypje të veçantë.
A u mërzitën maqedonasit që dy shqiptarë po bisedonin për çështjen e emrit të Maqedonisë?
Në proceset politike nuk mund të zemërohemi për shkak se realitetet janë ato që janë. Por realiteti është më mirë të pranohet se çdo luftë kundër realitetit është sikur shkundet me zor në drejtim të kundërt. Shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm në rajon, shqiptarët janë edhe një faktor i rëndësishëm ndërkombëtar. Rrënjët shqiptare i gjejmë gjithandej kudo që shkonim dhe shqiptarë të shumtë unë kam hasur gjatë punë sime diplomatike në vende të ndryshme qoftë për nga origjina qoftë që me natyralizim janë bërë pjesë të atyre shteteve ,që në fakt ky është një realitet dhe instancën e fundit pse jo dy shqiptarë,tre shqiptarë apo më tepër kanë aftësi obligim për të biseduar për të ardhmen europiane të rajonit të tyre
A konsultohet VMNRO-DPMNE me partnerin e vet në koalicionin qeverisës bashkimin demokratik për integrim për sa i përket çështjes së emrit ?
Informohemi domethënë kemi informimin tonë. Është një proces pak a shumë i ditur,është një proces i cili 18 vite me radhë është në zhvillim e sipër kështu që nuk ka edhe shumë të reja të mëdha në atë terren .
Mos duhet hapur një debat i gjerë i brendshëm në Maqedoni për të përfshirë shoqërinë civile, studentët për të përfshirë shumë e shumë shtresa për ta zgjidhur këtë gjë?
Ajo do ishte mirë në një situatë kur kjo çështje nuk do përdorej për arsye politike. Mirëpo unë mendoj që me atmosferën që është krijuar unë mendoj se sa më pak zgjatet tema dhe sa më shpejt të zgjidhet në biseda me palën greke aq më mirë.
Zonja Arifi diçka më të përgjithshme për atë çka përbën shpesh lajm jashtë kufijve të Maqedonisë dhe duket sikur ripërsëritet për fat të keq : incidentet ndëretnike. Shumë sociologë, analistë madje edhe sociologë këtu në Tetovë thonë që është një lloj tendence e politikës në përgjithësi mbase jo ti krijojë por edhe të nxisë për ti bërë njerëzit të harrojn paksa hallet e përditshme dhe problemet,ato që kanë rëndësi për jetën e përditshme të njerëzve edhe krijohen të tilla situata si për ti harruar këto probleme. Sa dakortd jeni me këtë?
Nuk jam dakord për shkak se kjo nuk e shpjegon fenomenin. Mendoj se Maqedonia është një shtet multietnik i cili është i bazuar në dy shtylla kryesore në stabilitetin e raporteve ndërmjet shqiptarëve maqedonasve. Atë stabilitet të raportit e mban marrëveshja Ohrit dhe mund ta mbajnë proceset euroatlantike. Meqënse proceset euroatlantike për shkak të çështjes së emrit janë në pritje dhe duke pasur parasysh faktin që partia më e madhe maqedonase ka një program etnocentrik i cili mbështetet në mënyrë serioze nga votuesit maqedonas,ai egocentrizëm në fakt në një situatë të vendit të izoluar ndodhin incidente. Dhe unë mendoj që kjo është arsyeja ,jo që bëhët me qëllim,ky është rezultat i politikave.
Pra në njëfarë mënyre është faji i politikës. Sepse njerëzit në përditshmërinë e tyre të paktën me sa kam mundur të komunikoj me shqiptarë me maqedonas nuk kanë asnjë lloj problemi me komunikimin dhe bashkëjetesën mes tyre.
Këtu ka pasur një traditë normale të bashkëjetesës mirëpo ajo në të cilën politika duhet të investojë më shumë është më tepër programe të zhvillimit të bashkëjetesës dhe promovimit të vlerave të përbashkëta. Unë mendoj se ky është rezultat i këtyre zhvillimeve.
Nëse ndonjë nga Tirana Zyrtare do të kërkonte një lloj ndihme përsa i përket përmirësimit të raporteve me maqedonasit, cila do të ishte kjo?
