Arifi e injoron kërkesën e federatave sindikale

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi e ka injoruar kërkesën e djeshme të 8 federatave sindikale të cilat i dhanë afat 30 ditësh atij, për të thirrur Kongresin e Jashtëzakonshëm. Ai tha se ato Federata së pari duhet t’i kryejnë obligimet për pagesën e anëtarësisë e pastaj të kërkojnë diçka. Ai akuzoi udhëheqësin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, si person karrierist.
“Blerim Syla kryetar i Konfederatës ka ardhur me puç në krye të Federatës së Shëndetësisë, me dhunë, dhe ai po mendon se edhe këtu do të bëëj të njëjtën gjë”, tha Arifi.
Arifi i cilësoi edhe si të pabaza deklaratat se ai në protesta ka qenë kundër privatizimit të PTK-së, ndërkohë ka nënshkruar për privatizim.
“A po sheh se nuk e njohin punën e tyre së pari, sepse nuk janë sindikalistë. PTK është Ndërmarrje Publike, BSPK dhe Bordi i AKP-së nuk kanë lidhje me atë. Unë votoj në AKP për ndërmarrje shoqërore, jo publike”, tha Arifi.
Tetë federata sindikale që konsiderojnë veten si më stabile dhe më të fuqishme dje kanë kërkuar që në afat prej 30 ditësh kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi të thirrë një Kongres të Jashtëzakonshëm, në të kundërtën do të organizojnë së pari grevë, e më pastaj edhe mund të formojnë Konfederatë të re. Mirëpo Arifi tha se është punë e tyre çka do të bëjnë, kurse këto zhvillime nuk do t’a pengojnë BSPK-në në organizimin e protestës së punëtorëve që do të mbahet me 29 maj me moton “5 minuta para 12”./Indeksonline/