Administrata në fushatën e Berishës, PS-ja denoncon shefat e Librazhdit
Tiranë- Partia Socialiste ka denoncuar sot me emër dhe mbiemër ata zyrtarë drejtues të qytetit të Librazhdit se kanë shkelur ligjin duke detyruar punonjësit e administratës publike të marrin pjesë në fushatën e Kryeministrit Berisha sot në Elbasan.
Kështu, PS-ja ka dorëzuar denoncimi për Artenca Balla, drejtoreshë shkolle; Ferit Hysa, drejtor i Arsimit dhe Liman Menalla, drejtor i Shëndetit Publik.
Pas postimit të deputetit Taulant Balla, na u dërguan nga Librazhdi emrat e personave përgjegjës për këtë abuzim e shkelje të pastër të ligjit: Ferit Hysa, Drejtor i Arsimit, Artenca Balla, Drejtoreshë shkolle dhe Liman Menalla, Drejtor i Shëndetit Publik. Ju ftojmë edhe ju që të denonconi me emër e mbiemër të gjithë ata zyrtarë që në shkelje të ligjit, po detyrojnë punonjësit e administratës të dalin në fushatë,- thuhet në njoftimin e PS-së.
Fillimisht, disa orë përpara se të niste edhe fushata e kryeministrit Berisha rreth orës 19:30 në Elbasan, deputeti Taulant Balla ka shkruar në Facebook se mësues infermierë dhe doktorë janë nisur për në fushatën e Berishës.
“Ku janë infermieret?
Pas mësuesve tani sapo u nisën edhe infermieret dhe doktorët nga Librazhdi për në Elbasan. Ka dhënë urdhër doktori nga Tirana, të mos ngelet asnjë mësues dhe infermierë në Librazhd sot.
Të gjithë në Elbasan. Për urgjenca, ju lutem prisni! Spitali i Librazhdit është i mbyllur. Shkollat i mbyllën që në mëngjes.”,- shkruan Balla në Facebook.