Unë mendoj se politika e Tiranës zyrtare ka qenë gjithmonë një politikë shumë korrekte dhe konstruktive në rajon, dhe nuk ka qenë një politikë e paternalizmit ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe kjo i ka bërë shqiptarët shumë të respektueshëm në rajon. Prandaj edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka ndërtuar një politikë të balancit të raporteve me Prishtinën dhe Tiranën me të cilën angazhimi për çështjen dhe problemet e shqiptarëve këtu dhe peshën në përgjithësi e mbajmë ne ndërkohë që bashkëpunimi me Tiranën për ne është shumë i rëndësishëm si edhe me Prishtinën veçanërisht në aspektin e forcimit të aspektit infrastrukturor kulturor dhe arsimor. he unë mendoj që kjo është e rëndësishme ashtu siç është i rëndësishëm fakti që Shqipëria si një shtet anëtar i NATO-s në mënyrë të rregullt si një shtet mik mbështet procesin e integrimit euroatlantik .
Nuk besoj që deklaratat për bashkim të shqiptarëve në mes të Shkupit janë shumë ndihmuese për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe maqedonasve, apo jo?
Unë mendoj se në 100 vjet njëherë gjithkush mund të bëjë disa deklarata. Mirëpo parimisht mendoj se shqiptarët apo politikat shqiptare janë udhëhequr nga pragmat dhe nga nacionaliteti që nënkupton Shqipëri të fuqishme demokratike të zhvilluar anëtare në NATO Bashkimin Europian , një Kosovë të pavarur, të fuqishme, shtet të njohur, një Maqedoni të bazuar në marrëveshjen e Ohrit dhe ndikimin e shqiptarëve dhe normalisht proceset euroatlantike dhe veçanërisht integrimet europiane të cilat përfundojnë me heqje të kufijve. Prandaj edhe shqiptarët janë europocentrikët kryesorë të rajonit për arsye se nga historia jonë kemi arritur të mësojmë. Se ka situata që mbase nuk kemi fuqi të madhe të përballemi me armiq më të fuqishëm. Por nëse në mënyrë konstruktive bashkojmë interesat me fuqitë atëherë bëheni një faktor serioz siç jemi ne në këtë rast.
Meqë erdhëm te fjala faktor dhe shpesh është thënë Shqipëria faktor stabiliteti. Mendoni se ka ardhur momenti të kemi një pozitë më të fortë në rajon apo mendoni se tashmë e kanë një pozitë?
Unë mendoj se Shqiptarët kanë pozita jashtëzakonisht serioze në rajon dhe të mira dhe normalisht ato duhet ti mbindërtojnë duke i përforcuar institucionet e tyre. Sa më të fuqishme dhe serioze të jenë institucionet tona,aq më të rëndësishëm dhe seriozë jemi dhe partnerë më të mire. he mbase edhe bashkëpunimin e tyre se mbase ndalohet bashkimi mes shqiptarëve por nuk ndalohet bashkimi i institucioneve. Unë di që ka një problem përsa i përket diplomat në Maqedoni dhe atyre në Shqipëri, kur studentët vijnë në Shqipëri dhe anasjelltas. Një varg institucionesh duhen kaluar. Pse të mos ketë një projekt bashkëpunimi që diplomat që merren të njihen lehtësisht në Maqedoni dhe e njëjta gjë të ndodhë edhe në Shqipëri? ë fakt Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëveshje dhe ai proces shkon përmes ministrisë së arsimit. Tani është më i gjatë më i shkurtër e kështu me radhë,si të gjitha proceset por jam shumë e bindur që mundësit institucionale jo vetëm ekzistojnë por edhe ndërkombëtarisht janë shumë të përkrahur dhe ne duhet ta shfrytëzojmë në maksimum këtë mundësi që të ndërtojmë një bashkëpunim korrekt dhe të hapur mes nesh.
Edhe një gjë të fundit do të vazhdoni me kritikat ndaj Nicola Gruevskit?
Unë jam njeri që e do kritikën ,që e ka shumë dëshirë kriticizmin jo për hir të vetë kriticizmit por për shkak se dëshiroj të kontribuoj në procese. Kështu që kam disa punë serioze derisa të bëj më stabile këtë komunën time edhe më ka marrë malli goxha si shumë për të filluar dhe për të dhënë disa mendime më të gjera dhe më të hapura se normalisht ajo linjë e diplomacisë ju mban që të mos i shprehni në mënyra direkte.
(News24/BalkanWeb)